Qyteti i Durrësit ishte një nga më të goditurit e përmbytjeve të muajit janar 2026, ku qindra shtëpi e mijëra hektarë ishin nën pushtetin e ujit për disa ditë, teksa autoritetet vendore ia hodhën “fajin natyrës”. Paaftësia menaxheriale e situatës, aq më tepër e përsëritur sa herë që bie një shi i dendur, ka sjellë që banorët e disa lagjeve, si ish-Këneta, Spitalla, Shkozeti, apo edhe brenda në qytetin e Durrësit, të preken nga përmbytjet.
Pamjet e banorëve që lëvizin me gomone, varka apo edhe mjete të tjera ujore, në mes të qytetit as i kanë bërë përshtypje drejtuesve të Bashkisë së Durrësit, të cilët në një vend demokratik, përballë kësaj situate, duhet të ishin dorëhequr. Madje, të ishin marrë të pandehur dhe, dëmet që iu shkaktuan banorëve, t’i paguanin jo nga fondet e buxhetit të shtetit, por nga xhepi i tyre.
Për më tepër që po këta drejtues kanë investuar dhjetëra miliona euro nga taksat e banorëve për të ndërtuar hidrovore, kanale apo për të blerje mjete të rënda. Uji që pushtoi Durrësin nxori në pah edhe keqpërdorimin e fondeve për të ndërtuar rrugët në atë qytet, teksa asfalti vetëm disa centimetra në lagjen Nr.8, apo edhe në zonën e Currilave, e mori uji.
Por, çfarë po bën Bashkia e Durrësit për të parandaluar katastrofa të shkaktuara nga paaftësia e tyre? Në vend që të gjithë punonjësit, mjetet të viheshin në punë për të rregulluar këto problematika, Ndërmarrja Rruga në Bashkinë e Durrësit, sipas dokumenteve që disponon VoxNews, ka hapur një tender për “blerje dekori”. Shprehja e famshme popullore duket se zë vend, por me disa ndryshime; “Fshati digjet, Bashkia e Durrësit krihet”.
Si mund të bësh një tender të tillë, në këtë situatë ku ende nuk janë evidentuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, apo mijëra qytetarë s’kanë strehë mbi kokë? Kaq shumë i intereson dekori e propaganda Emiriana Sakos? Ku do t’a vendosë këtë dekor, në afërsi të Pallatit të Sportit, në mes të Durrësit, ku një qytetar bënte kanoe gjatë përmbytjeve?
Duket një situatë absurde dhe t’a mendosh që Durrësi është qyteti i dytë më i rëndësishëm pas Tiranës. Ndërmarrja Rruga në Durrës do të shpenzojë plot 12,500,000 lekë, pra më shumë se 125 mijë euro. Tashmë do të shohim kryetaren Sako, zëvendësit e saj, apo edhe ministrja që do t’i shkojnë për vizita në festa të ndryshme dhe pas tyre do të jetë dekori i turpit.
Shqiptarët harrojnë shpejt, ndoshta se kanë qenë të ndrydhur për shumë kohë, aq sa mentaliteti i para viteve ’90 është rrënjosur edhe te brezi i të rinjve. Por, për një familje që ka jetuar ditët nën ujë, aq më tepër të përsëritura, një skenë e tillë nuk harrohet.



