29.5 C
Tirana
E enjte, 12 Shtator, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Historia e dashurisë që krijoi qytetin e Antigonesë!

    Në vitin 295 para Krishtit në këtë rrugë të Antigonesë ecnin njerëz.

    Ishte rruga kryesore e qytetit. Anash janë shtëpitë e aristokratëve, diku më tutje zejtarët, përballë kisha. Tani dëgjohet vetëm zhurma e zogjve dhe shihet një natyrë e jashtëzakonshme, e cila ka qenë kështu edhe në vitin 295 para Krishtit kur Pirro i Epirit krijoi këtë qytet në nder të dashurisë së tij të madhe, gruas së tij të parë. Një qytet që u dogj 150 vjet më pas. Një qytet me pak vite jetë, por gjithçka është aty për ta treguar historinë, qytetërimin, lashtësinë, përkatësinë, identitetin e Pirros së Madh të Epirit, i cili është pjesë e historisë sonë.

    Antigonea është vetëm 14 kilometra nga Gjirokastra, rruga është e shtruar, parku është 44 hektarë që mund ta përshkruash me këmbë dhe të kënaqesh me natyrën. Gjatë një bisede me gszetaren Rudina Xhunga, Engjëll Serjani, gazetar dhe ish-drejtori i Parkut Arkeologjik të Antigonesë thotë se identifikimi i Antigonesë u bë falë punës së jashtëzakonshme të arkeologut të njohur Dhimosten Budina që zbuloi 14 teserat e votimit që i dhanë emrin qytetit.

    “Antigonea është një qytet antik. Interesante e bën urbanistika që është shumë moderne, qytet me trotuare që sot mungojnë. Urbanistika e qytetit ka pamjen e një kutie shahu. Në Antigone janë tri kisha paleokristiane, të fillimeve të Krishtërimit. Për një turist është shumë interesante. E dyta që e bën interesante është historia e krijimit të Antigonesë. Është një histori dashurie. Pirroja i Epirit që bëri këtë qytet kaq të bukur i vuri emrin e dashurisë së tij të parë. Të dyja këto elemente janë shume interesante, për çdo vizitor nga çdo cep i botës.

    Emri i qytetit u zbulua nga 14 tesera votimi. Sepse këtu gjërat funksionin me demokraci të drejtpërdrejtë. Bëheshin edhe dy referendume në ditë, për të bërë një kanal, rrugë. Këto teserat e votimit ishin objekte të përhershme në duart e banorëve me anë të të cilave ata votonin. Në ato tesera votimi shkruhej Antigoneon, pra që e kishin të drejtën vetëm antigonasit, banorët e këtij qyteti për të votuar në këto referendume. Këto 14 tesera u zbuluan nga arkeologu i madh Dhimosten Budina dhe përmes tij u identifikua qyteti. Nuk dihej deri atëherë që ekzistonte një qytet me emrin Antigone.”, thotë zoti Serjani.

    Antigonea ka nevojë për muzeume thotë gazetari, për të vendosur gjithë ato objekte të shenjta që janë gjetur në Antigone, nga rrota e qerres, guri i peshës, etalonët, mulliri që bluanin drithëra dhe të tjera objekte artistike që u gjetën pas shumë shekujsh.

    “Do të ishte e jashtëzakonshme nëse do kishte muzeume këtu në Antigone. Janë gjetur shumë objekte të çmuara arkeologjike që flasin për identitetin tonë.”, thotë zoti Serjani. Ka ardhur koha që këto vende të hapen më shumë për turistët, për ne që kërkojmë identitet, kudo ku jemi dhe vijmë në Gjirokastër, është Antigonea që na thërret.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit