9.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Shkurt, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Holta Zaçaj kandidon për Bankën e Shqipërisë, ISP ngre dyshime për konflikt interesi

    Ish kryetarja e Gjykatës Kushtetuese zonja Holta Zaçaj po kandidon për një prej vendeve për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ajo e mbaroi mandatin kushtetues në fundin e muajit nëntor 2025, pra vetëm tre muaj më parë.

    Posti i ri është post i lartë publik, lidhet me një institucion buxhetor, kërkon procedurë me seancë dëgjimore (komisioni parlamentar), miratimin politik nga mazhoranca dhe votë politike në parlament.

    Bazuar në databazën e GJK, si gjyqtare zonja Zaçaj edhe gjatë vitit 2025 ka shqyrtuar raste të vendimmarrëse me palë Kuvendin e Shqipërisë, deputetë të veçantë apo Banka e Shqipërisë. Vendimet e saj janë konsideruar të pavarura, profesionale dhe në pozitat e individit me rol kushtetues, larg interesave politike dhe personale.

    Megjithatë, fakti se brenda një periudhe kaq të shkurtër kohore ajo kërkon votën politike të mazhorancës dhe Kuvendit, synon një post në një institucion që ka qenë palë në procesin gjyqësor, si dhe kërkon edhe votën e deputetëve që kanë qenë nominalisht objekt gjykimi në GJK për hetim ose papajtueshmëri mandati, e bën problematike kalimin e saj në Këshillin Mbikëqyrës të BSH dhe lejon të ngrihen shqetësime e dyshime të arsyeshme mbi një rast hipotetik edhe konflikti interesi.

    Në vendet e BE ka vende me legjislacion kufizues për raste të tilla, siç ka vende që pa pasur kufizime të shprehura ligjore aplikojnë standarde morale dhe integriteti të zyrtarit të lartë, por në tërësi, praktika e vendeve të BE dhe disa opinione të Komisionit të Venecias promovojnë evitimin e praktikave të tilla kur një gjyqtar kushtetues në përfundim të mandatit përmes votës politike kërkon një post me natyrë ekzekutive.

    Literatura dhe dokumentet referuese të tilla flasin për konflikt interes retrospektiv dhe risk të lartë të reputacionit dhe potencial real kontestimi publik. Praktika të tilla, sipas KV, me të drejtë krijojnë dyshime të arsyeshme dhe kanë ndikim negativ për besimin te paanshmëria e gjykatës kushtetuese, te ndarja e pushteteve dhe tek integritetin e funksionit gjyqësor.

    Në rastin konkret, edhe nëse supozohet se zyrtarja Zaçaj ka respektuar të gjitha standardet ligjore dhe të integritetit lidhur me zyrtarët e lartë dhe se nuk ka krijuar dyshime midis vendimmarrjes së saj në GJK dhe objektivit pasues për votë parlamentare për një post të ri publik, Kuvendi duhej të kishte ushtruar verifikime të thelluara nëse kemi të bëjmë me praktikë korrekte apo praktikë abuzime dhe konflikt të mundshëm interesi, si dhe nëse vendimmarrjet me subjekt edhe Kuvendin mund të kenë lidhje me interesin për shkëmbim të votës me mbështetjen politike.

    Integriteti i zyrtarëve të lartë dhe institucioneve është kriter thelbësor për mirëqeverisje, politikë të pastër, parandalim të konfliktit të interesit, respektim të transparencës dhe llogaridhënies, si dhe politikë e zyrtarë të pastër.

    Me mbështetjen e NED, ISP është duke monitoruar emërimet/zgjedhjen e zyrtarëve të lartë dhe pjesë e këtij procesi është edhe monitorimi i procesit të ri periodik të zgjedhjes së anëtarëve në KM të Bankës së Shqipërisë, rolit të Kuvendit në këtë proces, cilësisë së kandidatëve, sjelljes së kandidatëve dhe subjekteve politike dhe vendimmarrjes institucionale.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit