Valbona Mhilli ka treguar dje linjen e jetës në Big Brother VIP. Ajo ka ndarë me publikun dhimbjen e humbjes së të atit në aksidentin tragjik në Rrogozhinë, një moment që i ndryshoi rrënjësisht jetën.
Valbona foli me lot në sy për përpjekjet e saj për të kuptuar dhe mbështetur nënën pas humbjes tragjike të babait, dhe për mënyrën se si ajo e ka pasur gjithmonë mbështetjen më të madhe nga ai.
“Kam lindur në Pukë. Ka qenë një ditë dimri, mami udhëtoi me kal, kishte kushte shumë të vështira për të arritur në spital. Kemi pasur një fëmijëri të bukur. Në 1994, kemi ardhur në Tiranë. 2 vite më vonë, babai fillon punë në Policinë Ushtarake dhe përgjegjësia për të na rritur ne, i ra mamit. Kur nisa punë në radio, shokët e shoqet më thoshin s’je e aftë, vetëm babai më mbështeste. Shumë vite më vonë, më vjen një ftesë për gazetare terreni.Ishte plotësim i ëndrrës sime, forca ime ishte babi, ishte aty kur kisha nevojë për fortësinë e tij, komisari i jetës sime, më dha çdo gjë që kishte. Në 2019, babai im shkarkohet nga puna, ndryshoi totalisht, mundohesha t’i thosha duhet të punosh. Në 2021, tha dua të rikthehem në punë. Dha provimet, fitoi, ishte emocioni më i bukur. E emërojnë në burgun e Rrogozhinës. Mori uniformën dhe rikthehet në shtëpi, ishte dita më e bukur për të, qerasi të gjithë lagjen.
Niset në orët e para të mëngjesit të datës 6 mars. Në 6 të mëngjesit në shtëpi dëgjoj një ulërimë nga mami. Çohem dhe dal jashtë. Thotë babi ka bërë aksident. Nisem drejt Durrësit dhe lutesha ta gjeja gjallë, gjatë rrugës futem në një lokal dhe në ekranet televizive ishte që humb jetën efektivi. Gjithmonë kam dashur të lexoj arritjet e tij, por lexova si ai humbi jetën për profesionin. Ndihesha e humbur. Aty humbi dhe familja jonë.
Jeta jonë ndryshoi shumë kur babi iku. U detyrova të ngrihesha dhe të merrja situatën në dorë, nga një familje e madhe, ngela vetëm me mamin. E kisha shumë të vështirë të bëja një bisedë, sepse të gjitha bisedat i bëja me babin. Nuk dija t’i qëndroja pranë mamit. Aty kuptova që po humbisja edhe mamin. Nuk kam ditur ta dua mamin. Të lutem, më fal për të gjitha. Dua shumë të di nëse ajo i ka marrë ilaçet, me kë rri sepse ka frikë të rrijë vetëm. Të dua mam”, tregoi ajo mes lotësh.