Bloggerët, influencerët, marketuesit dhe dyqanet online tashmë do të duhet të jenë të identifikueshëm për administratën tatimore, me qëllim shlyerjen e detyrimeve tatimore.
Eksperti Avni Tobli shpjegon mënyrën se si do të bëhet identifikimi i subjekteve.
“Të gjitha subjektet që ushtrojnë marketing online do të pajisen me një numër identifikimi të personit tatueshëm. Përveç NIPT-it, në faqen e tyre është detyrim ligjor të shfaqin një adresë të saktë, adresë poste elektronike dhe numër telefoni”, tha eksperti.
Eksperti tregon gjithashtu mënyrën që do të ndiqet për të kontrolluar aktivitetin ekonomik online.
“Arkëtimet e tyre janë në llogaritë e tyre bankare dhe nga aty do të nisë vlerësimi nëse këto subjekte ushtrojnë aktivitete që gjenerojnë të ardhura”, shpjegon ai.
Krahas detyrimeve, këto subjekte kanë edhe përfitime.
“E para, profilizohen si profesion i lirë në tregun e sotëm, dhe përmes regjistrimit si subjekte do të kenë të ardhura të legalizuara dhe të ligjshme, si dhe do të mund të raportojnë shpenzimet e tyre”, tha eksperti.
Në lidhje me përfitimet dhe detyrimet e subjekteve që bashkëpunojnë me kompani të huaja, eksperti shpjegon se “vendi ku gjenerohen të ardhurat përcakton edhe ku do ngarkohet me barrë fiskale ky subjekt”.
Njësoj siç veprohet me subjektet e tipologjive të tjera, edhe për subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre online, Ligji 79/2025 parashikon sanksione që variojnë nga gjobë deri te bllokimi i numrave të llogarisë apo i aseteve të biznesit.



