19.5 C
Tirana
E enjte, 22 Maj, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Jorida Tabaku nuk është heroinë

    Nga Bedri Islami

    Në ditët e fundit, pas publikimit të votave preferenciale dhe qartësimit se, kandidatja më e votuar në qarkun e Tiranës ishte Jorida Tabaku, për të dhe rreth saj, si asnjëherë më parë, shpërthyen gjithëfarë hamendjesh, që nga më të pabesuarat, se votat e saj, rreth 20 mijë prej tyre, ia kishte grumbulluar shefi i qeverisë, Edi Rama, e deri tek absurdi tjetër, se ajo  përmes votës, ishte, as më pak e as më shumë , simbol i qëndresës ndaj autokracisë së Sali Berishës, që, duke mos respektuar primaret e zhvilluara me dëshirën e tij, ku ajo kishte qenë në fitueset, e kishte vënë në listat e hapura të qarkut të Tiranës.Më saktë, në një zonë ku lehtësisht mund të humbiste.

    Zërat kundër saj, brenda opozitës nuk u shuan, edhe pasi shefi  i tyre, në një intervistë tv bëri sikur e mori në mbrojtje, duke cilësuar se ajo, zonja Tabaku, kishte bërë një fushatë të mirë, dhe, gjithnjë sipas tij, ishte shpërblyer për këtë. Pasuesi i saj me më shumë vota, mjeku Ilir Alimehmeti, që nuk do të jetë deputet, mori ofertën për të kandiduar në garën e ardhshme për kryetar bashkie në Tiranë. Larja e duarve është gjithnjë një traditë e të plotfuqishmëve, edhe sikur të jetë i pari i fshatit.

    Mes dy të thënave, njerës, asaj të përkrahjes nga shumica për të qenë në më të votuarat në krahun opozitar, nuk ia vlen as të merresh me të. Një shënim i gazetarit Habjon Hasani i ka thënë të gjitha dhe vetëm budallenjtë ose kamikazët e opozitës mund të jenë kaq idiotë sa të mendojnë se është e besuar dhe kështu ka ndodhur. Duket si një tezë e deleguar nga brenda. Edhe teza tjetër, ajo që synon me çdo kusht ta bëjë atë një qëndrestare ndaj vijës politike dhe dëshirave të zotit Berisha, është po ashtu një farsë politike, që pak , ose aspak ka të bëjë me të vërtetën.

    Në opozitën e sotme, të jesh opozitar i mirë do të thotë të ç – opozitohesh.

    Pse Zonja Tabaku mori më shumë vota se të tjerët?

    Ka të vërtetë se qëndrimi ndaj saj ishte edhe qëndrim reaksion ndaj asaj që përcaktoi shefi i opozitës, por , kjo është vetëm një grimasë. Të votosh opozitën dhe të jesh kundër shefit të opozitës, kjo është një nga gjërat që kanë lidhje me absurdin dhe absurdi nuk ka arsye. Ata që deshën rotacionin, pra kthimin e Berishës në pushtet, por edhe Tabakun si deputete, nuk janë në kundërshtim me njëri tjetrin.

    Atëherë përse ajo mori kaq shumë vota në qarkun e Tiranës?

    Le ta lëmë mënjanë “ heroizmin” apo disidencën” e zonjës Tabaku brenda forcës së saj politike!

    Në listën e kandidatëve për deputetë ajo ishte vendosur në numrin e tridhjetëepestë, nga tridhjetëeshtatë gjithsejt. Si një nga më të pa rëndësishmet. Qëndrimi i partisë ndaj saj ishte thuajse i njëjtë me të gjithë ata që ishin shquar në primare : të vendosen në fund.

    Sidoqoftë ajo është një emër i njohur i opozitës. Më shumë për qëndrimin e barazlargur nga sherret, por edhe nga opurtunizmi brenda ngjarjeve që vitet e fundit e kanë shkalmmuar atë forcë politike. Ajo, si të thuash, nuk ishte as përkrahëse e hapur e grupit Basha, as ithtare e flaktë e grupit Berisha. Me të parin qëndroi deri sa e kuptoi se anija e tij po mbytej. Me të dytin u bashkua kur e kuptoi se anija e tij po lundronte. Me pak fjalë ajo bëri të njëjtën gjë që kishin bërë edhe si partiakët e saj pak kohë më parë, si Bardhi, Gjekmarkaj, etj. Këtu nuk ka asgjë heroike, veç një pragmatizmi që vihet re kaq shpesh në partitë politike shqiptare, e , më shumë se kudo tjetër, pikërisht në opozitën e tanishme. Të gjithë të rebeluarit janë kthyer si djemtë plangprishës. Të gjithë ata që e kanë gjuajtur me gurë, janë kthyer e kanë mbledhur gurët, duke thënë se kanë qenë veçse guriçka. Akuzat më të mëdha për korrupsion, helm, ndarje e vrasje, Berishës i kanë ardhur nga brenda, se sa nga kundërshtarët e tij politikë. Prej tyre do i vijnë edhe në ardhmen. Jo larg, ai nuk do të jetë më lideri i pakontenstueshëm për përsëri “ babai i Zenit”!

    Tabaku nuk ishte e akuzave, ashtu si nuk ishte e nuk është e përkrahjes së ndonjë grupi të veçantë. E ndodhur në mes, me bagazhin e një familje të njohur dhe si njeri i shkencave ekonomike ajo, më shumë se gjithçka tjetër është kujdesur të ruajë paanësinë e saj, se sa të dëshmohet si një luftëtare. Aq më shumë, si një kundërshtare e rrymës Berisha, e , në të njëjtën kohë, as si kundërshtare e rrymës Basha. Kur Basha ishte në majë të fikut, ajo priste kokrrat poshtë; tani që Berisha po shkund fiqtë, ajo është përsëri nën hijen e tij. Kaq.

    Në listën e kandidatëve për deputetë të PD-së në qarkun e Tiranës pak emra ishin të zgjedhur si duhet. Shumica ishin qoka. Marrëveshje politike. Falangë e ardhshme. Tabaku dhe Alimehmeti nuk janë falangë, këtë duhet pranuar. Alimehmeti ka stofin e një njeriu me idetë e tij. Tabaku do të dëshironte të rebelohej, po të mundte. Ajo ishte në ato që ngritën dorën kur Berisha përjashtohej nga grupi parlamentar, por një derë e la hapur.

    Shumica e atyre që ishin në listën e opozitës ishin të panjohur, disa edhe si të shkalluar në deklaratat e tyre.  Mes Ilir Alimehmetit dhe Asllan Dogjanit ishte më se e natyrshme që njerëzit të besonin të parin. Kujtesa e shkurtër e shqiptarëve nuk e ka harruar se Dogjani jo shumë larg ishte deputet i socialistëve. Emra të tjerë si Doda, Gecaj, Gjorgji, Kariqi, Kuka nuk u thonin asgjë votuesve.

    Mes Adriana Kalasë dhe Jorida Tabakut ishte e natyrshme që njerëzit të votonin për të dytën. E para është në vendin e duhur kur çirret e kërcënon, e dyta është në vendin e duhur në sallën e parlamentit, e mënçur, por jo me mantelin e luftëtares.

    Mos duhet të votonin njerëzit Idrizin, që , edhe ashtu e kishte siguruar një vend në listën e mbyllur, të votonin lir Metën, kur e gjithë partia e tij, me gjithë shtysën që i dha Berisha, nuk i kalon tetë mijë vota. Sali Shehun, që tani nuk ka as parti, Ilda Zhulalin, memorja e njerëzve kujton ish ministrin – baba që braktisi ushtrinë në çastin më kritik të saj, Roshin, kushëriri i të cilit sapo kishte bërë “ divorc” me të majtën…

    Mos e kërkoni heroiken aty ku nuk është.  Ajo, Tabaku, është aty ku duhet të jetë – në parlament, si Doktore e Shkencave në ekonomi, pasi është diplomuar shkëlqyer në fakultetin Ekonomik të Tiranës dhe me studimet pasuniversitare në Angli dhe SHBA.

    Mos kërkoni luftëtaren tek ajo. Mos e merrni në qafë! Njeriu që është shefi i saj mund edhe mos ta kishte vendosur fare në listë, pasi ai ka një kujtesë të mrekullueshme dhe nuk i harron kurë ato që kanë ndodhur.

    Niçe shkruante dikur se, “ Kur një parti vëren se dikush, deri atëherë partizan, nga ndjekës i pakushtëzuar është shndërruar në ndjekës të kushtëzuar, e toleron aq pak saqë përpiqet me çdo lloj provokimesh dhe poshtërimesh ta shtyjë drejt një largimi të pashmangshëm…”.

    Zonja Tabaku është në vendin e saj. Jo si heroinë, por si një njeri që mendon. Edhe kaq nuk është pak!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit