Nga Asim Bedalli
Në fjalorin enciklopedik fjala “Kameleon” shpjegonn natyrën e një zvarraniku, i cili jeton në vendet e ngrohta, për t’ju përshtatur ambjentit, si një mënyrë për të mbijetuar. Për këte arsye fjala kameleon është kthyer si një figurë për të identifikuar të gjithë ata që i ndërrojnë bindjet e qëndrimet e tyre sipas interesave të ngushta personale, si një mënyrë për të mbijetuar në politikë.
Kuptimi i saj pexhorativ bëhet edhe më i fortë për faktin që në gjuhën tonë ka kuptimin e nje njeriu pa personalitet e integritet moral.
Për fat të keq në vendin tonë fonomeni ka marrë përmasa të tilla sa mund ta quajmë me plot gojën kameleonizëm politik. Natyrisht, ai nuk është fenomen vetëm shqiptar, por tek ne ka marrë përmasa të frikshme. Ai është bërë mjet mbijetese për një pjesë të klasës sonë politike.
Në të dy krahët e politikës shohim deputetë e figura që kalojnë sa në një formacion politik, në tjetrin. Gjithmonë në forcën fituese të zgjedhjeve, si pelivanë të kapërcimit të ylberit politik. Eshtë kthyer në proverbial qëndrimi i njërit prej kryetarëve të partive të vogla, që si likenat ju ngjiten partive të mëdha, i cili në vitin 1997 ju bashkua koalicionit të PS dhe u bë për tetë vjet rrjesht ministër i qeverisë socialiste dhe më pas, me fitoren e PD, kaloi menjëherë në koalicionin e Berishës dhe qëndroi edhe tete vjet të tjera në të njejtin post ministror në qeverinë e tij
Ky kameleonizëm shprehet në mënyrën më të neveritshme në artikullin e dy diteve me pare të Agron Gjekmarkaj-t, botuar në gazetën TEMA, me titullin bombastik: “Një reflektim i shkurtër mbi pasojat e zgjedhjeve, krizën e demokracisë dhe figurën e Berishës”.
Le të qëndrojmë në pjesën e fundit të titullit të shkrimit të tij, në “figurën e Berishës”. Nuk do ndalem të analizoj vlerësimet e rreme që i vishen në këte shkrim Berishës dhe “kontributeve” të tija në zhvillimet demokratike të vendit tonë, sepse për to kam folur gjerësisht në artikullin “Mitet e Rreme”. Në këte shkrim do sjell në vëmendjen e lexuesit vlerësimet e vetë zotit Gjekmarkaj, jo më shumë se dy vjet më parë, për figurën e Sali Berishës.
Ja si shkruante Agron Gjekmarkaj për te në gazetën TEMA në 22 janar 2022 me titull “Gjeneral Non Gratta dhe koherenca e tij” (shihni nuancën me të cilën e përkufizon Berishën midis shumë politikanëve të tjerë të shpallur non gratta në Ballkanin Perendimor e më gjerë- e quan gjeneralin e tyre):
“Unë s’kam ndërmend të kem frikë e as ti hap rrugë e as të bëj siç do ai. Në çdo rast do të veproj sipas bindjes time personale e cila mes Lindjes dhe Perendimit zgjedh të dytën, mes Sali Berishës non gratta dhe Lulzim Bashës të mbështetur nga amerikanët përsëri zgjedh të dytin. Në zgjedhjen finale, do të mbështes çdo person që botën demokratike perendimore mbështet – përballë dikujt që na fton në konflikt me to për interesat e veta të ngushta”.
Dhe më tej, në të njejtin shkrim:
“Kushdo që rrjeshtohet krah tij, na meriton çdo vlerësim hyjnor, nuk ka rëndësi në është hajdut, figurë komike apo pijanec ordiner, mjafton që i rri në krah. Me Gërdecin njësoj ka ndodhur. Kush i doli në krah në ate gjëmë bëri prokopi e karierë edhe pse kaqol”.
Kurse në shkrimin së fundmi Gjekmarkaj deklaron:
“E vetmja akuzë që mund t’i behet Berishës është se nuk e çoi Shqipërinë drejt përplasjes me hunj e sfurqe. Ai e urren dhunën…”
Ky është kulmi i sharlatanizmit politik. Është për të ardhur keq që një intelektual, profesor në Universitetin e Tiranës, bie kaq poshtë. Populli shqiptar e ka të freskët në memorjen e tij kolektive dhunën e pushtetit të Berishës gjatë qeverisjen së tij të parë. Si mund të harrojmë dhunën e ushtruar në vitin e mbrapshtë 1997 kundër popullit shqiptar që ishte ngritur në revoltë kundër pushtetit te tij.
Për të mbrojtur pushtetin e tij Sali Berisha nuk hezitoi për asnjë çast të përgjakte popullin e tij, duke përdorur forcat e policisë, Shikun e Gazidedes e forcat paramilitare të PD, madje edhe ushtrinë, përfshirë tanket e avionët për të bombarduar qytetarët e vendit të tij.
Kështu veproi edhe në opozitë. Një vit pas humbjes së pushtetit , në shtatorin e vitit 1998, ai bëri grushtin e shtetit, per të marrë me dhunë pushtetin që e humbi në zgjedhjet e lira të vitit 1997. Edhe pasi erdhi në pushtet për herë të dytë, ai e gjakosi përsëri popullin shqiptar për interest e pushtetit e të familjes së tij: në Gërdec dhe përpara kryeministrisë, ku vrau katër demonstrues të pafajshëm.
Kështu po vepron edhe sot në opozitë, duke bërë thirje për mosbindje civile, për revolucion…. Janë të freskëta për të gjithë ne që jetojmë në Shqipëri demostratat e dhunshme te Partisë Demokratike kundër institucioneve të shtetit e rendit publik. Ato u zhvilluan edhe pak ditë përpara se të zhvilloheshin zgjedhjet e 11 majit.
Kur ta besojmë Agron Gjekmarkaj-n? Para dy ditësh, kur deklaronte për Berishën se “Ai e urren dhunën”, apo dy vjet më parë kur sulmin e tij ndaj selisë së PD e quante “një kasaphanë…kur Gjeneral Non Gratta drejtonte turmën drejt gjakderdhjes në PD ” .
Ai është po ai edhe sot, por ju “nuk e shihni” se tani keni aderuar në forcën e tij politike, madje jeni pjesë e udhëheqjes së saj dhe me sa duket, aspironi edhe më shumë. Është një fatkeqësi kombëtare që filozofia e tij e dhunës është kthyer në mjetin kryesor të luftës politike të Partisë Demokratike.
Ajo ju ka transformuar edhe ju zoti Agron, dikur një intelektual që në daljet tuaja të para publike si analist binit në sy për kulturën, tonet e qeta në debatet e zhvilluara në panelet mediatike, që sot deklaron se “… e vetmja akuzë që mund t’i bëhet Berishës është se nuk e çoi Shqipërinë drejt përplasjes”.
Ju vjen keq që nuk e bëri këte?! Të jesh i sigurtë se do të donte shumë ta bënte, shumë! Po të mundej. Por populli ia ka treguar disa herë vendin. Sot i keni mbetur krah vetëm ju dhe disa si ju në PD, që e keni zhvendosur dhunën edhe në Parlament.