Nga Fatos Tarifa
Pavarësia e Shqipërisë dhe krijimi i një shteti kombëtar sovran shqiptar ishin motivi dhe qëllimi më i lartë që i bashkuan mendjet më të iluminuara të kombit tonë në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Ishin një aradhë burrash dhe djemsh të arsimuar (ndër ta edhe ndonjë grua), shumica intelektualë që jetonin larg vendit të tyre, në vende nga ku lirisht mund të shprehnin pikëpamjet e tyre dhe të botonin gazetat dhe librat e tyre.
Ndër më të shquarit prej tyre ishin Asdreni, Gurakuqi, Çajupi, Konica, Mjeda, Josif Bagëri, Mati Logoreci, Jani Vruho, Sotir Peci, Nikollë Ivanaj, Kristo Dako, vëllezërit dhe motrat Qiriazi, Dervish Hima e të tjerë. Ndër ta, bashkë me Hil Mosin, Fan Noli ishte më i riu.
I gjithë ky brez i fundit i rilindësve shqiptarë u lind në periudhën midis mbarimit të viteve 1860 dhe fillimit të viteve 1880 dhe filloi të afirmohet në lëvizjen politike dhe atë mendore të shoqërisë shqiptare kur Rilindja po ndahej me dhimbje nga themeluesit dhe ideologët më të shquar të saj, ose kur i kishte humbuar ata—Pashko Vasën dhe Abdylin në të njëtin vit, më 1892, Kristoforidhin më 1895, Naimin dhe Vreton më 1900, De Radën më 1903, Samiun më 1904.
Ata që erdhën pas tyre mund të mos kishin meritat e të parëve, të atyre që e mbollën farën e vetëdijes kombëtare dhe të dëshirës popullore për liri. Por ata kishin meritën se farës së mbjellë, edhe pse në kushte shumë të vështira—dhe një pjesë e mirë larg atdheut—i bënë shërbimet e duhura që ajo të rritej e tu sillte shqiptarëve lirinë e kërkuar dhe pavarësinë e tyre si shtet dhe si komb.
Ndër ata partiotë, që i shërbyen kombit tonë në atë periudhë, një ndër më të shquarit ishte, pa asnjë dyshim, Fan Noli. Noli ishte jo vetëm shumë aktiv, por edhe më i dituri prej tyre. Ai, në mos një gjeni i kulturës sonë kombëtare, ishte—dhe mbetet—njëri ndër njerëzit më të ditur të këtij kombi; unë do të thoja, madje, më i dituri ndër të gjithë.
* * *
Në vitet 1900-1912, në mendimin politik e shoqëror shqiptar vendin e një letërsie të mirëfilltë politike në formën e manifesteve, siç kishin qenë më parë Qarkorja (1846) e Veqilharxhit, Apologjia (1878) e Jani Vretos, E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët (1879) e Pashko Vasës apo Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet (1899) e Sami Frashërit, e zunë një numër i madh gazetash dhe revistash—rreth 80 tituj—që filluan të dilnin jashtë vendit dhe, pas vitit 1908, disa edhe brenda vendit. Këto ishin të vetmet mjete përmes të cilave mund të artikulohej e të diseminohej mendimi politik e shoqëror shqiptar në atë kohë, edhe pse në një popullsi të varfër, të fragmentarizuar dhe, në pjesën dërrmuese të saj, të paarsimuar.
Gazetat dhe botime të tjera të asaj periudhe, rezultat i përpjekjeve të një brezi të ri rilindësisht në shërbim të adheut, janë një pasuri kulturore kolosale që ata i kanë lënë kombit tonë. Kjo pasuri duhet mbrojtur e ruajtur me çdo kusht. Ato, veç të tjerash, përbëjnë një kapitull shumë interesant në historinë e mendimit politik shqiptar.
* * *
Përveçse në Itali, në Austri, në Greqi, në Egjipt, në Rumani e në Bullgari, në fund të shekullit të 19-të, por sidomos në dhjetvjeçarin e parë të shekullit të 20-të, një diasporë e re shqiptare u krijua në Shtetet e Bashkuara. Numri më i madh i shqiptarëve që u vendosën në Amerikë në atë kohë ishin nga krahinat e Shqipërisë së Jugut—kryesisht nga Korça e Kolonja, por edhe nga Përmeti e Gjirokastra.
Ata, siç shkruante në atë kohë gazeta Kombi, që Sotir Peci filloi të botonte në Boston në vitin 1906, në një artikull të saj titulluar “Ç’janë ata që vjnë në Amerikë?”, ishin “90 për qind njerëz punëtorë…që nuk i ushqente dot vendi…njerëz që rripeshim së punuari në mërgime të tjera për një copë bukë, njerëz të plugut, të shatës e të çekanit, djem që punonim për 300 grosh në mot…bujqër që shkallmoheshim së lëruari dhe së korruri gjithë motin për të zotërit e arave dhe për dovletin” (Kombi, 16 shkurt 1907).
Shumë shpejt, lëvizja atdhetare për çlirimin kombëtar dhe mendimi politik më progresist që i parapriu, e shoqëroi dhe e udhëhoqi atë, u përhap përtej kolonive shqiptare në Ballkan e në Mesdhe. Ajo lëvizje u shtri e u zgjerua edhe përtej Atlantikut.
Natyrisht, nuk ishin emigrantët shqiptarë në Itali, në Ballkan apo në Shtetet e Bashkuara ata që, siç pretendon ndonjë autor i huaj, i dhanë kësaj lëvizjeje nga jashtë “impulsin më të fortë”. Lëvizja patriotike në diasporën shqiptare ishte pjesë e pandarë e lëvizjes kombëtare që zhvillohej në atdhe dhe, përgjithësisht, e orientuar nga i njëjti program i Rilindjes Kombëtare. Siç shkruante më 1907 Hil Mosi në gazetën Shpnesa e Shcypenis që botonte Nikollë Ivanaj, “fara e mbjellur prej diplomatit shqiptar Sami Frashëri në librin e tij Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet nuk rrin vdekur, por gjithnjë përhapet në zemrat e shqiptarëve të rinj” (Shpnesa e Shcypenis, 26.VI.1907).
Edhe pse shoqëritë patriotike në kolonitë e mërgimit luajtën një rol të rëndësishëm në dobi të—dhe për avancimin e—çështjes kombëtare shqiptare, veprimtaria e tyre, sidomos ajo e kolonisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara, nuk mund të ishte veçse një prapavijë—një prapavijë moralisht dhe materialisht e fuqishme—veçanërisht duke sensibilizuar opinion publik europian dhe atë amerikan dhe duke e bërë të njohur çështjen shqiptare.
* * *
Më 1899, Sami Frashëri e kishte kuptuar fare mirë—dhe ua kishte bërë të qartë shqiptarëve—se Perandoria Osmane as mund të rronte më tej, as dinte të rronte dhe as do duhej të rronte më gjatë (Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhetë, Tiranë, 1962, f. 61.) Ajo i ngjante një të sëmuri rëndë, që pritej me sot a nesër të jepte shpirt. Që fundi i asaj perandorie të mos bëhej edhe fundi i Shqipërisë, shqiptarët, sipas tij, duhej të përgatiteshin e të ishin gati të ndaheshin prej saj një orë e më parë, duke krijuar shtetin e tyre të pavarur. Samiu besonte se fati i shqiptarëve ishte në duart e tyre.
Këto ide gjetën një rezonancë të thellë në mendimin politik shqiptar më të përparur të kohës, që autonominë e Shqipërisë nën Perandorinë Osmane nuk e shihnte më as si mundësinë e vetme, as si mundësinë më të mirë. Më 1906, nga Shtetet e Bashkuara, Fan Noli shkruante: “Nuk lipset të presim me duar kryq të na çlirojnë ata [shtetet e huaj]. Kemi mjaft fuqi neve vetë sa ta heqim nga qafa zgjedhën e turqve” (Kombi, 15 korrik 1906).
Përmes gazetës Kombi, Noli u jepte bashkatdhetarëve të vet këtë këshillë: “Duhet të dimë se po të rrimë në këtë gjumë, po të presim të na vijë prej perëndie dhe po të mos përpiqemi vetë, do ta humbasim atë të mirë, të cilën gjyshërit tanë prej mijëra vjetësh dhe me shumë luftra e mundime na e lanë trashëgim, kombësinë tonë. Që të humbasë a të dëgjohet emri shqiptar, është në dorën tonë” (Kombi, 30 qershor 1906).
Gazeta Kombi, një ndër organet më të rëndësishëm të shtypit patriotik në dekadën që i parapriu pavarësisë së Shqipërisë dhe në të cilën Noli botoi disa nga artikujt e tij më luftarakë, argumentonte në atë kohë se lirinë “nuk duhet të na e dhurojnë, por duhet ta fitojmë vetë, që të quhemi të zotët edhe ta mbajmë”, sepse vetëm kështu nuk do u japim “shkak të huajve të përzihen në punët tona” (Kombi, 28 shkurt 2008).
* * *
Në fillim të dekadës së parë të shekullit të 20-të dhe, sidomos në gjysmën e dytë të asaj dekade, ideja e pavarësisë së plotë nga Perandoria Osmane po bëhej gradualisht sunduese në mendimin politik shqiptar. Shprehëset më elokuente të kësaj ideje u bënë në atë kohë gazetat Drita e Shahin Kolonjës, Shpnesa e Shcypenis e Nikollë Ivanajt, Albanija dhe më vonë Rrufeja e Jani Vruhos, Shqypeja e Shqypnis e Josif Bagërit dhe, sidomos, Kombi i Sotir Pecit në Boston. Qysh më 1902, Albanija e Vruhos shkruante se shqiptarëve s’u mbetej të bënin gjë tjetër veçse të ndaheshin nga Turqia se koha më nuk priste, në mos do të vdisnin bashkë me të (Albanija, 29 tetor 1902).
Në korrik të vitit 1908, fill pas fitores së xhonturqve, gazeta Kombi, nga përtej Atlantikut e shprehte idenë e krijimit të një shteti të pavarur shqiptar me këtë fjalë: “Dëshira dhe mejtimi i çdo shqiptari duhet të jetë vetqeverimi dhe shpallja e një kushtetute kombëtare, e një shteti shqiptar; atje duhet të drejtohen të gjitha veprimet tona” (Kombi, 31 korrik 1908).
Një kusht dhe një faktor i rëndësishëm për arritjen e pavarësisë së vendit ishte bashkimi i shqiptarëve pa dallim feje, bindjesh apo krahine, në frymën e porosisë së Pashko Vasës. “Çarja dhe shumëmendja”, shkruante në atë kohë gazeta Kombi, “janë më i madhi shkak i gjendjes së sotme të Shqipërisë”, prandaj, që të arrijmë qëllimet tona të guximshme e të fitojmë lirinë kombëtare, “duhet t’i lemë mënjanë kapriçot filodoksine, interesat e veçanta dhe fanatizmin” (Kombi, 15 korrik 1906). Të mos përmendim më “fjalët gegë, toskë, çamër, labër”, bënte thirrje Dervish Hima në Kongresin e Dytë të Manastirit [në mars 1910], “por vetëm [fjalën] shqiptar, se të gjithë shqiptarë jemi, të gjithë një gjak e një gjuhë kemi, të gjithë një atdhe dhe një qëllim të lartë kemi, i cili është përparimi i kombit shqiptar” (gazeta Bashkim’i Kombit, 25 mars 1910).
* * *
Dasitë fetare ishin njëri prej faktorëve që e pengonte bashkimin kombëtar të shqiptarëve dhe çlirimin e tyre nga sundimi osman. “Fetë nuk na lënë të bashkohemi e të çlirohemi”, shkruante Noli më 1908 në gazetën Drita të Shahin Kolonjës, “se asnjë s’mund ta mohojë se fetë në Shqipëri janë vegla politike” (Drita, mars 1908).
“Mos i përfillni fare mallkimet e priftërisë”, u bënte thirrje shqiptarëve të veriut gazeta Kombi, “punoni me ne toskët, se edhe ne mallkimet e priftërisë ua kemi dhënë gomerëve t’i hanë. Zgjatni dorën dhe bashkojeni me dorën tonë për shpëtimin e atdheut” (Kombi, 25 tetor 1907). Kjo gazetë shkruante se kishte ardhur koha që “muhamedanë e të krishterë, si vëllezër të një nëne”, të tregonin se “përpara kombësisë dhe lirisë nuk kanë vend feja, intrigat dhe propaganda e armiqve” tanë (Kombi, 6 shtator 1906).
Po në këtë frymë iluministe, që ishte fryma më e përparuar e kohës, Fan Noli argumetonte se “njeriu mund të ketë cilëndo fe që e ka gjetur prej stërgjyshërve dhe që i pelqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër kombësi dhe të luftojë të tijën pa vënë në ballë një vulë të madhe prej tradhëtari” (Kombi, 27 mars 1908).
Për mendimin politik e shoqëror të rilindasve tanë, që u ushye në shkollën e Iluminizmit francez, nuk ishin të huaja idetë antiklerikaliste të Volterit, të Didëroit e të Rusoit. Këto ide dhe vetë Francën e shekullit të 18-të shumë nga rilindësit tanë i shihnin si një shembull të qëndrimit që duhej mbajtur edhe ndaj feve dhe klerit në Shqipërinë e kohës së tyre. “Ti hedhim poshtë fetë”, shkruante jo kushdo, por vetë Fan Noli në vitin 1908 në gazetën Kombi, “dhe të lëçitim për Perëndi, Muhamet, Krisht, Papë dhe Patrik Shqipërinë. Ashtu bënë edhe francezët me kryengritjen e tyre të madhe” (ibid.). “Franca”, thuhej në një artikull tjetër të asaj gazete, “u vuri zjarrin priftërisë kur pa dhe e provoi se ata ishin shushunjat e kombit francez” (Kombi, 25 tetor 1907).
Edhe më me guxim shprehej Josif Bagëri, kur shkruante: “Poshtë klerikalizmi dhe fanatizmi! Të rronj mejtimi i lirë dhe shëndriteja! Të rronj përlindja e kombit shqiptar!” (Shqypeja e Shqypnis, 22 vjesht’e II-të 1909).
* * *
Veç feve dhe fanatizmit, bashkimin kombëtar dhe përparimin e kombit shqiptar e pengonin edhe grindjet e mosmarëveshjet për gjuhën shqipe dhe alfabetin e saj. Deri në njësimin e tij, çështja e alfabetit të shqipes ishte bërë një “mollë sherri” që i shqetësonte patriotët shqiptarë dhe Noli—përsëri Noli—me shumë shqetësim e dhimbje, por edhe me sarkazëm, shkruante, në vitin 1906: “Shahemi njëri me tjetrin cila abece është më e mirë, e mbaruar dhe më e lehtë. Shahemi në lipset t’i themi vendit tonë atdhe ose mëmëdhe, shahemi në lipset ta quajmë punën tonë kombëtare ose kombiare” (Kombi, 29 gusht 1906).
Dhe, në stilin e gjuhës së Shekspirit, të cilin, më vonë ai do e përkthente mjeshtërisht për brezat e shqiptarëve të ardhshëm, Noli do të thoshte: “Gjer kur kjo marrëzi do të na verbojë? Kur do të mbarohet kjo luftë për fjalë dhe për letra?” (ibid.).
Si një ndër mendjet më të ndritura të kohës dhe si një atdhetar i madh, përmes gazetës Kombi, nga përtej oqeanit, Noli do u bënte këtë thirrje bashkëkombësve të vet: “Vërini poshtë interesat, grindjet dhe egoizmat e veçanta dhe përmbi gërmadhat e këtyre gjarpërinjve ngrini statujën e hijshme të egoizmit të përgjithshëm të kombit” (Kombi, 11 gusht 1906).
* * *
Këto fjalë janë shkruar 116 vite më parë, në dekadën e parë të shekullit të 20-të. Këto fjalë i drejtoheshin një populli që ishte ende nën sundimin Osman, që nuk kishte ende shtetin e vet kombëtar të pavarur dhe as një alfabet të njësuar të gjuhës së vet. Por, sa aktuale tingëllojnë këto fjalë të Nolit edhe sot, kur kemi hyrë në dekadën e tretë të shekullit të 21-të!
“Egoizmi i përgjithshëm i kombit”, për të cilin fliste Noli dhe për të cilin ai punoi në kaq shumë fronte—si poet, si historian, si shkrimtar, si bishop, si përkthyes, si diplomat dhe si një politikan demokrat—për gjashtë dekada me radhë, sot do të duhej të ishin një Shqipëri më e zhvilluar dhe një imazh shumë më i mirë i vendit dhe i popullit tonë mes vendeve më të përparuar.
Në 110 vite të jetës sonë të pavarur si shtet, ne s’kemi mundur dot deri më sot t’i ngrëmë “egoizmit të përgjithshëm të kombit” tonë atë “statujë të hijshme”, bazamentin e së cilës u përpoqën ta venë Noli dhe ajo aradhë rilindësish të shquar që jetuan e punuan bashkë me të për të ardhmen e Shqipërisë.
Madje, ne duket se e kemi harruar Nolin tonë në Forest Hill, në Boston. Ndërsa eshtrat e Faik Konicës u morën nga ajo varrezë për t’u sjellë, në vitin 1995, në Shqipëri, ku sot prehen në kodrat e Liqenit të Tiranës, eshtrat e Fan Nolit, patriotit të shquar dhe shqiptarit më të ditur të të gjitha kohëve, kanë mbetur përtej Atlantikut, ndërkohë që këtij njeriu të madh nuk i është ngritur as edhe një monument në Shqipëri.
Po, veç një busti të vogël, që nuk i bën nder dinjitetit të tij, Noli nuk ka një statujë në këtë vend, që është vendi i tij. Noli meriton një monument madhështor në kryeqytetin tonë, si një kujtesë e përhershme e rolit të diturisë dhe atdhedashurisë në përparimin e kombit—për ne që jetojmë sot dhe për brezat e shqiptarëve që do të vijnë.
Fan Noli mbetet i madh, sepse ai ishte dhe është i vërtetë. Dhe që ishte e mbetet i vërtetë, këtë e ka provuar koha. A nuk thoshte Francis Bacon se e vërteta është pjellë e kohës?