Dihet që humori ndryshon në varësi të stinëve të vitit, ditëve të javës, apo situatave që kalojmë në përditshmëri. E hëna e tretë e janarit konsiderohet si dita më depresive e vitit, ndërsa të gjitha të hënat karakterizohen nga një atmosferë melankolike. Nga ana tjetër, të shtunat janë plot gëzim dhe optimizëm, ashtu si edhe të premtet, pasi shkëputemi nga puna gjatë fundjavës.
Në të njëjtën kohë, për Pashkë mund të ndihemi më optimistë, ndërsa për Krishtlindje mund të ndihemi më melankolikë. Sidoqoftë, në një mënyrë ose në një tjetër ne kemi përcaktuar se si na bëjnë të ndihemi ditë të caktuara gjatë gjithë vitit.
Por çfarë ndodh me orët e ditës? A është e mundur që brenda një periudhe 24-orëshe të ndihemi më të lumtur në momente të caktuara dhe më të trishtuar në momente të tjera?
Për të vlerësuar lidhjen e kohës/orës së ditës me depresionin, ankthin, mirëqenien dhe vetminë, shkencëtarët nga University “College London” kryen një analizë të përditshme të shëndetit mendor dhe mirëqenies. Gjetjet u botuan në “BMJ Mental Health”, dhe studiuesit vunë në dukje:
“Gjendja e humorit tonë ndryshon gjatë stinëve, ditëve të javës dhe madje edhe gjatë gjithë ditës – çdo ditë. Edhe pse shëndeti mendor dhe mirëqenia në përgjithësi ndryshojnë gjithashtu gjatë muajve dhe javëve.”
Hulumtimi analizoi të dhëna nga 49,218 të rritur që morën pjesë në një studim që mblodhi të dhëna të detajuara dhe të përsëritura nga të njëjtët pjesëmarrës me kalimin e kohës për një periudhë 2-vjeçare, nga marsi 2020 deri në mars 2022.
Pjesëmarrësit iu përgjigjën pyetjeve të tilla si: “Javën e kaluar, sa të lumtur u ndjetë? Sa i kënaqur ishe me jetën tënde?”, dhe “Në ç’masë mendonit se gjërat që bëni në jetën tuaj ia vlejnë?”.
Faktorë të tillë si mosha, gjendja shëndetësore dhe nëse individët ishin të punësuar u morën në konsideratë.
Rezultatet treguan se lumturia dhe kënaqësia ishin të gjitha më të larta të hënave dhe të premteve krahasuar me të dielat. Shëndeti mendor ishte më i mirë gjatë verës në të gjitha rezultatet.
Ndryshimi i humorit gjatë 24 orëve
Ndryshimet në shëndetin mendor dhe mirëqenien gjatë gjithë ditës mund të shpjegohen nga ndryshimet që lidhen me orën biologjike, vunë në dukje studiuesit.
“Për shembull, kortizoli [hormoni që rregullon humorin, motivimin] arrin kulmin menjëherë pas zgjimit dhe arrin nivelet më të ulëta rreth kohës së gjumit”, thanë ata.
Megjithatë, studiuest shtuan se ndryshimet midis ditëve të javës dhe fundjavave mund të jenë për shkak të gjërave të tilla si sekuenca e aktiviteteve të përditshme, të cilat ka të ngjarë të jenë të ndryshme në fillim dhe në fund të javës.
Shkurtimisht, ndonëse zgjohemi nga alarmi, sërish në mëngjes jemi me humor shumë më të mirë se sa në mbrëmje, kohë kur shtrihemi për të fjetur. Kjo e fundit mund të ndodhë për shkak të lodhjes dhe ngarkesës së ditës, ndërsa në mëngjes “karikohemi’ dhe jemi shumë më energjikë dhe të lumtur për një ditë të re.