Letërsia, politika, gjeopolitika dhe Shqipëria në kontekste te reja globale ishin dritëhijet që u diskutuan me shkrimtarin Ben Blushi në takimin e radhës që ofron tetori i librit.
Në Piramidën e Tiranës, një vend që dikur u konceptua si muzeu që do t’i dedikohej diktatorit është diskutuar edhe “Komploti” i Ben Blushit.
Me siguri, vite më parë kjo ngjarje as nuk mund të mendohej. Një diskutim mbi Europën, gjeopolitikën e letërsinë pa kufij, por mes komploteve të një bote perëndimore që lëngon edhe në konflikte ushtarake. Po në sytë e një shkrimtari që ka qenë pjesë e politikës, a është Europa sot shpëtim për ne?
Ben Blushi, shkrimtar: “Është i vetmi shpëtim. Varka e Europës lëkundet, lufta në Ukrainë mund të ishte shmangur nëse Europa do ishte më e fortë. Njerëz si Miterrani mund ta kishin shmangur. Kishin influencë mbi SHBA dhe Rusi.
Europa e vuan më shumë luftën, edhe luftën në Siri, Afganistan. Emigrantët të vijnë në Europë. Europa duhej të gjente paqen. Mirëkuptimi duhet të ishte. Europës nuk i ka ardhur e keqe e madhe nga Rusia, e çliroi Europa.
Sigurisht me flamur komunist pushtuan ideologjikisht Europën. Mendoj që sa herë kemi qenë jashtë Europe kemi rënë në komunizëm ose errësirë osmane. S’patëm fat se vuajtëm komunizmin e pushtimin turk më shumë se të tjerët”.
Në “Komplotin” e Ben Blushit emigrimi, zbrazja e vendit, ardhja e sirianëve, një fiksion që për disa është në hapat e parë të një skenari që po përjeton vendi, autori vetë nuk e ka frikën e zhbërjes.
Konfliktet në Ukrainë e Palestinë nuk mbetën të paprekura në këtë bisedë të autorit me lexuesin, një bisedë që zgjati përtej parashikimeve.