10.5 C
Tirana
E premte, 9 Maj, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Letër Argitës

    Nga Viktor Malaj

    “Diku ne gabuam… Në cilën pikë të rrugëtimit tonë kemi gabuar, pra që jemi sot në këtë gjendje?”- Argita Malltezi

    E nderuar Zonjë!

    Megjithëse kam pasur, dhe ende e kam, bindjen e palëkundur se babai juaj është një bandit politik, besoj se ju, personalisht, përfaqësoni një qytetare dinjitoze e të respektuar të vendit tim.

    Megjithatë, kur dëgjova fjalën tuaj në Kuvendin Kombëtar të PD-së u binda se edhe ju jeni prekur, madje shumë keq, nga e njëjta sëmundje që kanë vuajtur tash njëqind vjet të gjithë pasardhësit biologjikë të sundimtarëve të Shqipërisë, domethënë nga paaftësia dhe, kryesisht, mosdashja për t’i parë, pranuar e ndrequr gabimet e fajet tek vetja dhe mungesa e pafalshme e brerjes së ndërgjegjes për dëmet e shkaktuar të tjerëve dhe shoqërisë në përgjithësi nëpërmjet qeverisjes së paraardhësve apo bashkëkohësve bilogjikë e politikë.

    Po të flisnit thjesht si vajza apo bashkëshortja e një politikani, deri diku edhe mund t’ju mirëkuptoja, megjithëse do këshilloja heshtjen, por kur flet si “pjesë aktive e PD-së”, siç pohuat, punët ndryshojnë dhe llogaritë bëhen me të vërtetën dhe jo me ndjenjat apo dëshirat.

    Po të isha në vendin tuaj, nuk do të guxoja të evokoj Lëvizjen e Dhjetorit ’90 dhe “përmbysjen e diktaturës”, jo vetëm pse ajo ka qenë thjesht një artific i dobishëm politik për të justifikuar dhe bërë të pranueshëm ndryshimin e sistemit politik përballë pjesës konservatore apo mosbesuese (skeptike) të nomenklaturës komuniste, por, mbi të gjitha, për shkak se revolta më e gjerë dhe më e ashpër kundër-regjim në historinë e shtetit shqiptar ka qenë ajo ndaj sundimit anadollak të babait dhe partisë tuaj në vitin 1997, regjim që shtypi anglez e pati etiketuar si “regjim i gangsterëve”.

    Megjithëse thoni se “diku ne gabuam” dhe pyesni (një Zot e di se kujt i drejtoheni) se “në cilën pikë të rrugëtimit tonë kemi gabuar?”, ju askund nuk përmendni gabime, pa lëre më faje të qeverisjeve tuaja, por zgjidhni rrugën historikisht të gabuar të projektoni vetëm një të keqe të madhe që duhet luftuar, shembur e çrrënjosur, sigurisht kundërshtarin politik.

    Njerëzit e mençur, vetanalizues dhe vetëndreqës i përmbahen këshillës së lashtë greke “Njih veten!”, dhe nuk përsërisin gabimin shekullor që shigjeton fjala e urtë shqipe “Traun para vetes nuk e sheh, ndërsa qimen para tjetrit e bën tra”.

    Unë nuk prisja që ju të rrëmbenit shpatën vrasëse ndaj babait tuaj biologjik e politik, por shpresoja që ju do të tundnit një thupër fshikulluese, sado të brishtë, kundër kupolës drejtuese partiake që ka gabuar e bërë faje, madje dhe krime jo në një, por në shumë pika të rrugëtimit politik.

    Ju nuk shikoni dhe as pohoni asgjë të keqe tek rrugëtimi i gjatë politik i partisë tuaj, në pushtet dhe opozitë, por i atribuoni asaj, për të dytën herë, misionin hyjnor politik të “çrrënjosjes së të keqes” dhe “kthimit të shpresës”. A thua, vërtetë i besoni ato që thoni?!

    Ju pohoni se “Çrrënjosja e së keqes (nënkupto qeverisjen e sotme, -V.M.) do të jetë ndoshta arritja e dytë e brezave që dikur arritën të rrëzojnë diktaturën… Grevën e urisë për heqjen e shtatores së Hoxhës e bëmë si provë force kundër regjimit. Unë kam besim se PD ka në radhët e saj, si 30 vjet më parë, idealistë për t’u ngritur dhe për të bërë ndryshimin”.

    Më lejoni t’ju them zonjë se, në kundërshtim me përrallat politike të treguara pa pushim për 33 vjet, sistemi politik diktatorial i para 1990 nuk u rrëzua nga 4-5 mijë bij të vet që u mblodhën në shesh me duar në xhepa duke kërkuar, me të drejtë, përmirësime ekonomike dhe pastaj politike, por u zvetënua, kalb dhe sëmur pa shërim kryesisht nga kontributi gradual i 150 mijë anëtarëve të partisë drejtuese ku bënte pjesë me përkushtim të rremë e djallëzor edhe babai juaj.

    Forca e njerëzve të së ardhmes nuk provohet kundër të sëmurëve që ndodhen në reanimacion dhe kërkojnë eutanazinë, por provohet në mposhtjen e veseve dhe të këqijave tek vetja e shoqëria dhe në vendosmërinë për mos përsëritjen e gabimeve e fajeve historike.

    Sa iu përket “idealistëve në radhët e PD-së si 30 vjet më parë”, kjo mbetet një reklamë vetëmashtruese pasi numri i idealistëve ka qenë dhe është fare i papërfillshëm. Po të kishte pasur idealistë mjaftueshëm nuk do të kishin ndodhur ato që kanë ndodhur me partinë tuaj dhe me Shqipërinë, dhe sot këta idealistë do të vazhdonin të dominonin forumet partiake dhe sjelljet e politikat e saj.

    Idealistët zakonisht nuk bëhen milionerë, veçanërisht në një vend ku një shumicë e madhe familjesh mezi sigurojnë bukën e fëmijëve për të nesërmen. Shembulli më domethënës është babai juaj i cili, me sjelljet e veta mbi tridhjetë vjeçare, i ka përgënjeshtruar të gjitha pretendimet teorike morale e politike të fillimviteve ’90.

    Një ish-Ministër i Jashtëm mendjelehtë pohoi para pak ditësh se “Sali Berisha është simboli i opozitarizmit”. Kjo është e vërtetë, por vetëm gjysma e së vërtetës. Siç mund ta dini shumë mirë, ka opozitarizëm idealesh, idesh e alternativash, por ka edhe opozitarizëm thjesht poltronësh.

    Kundër ujkut lufton edhe bariu, por me ujkun përleshet edhe çakalli. I pari synon mbrojtjen e tufës së deleve, ndërsa i dyti kërkon rrëmbimin e presë për vete. Ky është edhe rasti i babait tuaj Sali Berisha, prandaj është cinike të pyesësh “ku gabuam” (domethënë ne, veta e parë shumës) dhe pastaj të shtjellosh vetëm gabimet e fajet e “së keqes përballë që duhet çrrënjosur” (domethënë ata, veta e tretë shumës).

    Qëndresa e autorëve të së keqes së djeshme kundër së keqes së sotme nuk është as e sinqertë, as idealiste dhe as demokratike, pasi është thjesht reaksion dhe përpjekje për të ndërruar rolet.

    Ju thatë se “Ajo që nuk mund të pranoja (në vitet ’90) dhe që më bënte absolutisht të vendosur për të qëndruar ishte mohimi i lirive politike, e drejta e fjalës, e mendimit ndryshe… ne donim të jetonim si njerëz të lirë e dinjitozë”, dhe pasi shfaqni pakënaqësinë tuaj me gjendjen e sotme, pyesni: Çfarë ndodhi?

    A thua vërtetë nuk e dini se çfarë ndodhi?! Ndodhi ajo që ndodh gjithmonë kur në skenat politike të popujve dalin hipokritët, demagogët dhe njerëzit e etur për pushtet e pasuri. Në vend të individualizimit të fajeve të së kaluarës dhe dënimit të sinqertë të autorëve të tyre, u përgjithësuan fajet dhe u shpallën përgjegjës en group të gjithë kundërshtarët politikë, ose u shpall me hipokrizi teza “të gjithë bashkëvuajtës, të gjithë bashkëfajtorë”, duke i mundësuar pushtetit (babait tuaj) etiketimin si kriminel apo mëkatar të cilitdo që nuk pajtohej me sjelljen e tij.

    Në vend të kthimit të pronës tek i zoti, dominoi epidemia e zaptimit të pronave dhe legalizimi i grabitjeve të tyre si mjete të shtimit të votave, duke sakrifikuar shtetin dhe të drejtën për hir të pushtetit, gjë që, në përmasa më të vogla, vazhdon edhe sot. Në vend të planeve urbanistike, lulëzuan getot e kjoskave dhe ndërtimet pa leje.

    Në vend të ruajtjes, transformimit dhe rivënies në punë, mbi baza private të industrisë, u realizua shkatërrimi i çdo gjëje të ndërtuar nga populli shqiptar dhe puna e ndershme u zëvendësua me bixhozin dhe firmat piramidale.

    Në vitet ’90, në Shqipëri u rrahën, gjymtuan dhe burgosën gazetarë, u dogj një redaksi gazete dhe drejtuesi i shtetit shqiptar u shpall “armik i lirisë së shtypit”, domethënë i fjalës së lirë.

    Madje, Kryetari i të Keqes së Sotme, që ju shpallni përditë, ka qenë atëherë viktimë e dhunës ndaj fjalës së lirë. A ju kujtohet ju zonjë kush e qeveriste vendin dhe kush ishte kryetar i shtetit në atë kohë, dhe cili ka qenë qëndrimi juaj dhe i “idealistëve” të tjerë të Dhjetorit ’90 kundrejt atyre ngjarjeve dhe autorëve të tyre?! Në Shqipëri, në vitin 1994 u dhunua procesi zgjedhor në Libofshë të Fierit dhe u rrahën deputetët e opozitës, ndërsa votimet e përgjithshme të 26 majit 1996 u shpallën botërisht si të dhunuara, ndërkohë që dhjetëra deputetë opozitarë u rrahën e gjakosën në Sheshin Skënderbej në 28 maj gjatë protestave paqësore kundër asaj që kishte ndodhur.

    Më besoni zonjë se ata që urdhëruan dhe drejtuan dhunimin e procesit zgjedhor dhe pastaj gjakosjen e deputetëve opozitarë në rrethanat historike e politike, kombëtare e ndërkombëtare të vitit 1996, po të ndodheshin në rrethanat e vitit 1946 do t’i kishin ekzekutuar ata deputetë pa mëshirë. A mendoni se sjellje dhe qëndrime të tilla të një pushteti demokratik të ardhshëm kanë qenë pjesë e vetëdijes tuaj demokratike dhe të pranueshme nga idealet tuaja të Dhjetorit ’90?!

    Ju e dini se në një sistem politik pluralist pushteti fitohet paqësisht në kutitë e votimit dhe jo duke përdorur “kutitë e varrimit” dhe dhunën e armatosur ndaj institucioneve shtetërore siç ndodhi në 14 shtator 1998 në Tiranë. Nuk e di si e keni përjetuar atë ditë dhe sa jeni pajtuar me ato sjellje mesjetare politike ju dhe “idealistët” e tjerë të Dhjetorit 1990.

    Gjithashtu, do të isha kureshtar të di se, si i çmon dhe sa pajtohet “ideali” juaj demokratik dhe kombëtar me përpjekjet e sundimtarëve politikë të marsit 1997 për të yshtur, organizuar dhe realizuar një konflikt të armatosur veri-jug në shërbim të mbajtjes së pushtetit me dhunë. Besoj se kujtesa juaj nuk ju tradhton lidhur me autorët e këtyre akteve dhe vendin që ata do të zënë në histori.

    Me të drejtë, ju pohoni se “donit të jetonit si njerëz dinjitozë”.  Nuk e di si jeni ndjerë dhe çfarë qëndrimi keni mbajtur kur drejtuesi i shtetit shqiptar, domethënë babai juaj biologjik dhe politik, fyente publikisht gratë shqiptare, politikane, prokurore apo pjesë e familjeve të kundërshtarëve politikë, duke i etiketuar si “bushtra, lavire bulevardi, prostituta” etj. etj. Në dhjetor 1990, e dëshironit dinjitetin vetëm për vete apo për gjithë shoqërinë shqiptare?! Idealistët e vërtetë nuk përdorin kriteret e përkatësisë familjare, fisnore, krahinore, fetare, politike apo etnike për të përcaktuar çfarë është e drejtë, e moralshme dhe dinjitoze dhe çfarë nuk është.

    Idealisti gjykon sjelljen e veprimin, pavarësisht kush është bartësi i tyre, dhe spektri i tij i mbrojtjes është e gjithë shoqëria.

    Ju keni gjithë mirëkuptimin tim kur flisni si vajza e një babai nën hetim për korrupsion dhe si bashkëshortja e dikujt që qëndroi dy javë në qeli, por do të doja të mendonit sadopak për gratë, vajzat dhe motrat e atyre që bënë shumë vite burg gjatë sundimeve të qeverisjeve tuaja dhe në zbatim të urdhrave të babait tuaj dhe, veçanërisht, të mendoni me humanizëm dhe idealizëm për bashkëshortet, motrat dhe fëmijët e atyre që regjimi juaj ekzekutoi me duar në xhepa në mes të kryeqytetit.

    Unë pajtohem me ju kur pohoni se qeverisja aktuale është e korruptuar dhe kam bindjen se kjo nuk është qeverisja e duhur për shqiptarët, por jam po kaq i bindur se as ju nuk jeni alternativa e duhur e këtij pushteti. Kur denonconi korrupsionin e sotëm, shqiptarëve iu kujtohen bëmat e pushteteve tuaj të kaluar.

    Nuk e di nëse ndërgjegjja dhe “ideali” juaj i vitit 1990 e parashikonte dhe pranonte faktin që kryetari i një shtet të ardhshëm demokratik do të burgoste për korrupsion kryetarin e opozitës, që më vonë u shpall “i dënuar politik” nga institucionet ndërkombëtare. Disa vite më pas, nga pozitat e Kryeministrit i njëjti shtetar i lartë do t’i siguronte mbrojtje juridike dhe morale, nëpërmjet vizitave publike demonstrative familjare zëvendësit të tij të kapur me zë e figurë duke planifikuar zhvatjen e buxhetit të shtetit. Nuk keni si të mos e dini se në të dy rastet protagonist ka qenë Sali Berisha.

    Kur ju flisni për drogën dhe kanabizimin e vendit, shqiptarët sjellin ndërmend Kartelin e Drogës së Lazaratit gjatë qeverisjes tuaj. Kur përmendni blerjen e votave nga pushteti aktual, atyre iu fanepset mbrojtja donkishoteske që i bëni një të akuzuari për blerje votash në Himarë. Kur babai juaj flet sot për “grusht shteti” nga ata që janë në pushtet, shqiptarëve iu vjen ndërmend 14 shtatori 1998 kur mitralozat, flakëhedhësit dhe tanket përdoreshin nga ata që kërkonin të vinin në pushtet një vit pasi e kishin humbur atë me votë.

    Kur e etiketoni Kryeministrin aktual si tradhtarin apo armikun më të madh të shqiptarëve e të Kosovës, votuesve shqiptarë iu sillni ndërmend kontrabandën e naftës me ish-Jugosllavinë në vitet ’90, me gjithë embargon ndërkombëtare të vendosur për shkak të gjenocidit kundër popujve nën thundrën e saj.

    Njëherësh, iu kujtoni atyre burgosjen e drejtuesve të UÇK-së gjatë qeverisjes tuaj, Marrëveshjen famëkeqe dhe antikushtetuese për Detin me Greqinë që bëtë në vitin 2009 dhe, sidomos, luftën e egër për të bërë kryebashkiak të Himarës një ish-të dënuar ordiner në Shqipëri e Greqi dhe, veçanërisht, një individ si Fredi Beleri, i betuar publikisht për të realizuar helenizimin e Himarës, domethënë, fillimisht, tjetërsimin etnik me “dokumente” dhe pastaj atë territorial të trevava shqiptare.

    Janë këto dhe shumë të tjera “pika të rrugëtimit” tuaj të cilat kanë bërë që partia juaj, nga viti 1992 e këtej të mos mund të fitojë votat e shumicës së shqiptarëve. Dhe nuk ka mendje normale që beson se shkaku ka qenë një Xhorxh Soros në Amerikë apo njëfarë Edi Rame në Shqipëri.

    Po të ishin të vërteta pretendimet tuaja, atëherë do të rezultonte se ju “studentët e Dhjetorit” keni mashtruar veten tuaj dhe ne duke pretenduar se po sillni shtetin demokratik, pasi na ka ardhur shteti oligarkik dhe sistemi politik perëndimor qenka thjesht një surrogat i asaj që pretendon, pasi edhe superfuqinë e botës e komandoka një pasanik vendas dhe e manipuluaka kryeministri i një vendi të vogël të Ballkanit.

    Autorëve dhe regjisorëve të bëmave të lartpërmendura ju iu ngarkoni misionin e “ngritjes edhe një herë, tashmë jo për vete por për fëmijët tanë, për kthimin e shpresës…”. Më ngjan guxim i madh dhe akt i pamatur në sytë e shqiptarëve, po aq sa edhe “detyrë” e pamundur. Me mungesën e plotë të ideve, me një të kaluar të turpshme dhe të kundërshtuar periodikisht nga shqiptarët dhe, veçanërisht, me promovimin në postet e Ministrit të Brendshëm dhe Sekretarit të Përgjithshëm të partisë të gangsterëve periferikë si njëfarë Flamur Noka, që guxon të futet forcërisht në komisariate policie duke dhunuar oficerët e saj, apo duke iu vënë zjarrin pajisjeve të Parlamentit dhe duke etiketuar pastaj si “gangsterë” punonjësit e Gardës që u përpoqën të ndërpresin veprimtarinë e tij kriminale, ju, jo vetëm nuk sillni shpresë, por përjetësoni braktisjen e shumicës së popullit.

    E nderuar Zonjë!

    A nuk mendoni se në Shqipëri dhe në drejtimin e saj kanë dhe duhet të kenë pjesë edhe shqiptarët e tjerë dhe se ka ardhur, madje ka kaluar, koha që familja juaj biologjike e politike t’i lërë rehat shqiptarët, të cilëve iu keni shkaktuar mjaft përçarje, urrejtje, trazime dhe ankthe për 33 vjet?! Për një kohë kaq të gjatë njeriu normal do të bezdisej edhe duke dëgjuar përditë Luçiano Pavarotin duke kënduar arien “Nessun dorma” të Puçinit, e jo më britmat dhe thirrjet e përnatshme të Sali Berishës me një fjalor dhe tingëllimë të huazuar nga repertori i Neandertalëve.

    Me gjithë respektin për ju si qytetare e vendit tim, më duhet të pohoj bindjen time se mendimet dhe qëndrimet tuaja politike nuk premtojnë asgjë të dobishme për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit