Nga Sadiola Xhelili, Vitjon Nina
Partia Demokratike nuk ka kaluar vitet e saj më të lehta në të 2020-at, mes përjashtimeve, rikthimeve, apo përçarjeve të mëdha në fraksione ende të pa ngjitura.
Por kush mendon se i ka parë të gjitha, ndoshta asgjë akoma nuk e ka parë.
Lufta e brendshme në fakt duket se veç sa ka filluar, me nismëtar të qartë doktorin Ilir Alimehmeti, i cili ngjason jo vetëm në profesion me liderin Sali Berisha, por edhe në kryeneçësi.
Berisha, në një diskurs gjysmë të stepur ditë më parë, kërkoi të vinte në rresht demokratët e tij, pa ia ulur as moralin, e as vlerat gjithsecilit. Ai mbështeti një vendim të Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili Alimehmetit dhe të tjerëve, u tha se nuk kishin të drejtë të ankimonin (apo kërkonin) rishqyrtim të rezultateve zgjedhore – partitë politike e kanë të tillë tagër.
Në këtë rrafsh, i cili është i mbështetur ligjërisht, Berisha tha po ashtu se kandidatët e vet të listave të hapura, do t’i mbështeste dhe udhëzonte për hapat e duhur të radhës.
Në fakt, pikërisht këtu duket zanafilla reale e gjithë gjësë.
Albanian Post, sjell një dekonstruktim të asaj çfarë ngjau në kampin demokrat në ditët e fundit, duke yshtur një luftë të brendshme të heshtur, sa të dukshme.
Alimehmeti, si më i zëshmi në kërkim të vërtetimit të pretendimeve të tij për parregullsi, nuk është dorëzuar.
Në një spirale ankimimesh, së fundmi ai ka kërkuar rinumërimin e votave të Tiranës në Kolegjin Zgjedhor. Një lëvizje kjo, që erdhi fill pas rrëzimit të KAS.
Më herët, ai ka ankimuar në KQZ rezultatin për qarkun e Tiranës, duke kërkuar rinumërimin e votave në të gjithë bashkitë që ky qark përfshin.
Me argumentin se rezultati me kandidaten që e prin në listën e hapur Jorida Tabaku është shumë i ngushtë, ai supozon se mund të ketë mundësi për ndryshim të rezultatit me një rinumërim votash.
Njëfarë beteje kjo kokë më kokë me Tabakun ashtu sikurse ishte edhe gjatë gjithë procesit të numërimit ku lufta më e ethshme e mandatit luhej pikërisht mes këtyre dy emrave.
Ata përfunduan në një garë ku vetëm 1.2% e votave ndau fituesin nga humbësi dhe kjo ndryshore ka mjaftuar që Alimehmeti të mos heshtë.
Por pretendime përveç tij janë ngritur edhe nga, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Aulon Kalaja – po ashtu të rrëzuar nga KAS sërish me argumentin se ankimin mund ta bëjë vetëm subjekti politik dhe jo kandidati.
Mbetet për t’u parë se deri ku do të shkojë kjo luftë brenda llojit dhe me çfarë kostosh.