Aktorja Ana Lika ka ndarë një rrëfim të thellë dhe prekës. Pas humbjes së nënës së saj duket se ajo ka kaluar një periudhë të vështirë, ku edhe pse ardhja në jetë e vajzës së saj arriti të ndyshonte pak gjërat, sfidat për Anën vazhduan. E ftuar në emisionin “Mam” të Orinda Hutës, ajo zbuloi për herë të parë se është diagnostikuar me një problem neurologjik, një formë epilepsie.
Përballë kësaj sfide, Ana mori vendimin e dhimbshëm për të ndërprerë gjidhënien, nga frika se gjendja e saj mund ta pengonte të ishte nëna që dëshironte të ishte. Madje, ajo tregoi se i kishte kërkuar edhe partnerit të saj, Bjordin, nëse donte të qëndronte pranë saj, pasi nuk donte të bëhej barrë për askënd.
“Pas humbjes së mamit, më diagnostikohet një problem neurologjik, një formë epilepsie. Kur po bëja ekon e parë të gocës, më kapi një krizë epilepsie e plotë. Kisha frikë të tregoja se isha e sëmurë. E ndërpreva gjidhënien, sepse nuk doja që goca ime të kishte një mama të paaftë, vendosa të mos i jepja gji. Bjordit i thashë: nëse doje të rrije me mua, ishe i lirë, sepse nuk doja t’i bëhesha barrë askujt.”