Një ngjarje e rëndë ka bërë bujë në media, ku një 14-vjeçare nga komuniteti rom është bërë nënë, ndërsa partneri i saj, 21-vjeçari Dritson Kurti, ndodhet në gjyq nën akuzën për marrëdhënie me të mitur.
Ai u arrestua pesë muaj më parë, pasi vajza e cila ishte vetëm 13 vjeç në atë kohë, solli në jetë fëmijën e tyre të parë.
Gjykata e Korçës ka nisur shqyrtimin e çështjes dhe prokuroria ka kërkuar 25 vite burg për Kurtin.
Por sipas avokatit mbrojtës, ai duhet të lirohet për shkak të përgjegjësive familjare dhe prindërore.
Ndërkohë, e mitura ishte e ftuar në Euronews, ku rrëfeu se kishte qenë e vetëdijshme për moshën e partnerit të saj dhe kishte dëshiruar të martohej me të.
Ajo tregoi gjithashtu se martesa në moshë të vogël ishte një traditë familjare, pasi edhe dy motrat e saj ishin martuar kur ishin vetëm 12 vjeçe dhe kishin lindur fëmijët e parë në moshën 13-vjeçare.
“Jemi 6 fëmijë. Unë jam e treta, kam dy motra më të mëdha njëra 19 dhe tjetra 18.
Motra e madhe u martua 12-vjeçe lindi 13, tani ka tre vajza. E dyta edhe ajo u martua 12 vjeçe, 13 vjeçe lindi, tani ka dy djem.
Edhe unë 13 vjeçe e gjysmë linda. U martuam direkt. Kisha dëshirë, se edhe motrat e mia aq janë martuar”, tha 14-vjeçarja.