Nëse keni dalë në takime të panumërta me njerëz që kanë rezultuar të papërshtatshëm për të krijuar një lidhje romantike dhe mendoni se nuk do e gjeni kurrë dashurinë, gaboheni!
Dhe…këtë nuk e themi ne, por Julie Orlov, psikoterapiste dhe autore e librit “Rruga drejt dashurisë: Krijoni intimitet dhe transformoni marrëdhëniet tuaja përmes vetë-zbulimit”.
Pra, siç na siguron ajo, gjithnjë e më shumë njerëz janë beqarë (ose të divorcuar, ndoshta edhe të ve) pas të pesëdhjetave dhe janë në kërkim të dashurisë, sipas statistikave. Në fakt, në moshat më të mëdha, takimet janë më selektive, më me “këmbë në tokë” dhe kanë më shumë gjasa të bëhen fillimi i një lidhjeje të përjetshme, siç na siguron ekspertja.
Në fakt, Orlov sugjeron katër arsye pse takimi pas të pesëdhjetave premton më shumë:
– Kemi mjaft përvoja jetësore për të dalluar të rëndësishmen nga e parëndësishmja. E dimë kush jemi dhe e kuptojmë më lehtë se kë kemi përballë.
– Kemi kuptuar gabimet që kemi bërë në marrëdhëniet e mëparshme. Kjo njohuri na lejon t’i shmangim ato në të ardhmen dhe të ndërtojmë një lidhje më kuptimplote dhe më pak të tensionuar.
– Kemi më shumë liri për të shijuar jetën. Nëse kemi fëmijë, ata ndoshta janë larguar nga shtëpia ose të paktën po jetojnë jetën e tyre. Në këtë moshë, ne kemi mundësinë të shijojmë gëzimet e jetës me më pak stres dhe angazhime, pasi tani e dimë mirë se sa e çmuar është koha.
– Ne jemi më mendjehapur në marrëdhëniet tona të dashurisë. Nuk jemi të shqetësuar për një shtatzëni të mundshme dhe as për imazhin e trupit tonë. Ne e kemi pranuar (me pak fat) veten ashtu siç jemi dhe e duam atë, dashuri e cila reflektohet edhe në takimet që bëjmë.