Kryepeshkopi Anastas Janullatos ka ndërruar jetë në moshën 95 vjeçare pas një beteje të gjatë shëndetësore.
Lajmi u zyrtarizua mëngjesin e sotëm nga Kisha Autoqefale e Shqipërisë e cila një ditë më parë kishte përgënjeshtruar mediat që raportuan vdekjen e kryepeshkopit.
Pas një gjendje gripale, shëndeti i tij u përkeqësua në fillim të Janarit dhe për një trajtim më të specializuar shëndetësor u transportua në Athinë përmes një avioni C-27J të Forcave Ajrore Greke me asistencën e një ekipi të posaçëm mjekësor të Shërbimit Kombëtar të Ndihmës së Shpejtë në shtetin fqinj.
Ndër të tjera Kisha njofton se:
“Fjeti më Zotin Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, ANASTASI.
Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me dhimbje të thellë, njofton fjetjen më Zotin të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit. Kryepiskopi ndërroi jetë sot, 25 Janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në Spitalin “Evangelismos” të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve. Më parë, ishte kuruar për disa ditë në Spitalin “Hygeia” të Tiranës.
Ftojmë besimtarët orthodhoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë.
Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet.
I përjetshëm qoftë Kujtimi i tij!” shkruan Kisha.