Dervishi i Teqesë së Baba Aliut në Alipostivan, Baba Hekuran Nikollari, ka ndërruar jetë papritur.
Lajmi konfirmohet nga burime policore teksa rrethanat e ngjarjes janë ende të paqarta. Pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të zbardhë më shumë mbi shkaqet e vdekjes.
Trupi i pajetë i klerikut bektashi do të transportohet drejt spitalit rajonal të Gjirokastrës për t’ju nënshtruar ekspertizës.
Drejt Përmetit janë nisur edhe përfaqësues të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, për të mbikëqyrur nga afër të gjithë procesin. Ndërkohë Policia e Shtetit pritet të ketë një njoftim për ngjarjen.
Baba Hekuran Nikollari shërbente prej vitesh në teqenë emblemë të bektashizmit në jug të vendit.
Baba Hekurani u lind më 7 shtator të 1963 në Seniçan të Përmetit. Ai kreu shkollën fillore dhe shkollën 8-vjeçare “Riza Velçishti” në Seniçan, më tej filloi shkollën e mesme “Kamber Bënja” në Bënjë.
Pas 2 vitesh, i detyruar nga vështirësitë ekonomike të familjes, e ndërpreu shkollën dhe filloi punën në kooperativën e Mërtinjit, pastaj në Bonifikimin e Përmetit, në Ndërmarrjen e Ujërave Këlcyrë dhe në Shfrytëzim-Përpunimin e Drurit të Përmetit.
Më 1992 emigroi në Greqi. Në vitin 2000 u kthye në atdhe, në Seniçan. Në Seniçan rindërtoi Mekamin në vendin e quajtur “Ahuri i Nakove”, i cili edhe sot quhet “I miri i Nakove”.
Më 22 mars 2001 shkoi në Alipostivan, ku ringriti Teqenë e Baba Aliut, e cila është një nga më të mëdhatë në vend.