Një punonjës pranë zyrës së regjistrimit të pasurive në Shkodër ka paditur institucionin ku punon pasi e diskriminuan dhe i hapën vështirësi për lejen e lindjes.
Beteja e shkodranit bëhet jo vetëm në emër të tij, por edhe të bashkëshortes dhe të fëmijës së vogël që i janë bashkangjitur padisë civile.
I emëruar si specialist në pozicionin e hartografit, shtetasi A.. nisi marrëdhënien e punës sipas një kontrate individuale në tetor 2013 dhe më pas me afat të pacaktuar. Por në vitin 2017 burri lirohet nga puna për arsye të pashpjeguara që më pas futën në luftë institucionet në Tiranë.
Pikërisht me këmbënguljen se ishte diskriminuar për shkak të lejes prindërore që fitoi si baba i ri, ai mësohet se iu drejtua Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
“Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, në përfundim të shqyrtimit të ankesës, me vendimin Nr.56, datë 13.02.2018, ka konstatuar diskriminim të drejtpërdrejt të A., nga ana e punëdhënësit, Zyra Qendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë, për shkak të “përgjegjësisë prindërore” dhe për shkak të “gjinisë””, evidentohet në shkresa.
Gjykata Administrative e këtij qyteti ‘lau duart’,me argumentin se kërkimet e burrit ishin të natyrës civile dhe se nuk ndodhej përpara mosmarrëveshjes administrative. Por edhe civilja nga ana e saj insistoi se nuk ishte ajo përgjegjëse për të gjykuar një çështje të tillë. Në këtë mënyrë dy gjykata në Shkodër nisën luftën se cila prej tyre do ta shqyrtonte mbi kazusin e moskompetencës.
“Në rastin kur paditësi shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor për shkak se organi publik me të cilin nuk ka qenë në marrëdhënie kontraktore/pune, e ka diskriminuar në kuadër të ushtrimit të veprimtarisë publike, kompetente është gjithnjë gjykata administrative, konform nenit 7/b dhe 17/f të Ligjit nr.49/2012’ thotë gjykata civile nga ana e saj.
Gjykata e Lartë që në këtë rast merr rolin e arbitrit kujton se “Konflikti gjyqësor ka lindur për shkak se mes palës paditëse dhe palës së paditur është krijuar raporti i punësimit, gjatë të cilit janë shfaqur sjelljet e pretenduara nga pala paditëse si diskriminuese të cilat pretendohet se kanë sjell për pasojë ndërprerjen e marrëdhënies së punës në mënyrë jonatyrale. Në këto kushte pretendimet e parashtruara nga pala paditëse rrjedhin nga neni 9 i Kodit të Punës dhe ligji nr. 10221, datë 04.02.2012 “Për Mbrojtjen nga Diskriminimi”.
Dhe duke theksuar se sa kohë paditësi u hoq nga puna pasi u bë baba dhe ishte me leje lindjeje, por sidoqoftë marrëdhënia e punës së tij me institucionin në fjalë rregullohet nga Kodi i Punës, këtë çështje duhet ta gjykojë gjykata civile.