Nga Orgen Peci
“Gjermania është një prej vendeve më të korruptuara në këtë moment dhe është ndoshta nga kryesorët që vendos kush duhet të hyjë apo jo. (në BE) Nuk është etike cfarë bën Gjermania dhe mendoj që ka ardhur koha që këto gjëra që kanë të bëjnë për një person të mos jenë faktorë sepse na kanë lodhur me gjëra pa lidhje.” – thotë z.Haxhiu.
Po çfarë thotë Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (Transparency International – 2025/2026) që është matësi më serioz global në këtë fushë?Gjermania renditet vazhdimisht në 10 ose 15 vendet më të pastra në botë (zakonisht me rreth 78-80 pikë nga 100).
Shqipëria renditet rreth vendit të 95-100, duke u lëkundur te 36-37 pikë.
Në çdo rast dallimi kryesor nuk është te ekzistenca e korrupsionit, por te reagimi i shtetit. Një ministër në Gjermani ikën nga detyra vetëm për një plagjiaturë të doktoraturës. Në Shqipëri mund të zhdukësh miliona euro dhe prapë të bësh moral në televizion e të ndryshosh ligjet që të mos japësh llogari.
Për më tepër, raporti i GRECO (Këshilli i Europës) që monitoron standardet kundër korrupsionit e rendit Gjermaninë në vendet ku pavarësia e gjyqësorit është e paprekshme. Në Shqipëri, raportet e GRECO-s flasin për “kapje shteti” dhe korrupsion sistemik në çdo nivel të administratës.
Nëse duhen statistika të tjera: Në Gjermani, zyra e Bundeskriminalamt (BKA) raporton hetime për krime ekonomike, ku përfshihen emra të mëdhenj të korporatave (si rasti i Volkswagen apo Wirecard). Mesazhi? Askush nuk është mbi ligjin.
Në Shqipërinë tonë korrupsioni është mënyrë jetese. Nuk është devijim nga sistemi, është vetë sistemi. Madje kush vendos të bëjë “ekspertin e moralit” global zor se ka kurajo ta kthejë atë pasqyrë nga vetja.

Por nuk është problemi se hidhet baltë mbi Gjermaninë për të na bindur se plehrat tona janë parfum. Kjo është përpjekje edhe për të vrarë shpresën se diku ekziston një shtet që funksionon. Nëse Gjermania do ishte “ashtu siç thotë Batoni”, nuk do ishte motori i Europës ku shqiptarët ikin me vrap çdo ditë. Shqiptarët nuk ikin drejt vendeve të korruptuara, ikin drejt vendeve ku djersa e popullit nuk vidhet.
“Mos kërkoni llogari, sepse bota është e pisët kudo. Kënaquni me hajdutët tanë, se edhe të huajt hajdutë janë”. Ky është mesazhi i sovranistit të papritur B.Haxhiu.
Ky lloj mesazhi është shërbimi më i madh që mund t’i bësh korrupsionit nga dritaret e medias.



