Armand Shkullaku, një nga shërbëtorët më besnikë të Sali Berishës prej vitesh, thotë se nuk duhet të gjykojmë humbësin, por fituesin.
Dhe akuzon pastaj intelektualët, se janë të shitur, jo si ai, që është njeri i lirë dhe nuk paguhet nga Shkëlzeni.
“Marshimi i Edi Ramës nga “fitorja në fitorje”, po shoqërohet, siç ka ndodhur rëndom, me fenomenin e shpifur të dënimit të humbësit dhe shmangien e gjykimit për fituesin. Kjo po vihet re edhe këto ditë me fitoren e paprecedentë të Rilindjes, që në një shoqëri normale do të ngrinte qindra pikëpyetje për mënyrën se si erdhi dhe për rreziqet që mund të sjellë në të ardhmen. Ta përmbledhësh këtë ngjarje brenda lëvozhgës së klishesë: Rama fitoi se opozita nuk ngjalli besim, është në rastin më të mirë dembelizëm intelektual dhe në atë më të keq, rreshtim- shërbim ndaj pushtetit.
Humbësi, në çdo garë, nxjerr dhe merr përgjegjësitë e veta. Në politikë shumë më tepër sepse ato përgjegjësi afektojnë direkt mbarë shoqërinë. Por elitat e një vendi, zërat që nuk ndikohen nga euforia e turmave por nga ftohtësia e arsyes, nuk nxitojnë të kryqëzojnë humbësin përpara se të analizojnë fituesin. Të merresh në këto orë me opozitën duke legjitimuar kësisoj pa kushte një fitore që bie erë, do të thotë asgjë më shumë se sa rreshtim me të fortin duke e gjetur fajin gjithnjë tek më i dobëti. Ky korruptim moral i elitave shqiptare, herë nga frika, herë nga interesi e herë nga mungesa e formimit, veç periudhës së komunizmit është shfaqur me po të njëjtën shije të shpifur edhe pas zgjedhjeve të vitit 1996 apo atyre të 2001-it”, shkruan ai.
Pra sipas Shkullakut, duhet të gjykojmë Ramën që fitoi, jo Berishën që humbi.