14.1 C
Tirana
E premte, 16 Maj, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Perla e ditës – Eduard Halimi: Berishën duhet ta klonojmë. Më gjeni një tjetër si ai, që zgjohet në 5 e fle në 1

    Eduard Halimi thotë se nuk ka asnjë njeri më të mirë se Sali Berisha, për PD-në.

    “Kam pasur fatin ta njoh Sali Berishën shumë më të ri. E mbaj mend kur festoi 60 vjetorin me një ekip të ngushtë në 2004. Unë atëherë sapo kisha mbushur 30. Për më shumë se 20 vite kam qenë me të. Ishte ai që më ftoi t’i bashkohesha dhe ka qenë fat të mësoj nga njeriu që më krijoi një disiplinë në punë, të mos fik telefonin, të përgjigjem 24/7 – por që kurrë nuk arrita të vij as deri te çereku i përkushtimit dhe forcës në punë.

    Kemi fituar dhe kemi humbur beteja me të. Kam dhënë dorëheqje 8 vjet më parë, pa mirëkuptimin e tij, për të hapur rrugë të tjerëve, për të mos u tërhequr zvarrë nga marrëveshjet jo të dobishme në atë kohë në kurriz të drejtësisë, dhe iu riktheva punës që kam pasion dhe ku do të vijoj pjesën tjetër të jetës – por vijova miqësinë me të. Dhe asnjëherë nuk kam harruar të njoh punën, përkushtimin dhe sakrificën që ai ka bërë për këtë parti.

    Më gjeni një tjetër që në moshën 80-vjeçare çohet në 6 të mëngjesit, bën 15 takime në ditë, fle në 1 të natës, ka 30 vjet në punë shtetërore dhe jeton në një apartament modest, dhe do jem i pari që do ta votoj. Kur të ketë një të ri që i afrohet, ta votojmë të gjithë bashkë. Por derisa të ndodhë kjo, derisa mos e largojmë atë që na ka mbajtur në këmbë për 3 dekada këtë familje politike, të ecim përpara. Koha nuk na pret dhe atë nuk e ndalim dot”, shkruan ai.

    “Unë e di që nuk e kemi tani një të ngjashëm si Sali Berisha. Unë nuk kam qenë kurrë servil, as jam, as kam mbajtur pranë servilë. Por kjo është pikëpamja ime. Por filloni dhe krijoni dikë, që të punojë të paktën sa gjysma e tij, të ngrihet në mëngjes në 6 e të flejë në 2 të natës duke menduar për partinë, që mos bëjë kompromis me kundërshtarin, që të vendosë në disiplinë partinë dhe grupin parlamentar; që t’u kërkojë deputetëve të hapin zyra në çdo zonë dhe të raportojnë çdo të premte mbi takimet, jo t’i takojnë vetëm për zgjedhje votuesit; që mos lejojë deputetët të bëjnë kompromise personale dhe të mbajë qëndrime të forta nëse e bëjnë; që të disiplinojë në denoncime dhe përballje me kundërshtarin në TV – të jetë rregull javor dhe kush neglizhon, largohet; se fjalimet në parlament, nëse do të shkojnë, të kenë një narrative dhe kush nuk pranon, t’i lërë vendin tjetrit; se meritokracia nuk ka të bëjë me moshën, por me intelektin; se ambicia nuk varet nga pazaret e vogla; se “xhaketa të vjetra e të reja” është term komunist; se vlera varet nga guximi dhe përkushtimi; se drejtues politik dhe deputet duhet të bëhesh dhe jo të emërohesh; se partia nuk mund të jetë vetëm grupi parlamentar, por një familje e madhe me një oborr të mbushur me ekipe përfaqësuese në godinën e bukur buzë Lanës; se drejtuesi i forumit të mos jetë më shumë se 25 vjeç dhe të punojë 24h për PD, etj., etj.

    Dhe kur të kemi filluar të rregullojmë shtëpinë dhe të identifikojmë dikë që do të jetë i aftë si Sali Berisha, të ngrihet në 5-6 të mëngjesit dhe të flejë në orën 1 të natës duke menduar për Partinë Demokratike, jam gati të vij ta votoj pa mëdyshje në orën 1 të natës”, vijon ai.

    Halimi shkruan se i urrente komunistët, por nga kjo e çliroi pikërisht ai, Sali Berisha.

    “Kur populli nuk voton për ne, ne nuk duhet ta shajmë atë. Unë nuk e urrej popullin, as atë të majtë dhe as atë komunist.

    Unë hyj te ata njerëz të cilët nuk e shajnë popullin! Populli nuk shahet, nuk e ka fajin populli, nuk i vë fajin popullit, nuk e shikoj fajin te publiku, nuk e shoh fajin te tendenca.

    Dikur, kur isha fëmijë, i urreja komunistët. Kur isha rreth 10 vjeç, i urreja për arsye personale. I urreja sepse kishin vrarë në ’44 vëllain e gjyshes, sekretar i përgjithshëm i Ballit, Zalo Vercunin. E vranë dhe e tërhoqën zvarrë në Korçë për t’ia treguar të gjithëve, dhe gjyshja ime qante çdo ditë derisa vdiq. I urreja komunistët sepse, në mënyrë të padrejtë, refuzuan t’i jepnin shkollën e lartë edhe pse kishin mesatare shumë të lartë në shkollën e mesme, vëllait dhe motrës sime. I urreja që vëllai punonte në moshën 19-vjeçare në bujqësi, punë të vështira, pasi kishte këtë biografi të keqe. I urreja komunistët që internuan hallën dhe fëmijët e saj të vegjël në mënyrë tërësisht të padrejtë dhe pa logjikë, vetëm se kunati i saj u arratis për një jetë më të mirë.

    I urreja komunistët sepse, kur isha 14 vjeç, nuk më lejonin të më jepnin gjimnazin, por më kërkonin të shkoja në shkollë profesionale, sa më detyruan të shkoja vetë 14 vjeç, të rrija një javë para komitetit të partisë për t’u kërkuar llogari, pasi ata njerëz komunistë që ishin në fshatin tim nuk ma jepnin mua shkollën, sepse pretendonin që unë do ta laja gjakun e luftës që ishte derdhur atëherë, 40 vjet më parë per shkak të biografise se keqe sipas tyre.  U përpoqa dhe ia arrita në atë kohë, shkova në gjimnaz deri në 1990, dhe nëse nuk do të ishte Sali Berisha që do të rrëzonte komunizmin, nuk e di ku do të isha. Me rrëzimin e komunizmit, më në fund shkova në shkollën e lartë dhe pastaj pjesën tjetër e dini në Wikipedia.

    Po, në atë kohë i kam urryer, por më pas u çlirova. U çlirua tek unë çdo mendje që urreja. Sigurisht, kur isha 18-19 vjeç, kisha shokë të majtë në fakultet, në jetë, dhe ishin njerëz normalë, nga ata që shohim në zgjedhje. E bëra këtë prezantim të gjatë jo vetëm se nuk kam folur më parë për këtë pjesë të jetës, por për të thënë se nuk i urrej më as komunistët dhe as të majtët. Nuk më duan dhe as i dua, por nuk i urrej. Ndaj nuk i urrej ata që nuk na votuan në 2025.

    Harari thotë se pushteti fitohet nga numrat, nuk fitohet me moral, por me kontroll mbi informacionin dhe mekanizmat. Populli nuk është as i verbër, as i paditur. Nuk është dele, as budalla. Ai reagon ndaj asaj që sheh, që ndjen dhe që preket. Kur sheh një opozitë të pafuqishme, një sistem të njëanshëm dhe një pushtet që e sfidon çdo ditë, ai largohet, frikësohet ose mbyllet në vete.

    Nuk ishin psikopatë gjermanët që votuan Hitlerin, as rusët që votuan Stalinin, as shqiptarët që votuan Enverin për 45 vjet. Ata u përballën me një realitet të shtrembëruar nga pushteti. Kjo ndodh edhe sot”, e mbyll Halimi.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit