Mes “Lëvizja Bashkë” dhe “Shqipëria bëhet” nuk ka qetësi. Shkak janë bërë deklaratat e Adriatik Lapajt, i cili në një rezistencë të pazakontë, që prej 8 dhjetorit ndodhet në shesh para kryeministrisë.
Një ndër eksponentët e Lëvizjes Bashkë të Arlind Qorrit, Kristjan Zoto ka komentuar më së fundi akuzat që i ka bërë Lapaj disa prej eksponentëve të Lëvizjes.
Ai i kujton Lapajt se Lëvizja Bashkë, Redi dhe Arlindi nuk u zunë për një mandat, dhe kishin besim të anëtarët e tyre për të mos mbushur listat me teze e daja. Ai duke nënkuptuar të kundërtën për kundërshtarin, thotë se Redi dhe Arlindi nuk ishin sekserë të krimit të organizuar dhe oligarkëve.
“Sikur Redi dhe Arlindi të bridhnin nga krahët e Nik Spahiut tek çadra e Lul Bashës. Sikur në lista, për 1 votë më shumë, të pranohej të futej çdo lloj matrapazi, nga Dash Sula te Endri Shabani. Sikur Redi ose Arlindi të pranonin një post me 85 votat e Edi Ramës. Sikur Lëvizja BASHKË të hynte në koalicion me Sali Berishën për të mbështetur një kandidat për Tiranën. Sikur Arlindi e Redi të kishin shpifur se janë rrahur, thjesht për të hequr vëmendjen nga skandali i Samir Manes me policin. Sikur Redi me Arlindin të mos thoshin të vërtetën për të dal një herë më shumë tek Fevziu a Grida.
Imagjinoi dot çfarë do i kishte thënë Adritik Lapaj për ne?! Ai që sot mori e ricikloj shpifjen e ulët të Endri Shabanit duke sulmuar Albina Rukon dhe Stela Muçin, se janë futur në lista si motrat e Redit dhe Mirelas. Albina dhe Stela në vitin 2015 kur unë u bëra pjesë e Organizatës Politike i kam gjetur aty si dy nga aktivistet më shembullore. Si nuk i vjen pak turp këtij njeriu pa din e pa iman?! Përveçse politikisht një injorant, por edhe moralisht një mashtrues delirant.
Kjo është hera e fundit që shkruaj për këtë, sepse qëndrimi ynë ka qenë i qartë që në fillim dhe koha po na jep të drejtë!”, shkruan Kristjan Zoto në postimin e vet kundër deklaratave të Adriatik Lapajt.



