Nga Çapajev Gjokutaj
Këto ditë numërimi votash, sharjet për popullin u shtuan si kërpudhat pas shiut dhe arritën kështu një nga kulmet historikisht më të larta. I gjeje me shumicë në rrjete sociale, në emisione televizive etj.
Po kulmin e arrinin në mediat online, që symbyllur lejojnë komente anonimësh me sharje pa doganë, duke krijuar kështu gjirize kutërbuese në ligjërimin publik.
Sharja më e butë ishte ‘popull dele’, po nuk munguan edhe ato të kalibrit ekstrem si: popull raja… , popull i sëmurë… , popull ko*e në degë…, popull va*i ka*ët dhe të tjera të këtij lloji.
Arsyeja e këtij lumi sharjesh ishte fitorja e thellë e socialistëve që arritën të marrin 83 mandate. Shumë, kjamet shumë po t’i krahasosh me 74 mandate në 2021.
Pak kush u kujtua të shihte shifrat. Vërtet socialistët morën 9 mandate më shumë sesa në 2021, po vota popullore brenda vendit nuk është rritur, përkundrazi numëron 34 – 35 mijë votues më pak sesa në 2021.
Ngjan absurde që votat pakësohen e mandatet shtohen, po sistemi zgjedhor thotë se nuk ka asgjë të paligjshme, gjithçka është sipas ligjit zgjedhor që kemi.
Po kështu rezulton krejt e ligjshme që PS dhe PD të zgjedhin një deputet me 10 – 12 mijë vota, kurse një partie të vogël i duhen 60 – 70 mijë votues po për një mandat. Edhe kjo është e ligjshme po krejt e padrejtë, madje edhe diskriminuese.
Po të vazhdojmë me këtë ligj zgjedhor, përjetë do dëgjojmë dy partitë e mëdha duke i kënduar njera tjetrës avazin: “n’ato maja rripa-rripa/ her’ ma hipe, her’ ta hipa”.
Dhe përjetë do i shprazemi popullit me sharje e denigrime. Jo për gjë tjetër, po thjesht për të qetësuar sakatllëqet e brendshme që ka secili dhe që përpiqet t’i groposë, t’i fshehë e t’i bëjë të padukshme jo vetëm nga të tjerët, por edhe nga vetja. Rroftë populli që na e bën më të lehtë