15.5 C
Tirana
E enjte, 19 Shtator, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Pse është tërbuar Sali Berisha, apo bien kambanat e burgut për të?

    Nuk është hera e parë që Sali Berisha përplaset me aktorë të mazhorancës në Kuvend, por seanca plenare e kësaj të enjteje pati ngjyrime më të forta se herët e tjera dhe në mes të debateve ishte SPAK.

    Ish-kryeministri i kërkoi llogari Prokurorisë së Posaçme se pse nuk po hetonte ministrat, ish-ministra, deputetë e ish-deputetë të mazhorancës, por edhe të opozitës. Ai kërkoi nga SPAK që të hetonte vilën e Edi Ramës në Surrel, por edhe vilën e Lulzim Bashës.

    “Pyesni pak përfaqësuesit e SPAK, KLGJ-së, KLD-së e me radhë, t’ju thonë pse nuk hetojnë Sarajet e Edi Ramës me gjatësi themelesh 57 metra, me oborr 5 mijë m të deklaruar se e ka blerë me 2 euro në një kohë kur shitej me 20 euro apo 40 euro në atë zonë?

    Pyesni pak pse nuk hetojnë ‘pallatin pajë’ të familjes Basha për të cilin s’kanë asnjë faturë tatimore, doganore, bankare, ndërtimore, por shpërblejne ndërtuesin, vetëm para 3 javësh me 11 milionë euro me 99 për qind të fondit limit dhe i vetëm në garë?”, deklaroi Berisha.

    Deri para kësaj seance, fjalimet publike të Sali Berishës ishin përqëndruar te rritja e çmimeve të karburantit e të ushqimeve, madje me këtë arsyetim thirri edhe protestën e 7 korrikut. Megjithatë, në atë protestë nuk përmendi për asnjë moment ‘oligarkët e naftës’.

    Por, çfarë e detyroi Berishën që të ndryshojë kurs e të kalojë tashmë te thirrjet drejtuar SPAK-ut për të hetuar Ramën, ministrat e tij e deri te Lulzim Bashën? Një indicie se çfarë mund të ketë ndryshua e dha fillimisht ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

    “Sulmi që u bëri organeve të drejtësisë tregon se drejtësia po funksionin. Sa herë ka zor sulmon drejtësinë, e ka pasur në ADN. Sot ka hall dhe kjo është e reja se drejtësia ka filluar të lëvizë. Të tjerat i përkasin të shkuarës”, tha Manja.

    E cili është halli i Berishës? Në SPAK janë një sërë dosjesh të dorëzuar nga socialistët ku kërkohet që të merret në pyetje e deri te i pandehur Sali Berisha apo familjarë e të afërm të tij. Më të bujshmet janë Gërdeci, 21 janari, afera CEZ-DIA dhe privatizimi i kompleksit “Partizani”, ku socialistët kanë akuzuar ndër vite se pas këtij privatizimi qëndron dhëndërri dhe vajza e Berishës.

    Për këto dosje, SPAK nuk ka bërë asnjë reagim publik. Nisur nga indicia e dhënë nga Ulsi Manja, një reagim mund të mbërrijë në ditët, apo javët në vazhdim, që do të thotë se Prokuroria e Posaçme mund të ketë shtyrë përpara hetimet në njërën prej këtyre dosjeve.

    Kjo u përforcua edhe nga Taulant Balla. Në të shkuarën, kreu i grupit parlamentar socialist ka shprehur publikisht vërejtje për SPAK për mosveprim në lidhje me denoncimet që ka depozituar personalisht ndaj Sali Berishës. Këtë të enjte, duke e etiketuar Berishën si “djall”, Balla foli i bindur se do ta largojnë nga parlamenti.

    “Djallin e hoqëm nga drejtësia, por kemi punë për ta hequr nga Parlamenti. Që do e heqim do e heqim, është çështje kohe. Djalli këtu brenda do të largohet. Sa kohë që partneri ynë, SHBA thotë se është një person që akuzohet për korrupsion të nivelit të lartë, këtu në Shqipëri, SPAK ende po kërkon prova. Provat janë aty. Unë jam një prej tyre që të dërgoj pafund prova. Më kanë thënë që kanë regjistruar një çështje për kompleksin Partizani”, tha Balla.

    Si i zgjedhur me vota, largimi i Berishës nga Kuvendi mund të ndodhë vetëm në rast se ai heq dorë vetë nga mandati i deputetit, ose nëse hetohet, gjykohet e dënohet nga drejtësia. Për të parën Berisha nuk ka dhënë asnjë sinjal, përkundrazi. Për të dytën, sinjalin e thotë Taulant Balla.

    Si përfundim, e gjithë retorika e Berishës në seancën e kësaj të enjteje në Kuvend mund të jetë një tregues se SPAK po shkund pluhurat nga dosjet e vjetra të bujshme ku është akuzuar ish-kryeministri dhe familjarët e tij dhe kjo shpluhurosje e ka trembur atë.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit