14.5 C
Tirana
E martë, 25 Nëntor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Pse të ashtuquajturat foltore nuk janë një dështim i njerëzve që nuk dalin

    Nga Migena Aleksi

    Protesta e radhës e PD-së, raportohet me pjesëmarrje dukshëm të ulët. Kjo nuk shtron vetëm pyetje mbi kapacitetin mobilizues të opozitës. Shtron pyetje më të thella mbi kuptimin real të protestës si akt politik.

    Por edhe mbi mënyrën se si kjo opozitë ka zgjedhur të përballet me pushtetin. Në thelb, protestat e zhvilluara natën, kur institucionet janë të mbyllura dhe kur pushteti është “jashtë zyrës”, krijojnë një kontradiktë të pashmangshme. Çfarë vlere ka një protestë para dyerve të Kryeministrisë në një orë kur kryeministri dhe qeveria nuk janë aty?

    Simbolika e një akti të tillë bëhet e dobët: duket më shumë si një performancë për kamerat (dhe dihet për kë tjetër) sesa si presion politik ndaj qeverisë. Këtu qëndron paradoksi: opozita shpall se po kërkon “rrëzimin e Ramës”, por e artikulon këtë pretendim pikërisht në momentin kur Rama nuk është fizikisht dhe politikisht në vendin ku ajo proteston (!)

    Në vend që protesta të jetë një sfidë direkte, bëhet një monolog që pushteti e sheh nga ekrani. Kjo “protestë” mund të bëjë çdo gjë por nuk e ndërpret dot ritmin e pushtetit, nuk e detyron të reagojë, nuk e detyron të përgjigjet.

    Ndaj të ashtuquajturat foltore nuk janë një dështim i njerëzve që nuk dalin; janë një dështim i logjikës pa logjikë që e ka kthyer protestën në një veprim pa synim, pa ndikim, pa koordinim me realitetin politik.

    Çdo thirrje për “rrëzim të qeverisë” që bëhet natën, para një ndërtese të errët është qesharake. Por problemi shkon edhe më thellë se kaq. Kjo opozitë alla-Berishë nuk po kërkon më pushtet me zgjedhje. Ajo nuk po lufton më për të fituar, apo për të bindur publikun. E gjithë energjia e saj është zhvendosur nga e ardhmja në të shkuarën, nga gara politike në betejën personale të Berishës.

    Provat janë të dukshme: çdo mesazh, çdo artikulim politik është i lidhur ngushtë me fatin juridik dhe politik të një njeriu të vetëm. U rihap 21 janari, rinisi “foltorja”. Kjo e kthen opozitën në funksion aksesori të një kauze private dhe e zhvesh nga detyra e saj themelore, të jetë alternativë qeverisëse.

    Në këtë pikë, pyetja nuk është më “si do ringrihet kjo opozitë?”, por “a mund të ringrihet më kjo opozitë?”. Përgjigja është JO. Të gjitha shenjat flasin se një opozitë tjetër duhet të dalë në skenë: një grup që e ndërton identitetin te vota, jo te dosjet; te projekti politik, jo te mbrojtja e një gërdalle politike ish-komunist i 68-s; te përgjegjësia ndaj publikut, jo te besnikëria ndaj një rrethi të ngushtë.

    Por si lind një opozitë e re në një terren të tillë? Jo me shpallje dramatike. Njerëz që mund të bëjnë shkëputje reale nga berishizmi anadollak, bashkë me të tjerë që kanë kurajon të mos trashëgojnë traumat e vjetra, të mos emulojnë gabimet, të mos trashëgojnë konfliktet e personalizuara, mund ti japin vendit një garë politike të vërtetë.

    Kjo garë nuk mund të nisë natën, para një ndërtese të errët, por ditën, para qytetarëve-qytetarë që kërkojnë respekt dhe seriozitet politik. Larg ritualeve të servilizmit, larg mënyrave të kalbura që e kufizojnë politikën brenda një rrethit të njëjtë. Është kaq mjerane kjo, nuk e kuptoni?

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit