Nga Orgen Peci
Një version bombastik i skandalit AKSHI po qarkullon orët e fundit në rrjete sociale.
Sipas këtij versioni, Shqipëria rezulton të jetë së fundmi, jo vetëm vend kandidat për në BE, por edhe epiqendra globale e një lufte të ftohtë të re, ku armët kryesore nuk janë raketat, por… USB-ja e Gys Agasit.
Sipas kësaj teorie, Edi Rama ka arritur një sukses historik: t’i mërzisë turqit, t’i shqetësojë grekët, t’i bëjë kuriozë izraelitët, t’i vërë në lëvizje amerikanët, dhe ta bëjë Qipron të ndihet sërish e rëndësishme.
Një arritje diplomatike që as Kongresi i Vjenës nuk do ta kishte imagjinuar.
Historia shkon kështu sipas versionit që po qarkullon që në orët e para të këtij viti: Rama, i shqetësuar për raportet me Trumpin, paska trokitur në derën izraelite për ndihmë.
Izraelitët, me atë qetësinë e njerëzve që merren me çështje ekzistenciale, i paskan kërkuar në këmbim prodhim armësh në trojet tona dhe bazën e Pashalimanit (një vend që shqiptarët e dinë ku është, por nuk janë të sigurt pse është gjithmonë strategjik për dikë tjetër)
Kjo, natyrisht, nuk i ka pëlqyer Turqisë, e cila sipas teorisë nuk është thjesht e pakënaqur, por thellësisht e mërzitur (një gjendje emocionale shumë e rrezikshme për një shërbim sekret).
Si pasojë, turqit paskan vendosur të hakmerren në mënyrën më moderne të mundshme: jo me nota proteste, por me videot komprometuese të Gysit!
Kështu, pra amerikanët, dmth SPAK, nuk i paskëshin zbuluar vetë pamjet e famshme të Gys Agasit. Jo. Ata thjesht janë drejtuar me mirësjellje drejt tyre nga shërbimi sekret turk, në një akt bashkëpunimi ndërkombëtar që tregon se, pavarësisht konflikteve, kur vjen puna te skandalet, Perëndimi dhe Lindja gjejnë gjithmonë gjuhë të përbashkët.
USB-ja, sipas këtij versioni, nuk është “gjetur në zyrë”. Ajo është dorëzuar. Me kujdes. Me protokoll. Ndoshta edhe me faturë.
Po ku e gjetën turqit USB-në?
Aaahh, po këtu vjen pjesa më kurioze e këtij mozaiku të bukur gjeopolitik. Ergys Agasi rezulton në këtë version një figurë tragjikomike. Ai nuk qenkësh vetëm personazh kyç i pushtetit të Edi Ramës, por njëherësh paska qenë bashkëpunëtor i shërbimit sekret turk, që punon për llogari të tyre si agjent brenda rjeteve shqiptare të drogës. Ndaj dhe është (çuditërisht) i paarrestuar!
Një detaj që teorinë nuk e dobëson, përkundrazi. Në botën e konspiracioneve, mungesa e arrestimit është prova më e fortë e fajësisë.
Në fund, mes gjithë kësaj meseleje shërbimesh sekrete superprofesionale, del se i vetmi që nuk ka kontroll, është vetë kryeministri shqiptar, i cili paska bërë një lemsh aq të madh, sa ka detyruar MIT-in, Mossad-in, CIA-n, shërbimet greke dhe Qipron të merren me një USB shqiptare.
Nëse kjo histori nuk është e vërtetë, atëherë është (të paktën) shumë elegante për të mos u treguar.
Nëse është e vërtetë, atëherë Shqipëria nuk ka nevojë për strategji kombëtare sigurie. Ajo tashmë është një serial ndërkombëtar, ku çdo episod fillon me fjalinë klasike: “Sipas burimeve në rrjete sociale…”
Dhe mbyllet, natyrisht, me një USB që askush nuk e ka parë kurrë, por të gjithë e dikan saktësisht se kush ia ka dhënë kujt.



