15.5 C
Tirana
E enjte, 19 Shtator, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Rama drejt ndryshimit të Qeverisë

    Hapja e negociatave me Bashkimin Evropian, pas një rruge të gjatë, të lodhshme dhe shpesh herë kaotike, tani është realitet. Edi Rama e përmbushi sfidën e jetës së tij politike, ndoshta më të vështirën.

    Dhe pati sukses me mënyrën e vet, duke i qëndruar Brukselit zyrtar ballas, me atë stilin që shumëkush ia konsideron arrogancë, por që është thelbi i personalitetit të tij, jo vetëm politik. Dhe funksionoi. Shqipëria ia doli, por jo vetëm kaq. Ia doli duke u sjellë si e barabartë dhe dinjitare.

    Rama mund të ndjehet tani për disa çaste i qetë, por mirëfilli e di se rruga tani e tutje është më e vështirë. Nëse vendet e Evropës kanë pasur dy sy mbi Shqipërinë dhe qeverisjen, tani e tutje janë 27 syresh që monitorojnë.

    Duhet theksuar se në politikën e jashtme ku shumëkush dikur e ka kritikuar, Rama, ky sfidues i lindur, e ka ridimensionuar faktorin shqiptar në rajon dhe në Aleancën e Atlantikut. Sado gjemba t’i gjejnë trëndafilit të tij socialist, Shqipëria me qëndrimet e saj, njihet sot më mirë në botë, si një vend, që meriton të respektohet e të dëgjohet. Intesiteti i takimeve politike ndërkombëtare këto kohë ishte i lartë. Vizitat në Bruksel dhe indinjata e tij ishin edhe një e drejtë morale e një shteti, i cili ka zërin e vet mes të barabartëve.

    Nuk është rastësi që çështja e integrimit evropian edhe pse me shumë dilema të vetë BE-së, pati në finale rezultatin e duhur. Gjithsesi, koha e duartrokitjeve iku, flamuri u ngrit, shampanja e hapur mbaroi dhe e vërteta fillon tani. Kjo do të jetë sfida e re e njeriut politik Edi Rama, për të patur atë çfarë meriton: vendin e tij në historinë politike shqiptare.

    Më shumë se të gjithë, dhe më parë se të gjithë, Rama e ndjen që këtë rrugëtim të ri nuk mund ta bëjë me të njëjtin ekip qeveritar. Dhe nuk do ta bëjë me të njëjtin ekip qeveritar. Një ekip i ri është tashmë duke u ndërtuar. Kabineti “Europa” do jetë me teknicienë të aftë e të përkushtuar, njerëz jo politikë, por në nivelin e përmbushjes së kushteve dhe detyrave që dikton hapja e negociatave.

    Rama po monitoron emra që kanë aftësitë për të shkurtuar kohë në afrimin e Shqipërinë me Bashkimin Evropian. Ai do synojë që drejtimi i qeverisjes në dikastere dhe institucione të rëndësishme të jetë i ndarë nga drejtimi politik i qarqeve; vetë struktura të jetë ndërtuar mbi bazën e përafrimit me konceptet dhe rregullat e domosdoshme të Brukselit. Njëherazi, kjo i hap më shumë hapësirë përafrimit të ideve politike të së majtës: Dy anije të mëdha, të ndara deri diku nga njëra tjetra, por që i bashkon qëllimi i tyre final. Njëra drejt njerëzve dhe kjo do të ketë ngjyrimin e saj politik, tjetra drejt Bashkimit Evropian dhe kjo është e gjithëfuqishme, e domosdoshme.

    Po listohen ministra të rinj, teknicienë të sprovuar me koncepte të drejta dhe të shtruara qartë në sektorët jetikë të vendit. Emrat e parë janë tashmë duke u diskutuar. Edi Rama e permbushi me sukses sfidën për hapjen e negociatave, tani radha e profesionistëve për të na ngritur në nivelin e duhur për t’u bërë pjesë dinjitoze e BE.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit