Në episodin e radhës të podcastit “Flasim” është trajtuar mes të tjerash edhe pavarësia e institucioneve në Shqipëri.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se ky është një problem me të cilin përballen në vijimësi, apo siç theksoi, sa më shumë që i jepet pavarësi institucioneve, aq më shumë bie në sy paaftësia e tyre për të performuar.
Rama u ndal edhe tek autonomia financiare e institucioneve, që nuk është e justifikuar me rezultatet e dala nga kontrolli i performancës.
“Kemi bërë në mënyrë të përsëritur përpjekje, por gjatë rrugës e kam parë në më shumë se një rast që një gjë e konsideruar e çliruar është shfaqur sërish e kapur në një tjetër anë dhe zinxhiri i burokracisë është shkurtuar në një anë dhe është zgjatur nga një anë tjetër.
Sa i përket pavarësisë së institucioneve është problem, se pse sa më shumë i japim pavarësi aq më shumë bie në sy paaftësia institucionale për të kontrolluar në kuptimin e performancës, jo politik, në sistemet shtetërore.
Rasti klasik dhe më spektakolar i impotencës së pjesës tjetër për të thënë jo, është se si gjyqtarët i rritën pagat vetes. Bënë një ankim në GJK sepse sipas tyre llogaria e pagave dilte që duhet të rritej në një masë x dhe Kushtetuesja bëri një ekstra llogari e nxori që duhej të rritej edhe më shumë nga sa ishte kërkuar”, tha Rama.
Vetëm se ai “harron”, që dhe ai vetë, bashkë me deputetët, dyfishuan rrogat e tyre.
Mirë bën ta përmendë edhe këtë, kur sulmon të tjerët.