Një dokument i dalë së fundmi sugjeron që sasia e arit që vodhi Ahmet Zogu nga buxheti i shtetit kur u arratis nga Shqipëria në 1939 ishte shumë më e madhe se ajo që është deklaruar deri më sot.
Historiani dhe koleksionisti Artan Lame thotë se për këtë dokument duhen bërë hetime.
Madje ai shtoi se nipi i Ahmetit që jeton aktualisht në Tiranë, duhet të japë llogari për këtë çështje,
“E para, dokumenti ka nevojë për hetim të mëtejshëm. E dyta, unë nuk e besoj këtë zotërinë Gjonin. E treta, shteti shqiptar përsa kohë edhe e pranoi të kthehej në Shqipëri Princ Lekën dhe familjen mbretërore, unë jam nga ata që them po, duhej pranuar që të ktheheshin në Shqipëri, por duke dhënë disa llogari.
Si trashëgimtar i fronit është dikush dhe ka llogari për të dhënë para shtetit shqiptar, siç shteti shqiptar pranoi detyrimet ndaj tij për atë që përfaqëson”, theksoi ai.
Ndërsa përfaqësuesi i Arkivës, Ardit Bido tha se sipas dokumentit të ri që është publikuar nga institucioni që ai drejton, Ahmet Zogu mori me vete një sasi ari të barabartë me rreth 40 milionë dollarë të kohës së sotme,
Sipas tij, nuk bëhet fjalë për ndonjë shumë të madhe madje ai sugjeron që vjedhjet duhen gjykuar sipas “kapacitetit të një vendi”.
“Duhet të theksojmë se nuk bëhet fjalë për ndonjë shifër marramendëse. Me inflacion sot do të ishte diku te 40 milionë dollarë. Pra, nuk bëhet fjalë për një shifër e cila është marramendëse kur vjen fjala për kapacitetet e një vendi,” – u shpreh zyrtari i Arkivës së Shtetit, i vënë edhe më herët në qendër të vëmendjes për cektësinë e deklarimeve publike.