Pasi korri një fitore të thellë për mandatin e tij të katërt, kryeministri Edi Rama iu rikthye aksionit të tij të preferuar këtë fillim korriku: ai premton një aksion kombëtar për çlirimin e hapësirave publike.
Aksioni nisi nga Bashkia e Vlorës pas një mbledhjeje me dyer të mbyllura më 3 korrik, ku Rama fajësoi zyrtarët lokalë për një sërë problemesh, përfshi zaptimin e hapësirave publike nga tendat, çadrat dhe karriget e bareve dhe restoranteve.
Më pas, fadromat e Inspektoriatit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, IKMT zbarkuan mes Alpeve shqiptare në Theth për të prishur disa kabina prej druri të vendosura pa leje, ndërsa Rama thirri në betejë një prokurore të Shkodrës, të cilën e fajësoi për mbylljen e hetimit ndaj abuzuesve.
Kjo nuk është hera e parë që Rama premton të vendosë sundimin e ligjit mbi territorin përmes aksioneve, që në të shkuarën kanë dhënë rezultate të debatueshme.
Në gusht të vitit 2013, kur sapo ishte zgjedhur kryeministër, Rama e cilësoi emergjencë kombëtare pastrimin e bregdetit nga ndërtimet abuzive. Një tjetër aksion i ngjashëm u përsërit pas fitores së zgjedhjeve të vitit 2021 i titulluar “Bregdeti ynë”, ku Rama premtoi shembje të ndërtimeve pa leje dhe nxjerrjen para ligjit të përgjegjësve.
Në vjeshtën e vitit 2022, qeveria e Ramës nxorri një akt normativ për konfiskimin e shtesave pa leje në kullat e Tiranës. Por një vit e gjysmë më vonë, qeveria ua riktheu godinat mbrapsht shkelësve të ligjit me çmime 10 herë më të ulëta se vlera e tregut.
Qeverisja nëpërmjet ‘aksioneve’ mund të quhet një tipar dallues i qeverisë së Ramës, që sipas ekspertëve, ka treguar në të shkuarën mungesën e rezultateve dhe dështimin sistemik të institucioneve.
Për Zef Preçin, drejtor i Institutit për Studime Ekonomike, aksioni i fundit konfirmon “dështimin spektakolar të sistemit” të ndërtuar nga Rama përgjatë 12 viteve qeverisje. Preçi kujton se qeveria paguan një armatë nëpunësish dhe zyrtarësh publikë, ndërkohë që trotuaret zaptohen nga bizneset – shpeshherë përmes pagesave ‘nën dorë”.
“Fundi i aksionit të radhës pak a shumë dihet, ashtu siç përfunduan si një flakë kashte aksioni kundër informalitetit, i lidhjeve të paligjshme të ujit, energjisë elektrike apo aksioni kundër lojërave të fatit, rioganizimi i inspektoriateve duke përfshirë ato të bregdetit, AKU-së etj,.” paralajmëron Preçi.
Edhe Doriana Musai, arkitekte dhe aktiviste, vlerëson se aksioni i ri i qeverisë është shfaqja e radhës që bën zhurmë, por nuk e adreson problemin.
“Problemi nuk zgjidhet me vendime sezonale qeverie, aq më pak me urdhra nga lart-poshtë të një njeriu të vetëm,” tha Musai për BIRN.
“Në vend të nxjerrë para përgjegjësisë autoritetet e kontrollit të territorit, kjo përgjegjësi tenton që të shpërndahet “tek të gjithë dhe tek askush,” shtoi Musai – ndërsa thekson se në fund i humburi do të jetë sërish publiku.
Zaptimi me ligj, një problem më i madh
Abuzimi i territorit përmes ndërtimeve pa leje ka qenë një problem sistemik i Shqipërisë së tranzicionit, e megjithatë, ekspertët thonë se pronat publike në Shqipëri po përballen me një kërcënim më të madh – atë të zaptimit me ligj.
Për të ilustruar këtë fakt, Preçi përmend ndërtimet në qytetet kryesore si dhe investimet strategjike në bregdet, të cilat bëhen me bekimin e qeverisë.
Ai thekson se aksionet me urdhër të Ramës pa marrë përgjegjësi institucionale për paligjshmëritë janë një sjellje populiste që fsheh problematikën e vërtetë të zaptimit me ligj të pronave publike nga qeveria.
“Në fakt, shqetësimi i vërtetë i qytetarëve lidhet me zënien në mënyrë të përhershme nga ndërtimet si ne qytetet kryesore, ashtu edhe bregdetin e Jugut, për të cilat z.Rama dhe establishmenti i tij nuk kanë përgjigje dhe duke zhurmuar në Thethin e largët zhvendosin vëmendjen nga agresioni i lobeve të biznesit, oligarkisë dhe krimit të organizuar në pjesët më të preferuara të territorit të vendit,” tha Preçi për BIRN.
Edhe Doriana Musaj e sheh aksionin e fundit të Ramës si një tentativë për të fshehur problemin e vërtetë me të cilin përballet prona publike dhe që është shkatërrimi me ligj i saj. Sipas saj, qeveria në vend që t’i mbrojë këto pasuri të përbashkëta i ka kthyer ato “në mall privat për interesa klienteliste dhe propagandë zhvillimi”.
“Qeveria vetë ka qenë promotorja kryesore e uzurpimit të tokave publike, duke dhënë leje për ndërtime masive në parqe, brigje detare, zona të mbrojtura e madje edhe në qendra historike”- thotë Musai për BIRN.
Në këtë kontekst, Musai thekson se problemi me karriget dhe çadrat e bareve është vetëm “maja e ajsbergut”.