20.5 C
Tirana
E mërkurë, 23 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Si e parashikoi Ben Blushi që në 2014 tkurrjen e popullsisë shqiptare

    Shkrimtari Ben Blushi në një prej librave të tij, i titulluar “Hëna e Shqipërisë”, një botim i shtëpisë botuese prestigjioze në vend UET-Press, paraqet një të ardhme shumë pesimiste për Shqipërinë. Aty shkruan, duke iu referuar një studimi të OKB-së, për rritjen e popullsisë në botë, ai pretendon se Shqipëria, pas 100 vitesh, do ketë humbur gati 35 për qind të popullsisë ose më shumë se 1 milion banorë.

    ***

    Një studim i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për rritjen e popullsisë në botë, pretendon se Shqipëria, pas njëqind vitesh, do ketë humbur gati 35 për qind të popullsisë, ose më shumë se 1 milion banorë. Në vitin 2100 Shqipëria do të ketë, afërsisht, 1.8 nga 2.8 milionë banorë që ka sot.

    Nga të gjitha vendet e rajonit, ne do të pësojmë reduktimin më të madh të popullsisë në vlerë absolute dhe, ndoshta, më të madhin në Evropë proporcionalisht. Duke marrë parasysh edhe shqiptarët që sot jetojnë jashtë territorit shqiptar, ne pothuaj do të përgjysmohemi si popull.

    Nuk mendoj se është për t’u trembur, por pyetjet janë: “Pse do mbetemi kaq pak? Pse do ketë më pak shqiptarë bota pas njëqind vitesh dhe, nëse kjo analizë është e vërtetë, çfarë do të ndodhë me ne në njëqind vitet e ardhshme?”

    Në njëqind vitet e shkuara popullsia e Shqipërisë është trefishuar. Në vitin 1912 kur u krijua shteti shqiptar ishim më pak se 1 milion banorë. Tridhjetë vjet më parë e kapërcyem kufirin e 3 milionëve, kufi të cilin, në shekujt që do vijnë, ndoshta nuk do ta arrijmë më dot. Por në njëqind vitet e fundit është pak të thuhet se kemi jetuar keq.

    Madje, në shumicën e kohës, kemi jetuar shumë keq. Si ka mundësi, pra, që kur jetonim më keq, lindnim më shumë? Si shpjegohet që, megjithëse brenda njëqind vitesh do jemi pjesë e Evropës, rritja e popullsisë sonë nuk do ndjekë trendin e vendeve të tjera evropiane? Sepse, shumica e vendeve të Evropës, sipas këtij parashikimi, do të humbasin popullsi, por askush në këtë masë.

    Askush si ne nuk do jetë kaq afër kufirit të zhdukjes. Gjermania do të humbë gati 10 milionë banorë, por sërish do mbetet një vend i madh. Gjermanët do jenë prapë një popull i madh, ndërsa shqiptarët një popull shumë, shumë i vogël. Çfarë do shkojë keq në njëqind vitet që vijnë?

    Çfarë do t’i bëjmë ne njëri-tjetrit, ose çfarë do na bëjnë ne të tjerët, gjë që nuk përjashtohet, sepse bota ende nuk ka hequr dorë nga luftrat dhe pushtimet, sa kohë që prodhon armë kimike, monopole, kriza ekonomike dhe investohet shumë më pak se ç’mundet për të shëruar varfërinë dhe sëmundjet e njeriut. Në këta njëzet vjet shqiptarët kanë braktisur vendin e tyre më shumë se çdo popull tjetër në dy-tre shekujt e fundit. Një milion shqiptarë janë larguar nga Shqipëria, ndoshta më shumë se një e treta e popullsisë. Kush e njeh Shqipërinë e këtyre pesëdhjetë viteve e justifikon këtë largim.

    Për rrethana politike shqiptarët u ndaluan të lëvizin për gjysmë shekulli. Por kjo zhvendosje popullsie drejt vendeve më të pasura tani që flasim është zbutur, sepse ka shumë më pak shqiptarë që mund ta përballojnë emigracionin, sepse Evropa ka rregulla më të forta ndaj emigrantëve, por edhe sepse Shqipëria garanton më shumë liri politike dhe pak më shumë mundësi ekonomike për të jetuar. Natyrisht, ne jetojmë me shpresën se në njëqind vitet që do të vijnë diferencat ekonomike me vendet e mëdha dhe të pasura do të jenë zbutur.

    Integrimi në Evropë, me të drejta dhe mundësi të plota, në një të ardhme të afërt do të pakësojë nevojën për të emigruar. Prandaj është e udhës të besosh se, nëse në të ardhmen ne do të humbasim popullsi, kjo do të ndodhë kryesisht, për shkak të pakësimit të lindjeve. Do lindim më pak fëmijë ç’ka duket e habitshme për një popull që deri përpara tre dekadash kishte popullsinë më të re në Evropë dhe numrin e vdekshmërisë tek foshnjet gati më të ultën.

    Por megjithëse Shqipëria ka pësuar pothuaj po aq dëme demografike sa edhe popujt e tjerë të Evropës është, pa dyshim, vendi që është shtuar më pak në pesëqind vitet e fundit, ç’ka do të thotë se tek shqiptarët ligjësitë e shtimit ose të pakësimit të popullsisë janë të veçanta. Të ndryshme.

    Nëse do kishim ndjekur tendencën evropiane, pra mesataren e shtimit të popullsisë në Evropë në 5 shekujt e fundit, sot duhet të ishim një popull me të paktën dhjetë milionë banorë. Kemi çerekun në Shqipëri dhe gjysmën në Ballkan. Luftërat, epidemitë, pushtimet, klima dhe humori i keq kanë dhënë efekte të ndryshme në Shqipëri në krahasim me popujt e tjerë. Ja pse.

    “Hëna e Shqipërisë”, UET-Press -2014

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit