16.5 C
Tirana
E hënë, 2 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Programet më të lira dhe më të shtrenjta në ekranet shqiptare

    Çmimet e reklamave në televizionet shqiptare kanë mbetur pak a shumë të njëjta edhe në këtë sezon të ri, duke reflektuar ndryshime të vogla te ndonjë prej tyre, ku me ulje e ku me rritje, si efekt edhe i perceptimit mbi suksesin që kanë programe të ndryshme.

    “Monitor” përpunoi edhe këtë vit çmimet për tre prej televizioneve kryesore kombëtare, për të pasur një panoramë më të qartë se cilat janë programet më të shtrenjta dhe ato më ekonomike për të reklamuar.

    Në Top Channel, zakonisht në dy vitet e fundit, rekordin e ka mbajtur reklama në reality show-n, Big Brother, por duke qenë se ky program ende nuk ka hyrë në programacion, nuk ka një çmim as për këtë vit.

    Në krye vijon të mbetet “Portokalli”, ku reklama që transmetohet para fillimit të show-t të humorit kushton 4200 lekë/sekondë dhe gjatë ndërprerjeve, 7800 lekë/sekondë. Në raport me vitin e shkuar, duket se ka një rishikim në ulje të tarifave për këtë program.

    Pas “Portokalli”, dy-tre programet e tjera më të paguara në aspektin e reklamave janë “Me shqiptarët” që sapo ka nisur, “Piramida” e cila pritet të nisë dhe “Top Story”, që kushtojnë 4200 lekë/sekondë, nëse reklama transmetohet para fillimit dhe 6000 lekë/sekondë nëse ajo transmetohet gjatë ndërprerjeve. Logjikisht programet që transmetohen në prime-time kanë çmime më të kripura, teksa më të lirat janë reklamat në emisionet e mëngjesit apo paradites.

    Në televizionin Klan, në krye vijon të mbetet “Opinion” i së enjtes, me çmim prej 3400 lekë/sekondë para nisjes së transmetimit dhe 6750 lekë/sekondë gjatë transmetimit. Në ditët e tjera e hënë – e mërkurë, për të njëjtin emision, reklama kushton 2000 lekë/sekondë. para nisjes së transmetimit dhe 5400 lekë/sekondë, për ndërprerjet gjatë programit.

    Më pas vjen “E diela shqiptare” që nis para transmetimit me çmim 1400 lekë/sekondë dhe më pas gjatë ndërprerjeve deri në orën 15:20 kushton 4700 lekë/sekondë. Çdo ndërprerje në pjesën e dytë pas këtij orari ka çmim edhe më të shtrenjtë prej 5400 lekë/sekondë.

    Emisioni “Stop” dhe serialet janë të tretët në renditje për tarifat më të larta në totalin e programeve të TV Klan. Çdo reklamë para fillimit kushton 2700 lekë/sekondë dhe gjatë transmetimit 4400 lekë/sekondë.

    “X Factor”, një talent show që nis në Klan, ka të përcaktuar vetëm çmimin para fillimit të tij që është 3400 lekë/sekondë, por ende nuk ka një çmim për ato reklama që transmetohen gjatë ndërprerjeve.

    Në tarifat zyrtare të Vizion Plus, në krye duket se qëndron një talent show që pritet të nisë në nëntor. Bëhet fjalë për “Albania’s got talent”, ku tarifa është 9000 lekë/sekondë. Më pas dy show humori.

    I pari një prodhim i ri “Papare Najt” (Agron Llakaj) që nis më 12 tetor dhe i dyti “Armiku i Popullit & Albani Bogdo”, që kanë një tarifë prej 3000 lekë/sekondë, para nisjes së transmetimit dhe 6600 lekë për transmetimet gjatë ndërprerjeve.

    Edhe në këtë rast, programet me tarifa më të lira i përkasin mëngjesit me 600 lekë/sekonda.

    “Tv Klan” ka vijuar të jetë televizioni më i madh në vend edhe në 2023 nga transmetuesit pa pagesë. Të ardhurat arritën në gati 2.5 miliardë lekë, me një zgjerim prej 19%.

    Albert Dumani Drejtori i Programacionit dhe Blerjeve në TVKLAN pohon se televizioni është gjithmonë nën “presionin” e investimeve për përshtatje me të gjithë gjeneratat në kuptimin e prodhimeve që ofron, blerjeve por edhe qasjes dixhitale pra aksesi sa më i thjeshtë përmes aplikacioneve.

    “Të paktën 75% e grilës programore ditore është prodhim i TVKLAN dhe 25% zënë vend programet e blera. Kostot e prodhimit janë shtuar për të ofruar më shumë cilësi ndërsa të ardhurat fatkeqësisht janë më të pakta” shprehet ai.

    “Top Channel” ëshë i dyti më i madh në vend. Të ardhurat e televizionit ishin 1.75 miliardë lekë në 2023, me një zgjerim prej gati 22% me bazë vjetore. Sipas raportit të aktivitetit, bazuar në plan biznesin e tij, synohet që në 2 vitet e ardhshme të shtohen kapacitetet teknike në prodhim, shtrirje sinjali etj.

    Investimet e deritanishme në infrastruktura transmetuese, pajisje transmetimi, MwLinks, sisteme antenash, switches, routing, FO etj i kalojnë 2,5 ml Euro. I njëjti buxhet i fragmentuar në 2 vite parashikohet të investohet për teknologjitë e përparuara në të ardhmen.

    “Media Vizion” (Vizion Plus), raportoi të ardhura prej 544 milionë lekësh, me rritje 25% me bazë vjetore.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit