11.5 C
Tirana
E enjte, 29 Janar, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    The Telegraph: Një biznes si ai i Ivanka Trump në Shqipëri…

    Ndërsa në Shqipëri investimet e lidhura me familjen Trump dhe bizneset e Jared Kushner në bregdetin shqiptar trajtohen kryesisht si “lajme pozitive”, si “arritje diplomatike” apo si “ngritje lart e imazhit të vendit”, jashtë kufijve narrativa është krejt tjetër. Mediat më prestigjioze perëndimore, përfshirë The Telegraph në Britaninë e Madhe, i raportojnë këto marrëveshje në një kënd tjetër, dyshues, duke ngritur pikëpyetje për transparencën, konfliktin e interesit dhe lidhjet politike që i shoqërojnë marrëveshjet e biznesit.

    Në raportimet e tyre, marrëveshjet për ishullin e Sazanit, planet për Zvërnecin shoqërohen me faktin se në mes është afrimiteti i hapur mes kryeministrit Edi Rama dhe çiftin Jared Kushner dhe Ivanka Trump, që lexohet si pjesë e një panorame më të gjerë interesash, ku biznesi dhe politika ecin krah për krah.

    Ironikisht, ndërsa në mediat perëndimore ky model biznesi analizohet me skepticizëm dhe ndonjëherë edhe shqetësim, në Shqipëri janë të paktë zërat mediatikë apo politikë që të kërkojnë llogari për atë që po ndodh, të ngrenë dyshime apo të kërkojë transparencë për mënyrën se si po jepen territore, statuse “strategjike” dhe privilegje të jashtëzakonshme.

    Jo më kot, në shkrimin e mëposhtëm nga The Telegraph është zgjedhur të citohet vetëm deputeti Redi Muçi, përfaqësues i një partie të vogël si Lëvizja Bashkë në parlament, pasi pjesa tjetër e atyre që konsiderohen zëra publikë preferojnë heshtjen. Më poshtë shkrimi i Robert Mendick, gazetar i The Telegraph për biznesin e familjes Trump në Shqipëri me titullin origjinal: “Si po fiton Ivanka Trump me “Artin e Marrëveshjes”

    Në të njëjtën ditë kur Donald Trump po tërhiqej nga tentativa e tij për të aneksuar Groenlandën, një mijë milje më larg, Ivanka Trump po i tregonte të atit se si bëhet realisht diçka e tillë: duke kapur një ishull për veten e saj.

    Zonja Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, këshilltar jozyrtar i presidentit, kanë siguruar një marrëveshje për ta shndërruar Sazanin, një nga ishujt e fundit të pabanuar në Mesdhe, në një resort turistik luksoz të nivelit të lartë.

    Ndërsa presidenti Trump llogaritet se ka fituar të paktën 1.4 miliardë dollarë vitin e kaluar, sipas një analize të Neë York Times, as vajza dhe dhëndri i tij nuk po ecin keq me financat. Marrëveshja shqiptare, e negociuar gjatë periudhës kur Trump nuk ishte ende në detyrë, është një tjetër shembull i pasurimit të familjes.

    Ivanka Trump, 44 vjeçe, ishte në humor të shkëlqyer të mërkurën e kaluar, teksa kortezhi i saj hyri në qytetin turistik shqiptar të Orikumit, e shoqëruar nga Edi Rama, kryeministri i vendit prej shumë vitesh.

    Zonja Trump u pa me një buzëqeshje të gjerë në fytyrë, elegante si gjithmonë, e veshur me një pallto të gjatë ngjyrë deveje, taka të larta dhe duke mbajtur një çantë dizajneri.

    Nuk është çudi që Ivanka Trump buzëqeshte. Në fakt, kështu do të ishte duke qeshur rrugës drejt bankës, sipas shembullit të librit të babait të saj, shkruar në vitin 1987, “Arti i Marrëveshjes”.

    Edi Rama dhe Ivanka Trump duke dalë nga restoranti në Vlorë
    Edi Rama dhe Ivanka Trump duke dalë nga restoranti në Vlorë

    Marrëveshja e arritur, përmes mjetit investues të Kushner, Atlantic Incubation Partners LLC, vlerësohet rreth 1 miliard paund ose 1.4 miliardë dollarë. Ky mjet investimi është i lidhur me Affinity Partners, një fond privat investimesh i krijuar nga Kushner disa muaj pasi vjehrri i tij humbi pushtetin në vitin 2020. Fondi tërhoqi miliarda dollarë, pjesa më e madhe e të cilave nga një fond sovran saudit.

    Marrëveshjet e Kushner kanë shkaktuar habi, ashtu si edhe ato të dy djemve më të mëdhenj të presidentit, Eric dhe Donald Junior, të cilët drejtojnë Trump Organization, të dy si zëvendëspresidentë ekzekutivë, duke mbikëqyrur perandorinë e pasurive të paluajtshme, hoteleve dhe fushave të golfit të të atit, si edhe duke nisur iniciativa fitimprurëse në kriptomonedha që kanë gjeneruar qindra milionë dollarë gjatë vitit të parë të mandatit të dytë të Trump.

    Por pak është shkruar për instinktin e Ivanka Trump për biznes. Vizita e saj në Shqipëri javën e kaluar hedh pak më shumë dritë mbi aktivitetet e saj për gjenerimin e fitimeve.

    Ambiciet e saj dhe të bashkëshortit nuk ndalen vetëm te një ishull shqiptar. Ivanka Trump ka hedhur sytë edhe mbi Zvërnecin, një tjetër ishull i lidhur me tokën nga një urë druri rreth 400 metra e gjatë, ku ndodhen një manastir dhe një fshat i vogël piktoresk.

    Harta e Zvërnecit, ku mendohet se Ivanka Trump do të kryejë investimin e saj
    Harta e Zvërnecit, ku mendohet se Ivanka Trump do të kryejë investimin e saj

    Edhe pjesë të tjera të bregdetit aty pranë, një nga segmentet e fundit të paprekura të Mesdheut, thuhet se janë tërheqëse për çiftin.

    Ivanka Trump, nënë e tre fëmijëve, kaloi tre ditë javën e kaluar në Shqipëri, dikur shteti më i izoluar komunist në Europë, i cili është transformuar gjatë 13 viteve të drejtimit të Edi Ramës. Socialist në letër, Rama e kupton sa e zgjuar është të jesh afër me vajzën dhe dhëndrin e presidentit amerikan.

    Marrëveshja që Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj kanë ndërtuar përbën një sukses të madh për Ramën. “Na duhet super luksi siç i duhet ujë shkretëtirës”, ka deklaruar ai, duke përqafuar vizionin Kushner–Trump.

    Komiteti shqiptar për Investime Strategjike, që drejtohet nga Rama si kryeministër, i dha dritën jeshile zhvillimit të ishullit të Sazanit më 30 dhjetor 2024, disa javë pasi Trump fitoi zgjedhjet për herë të dytë dhe tre javë para se të merrte zyrtarisht detyrën.

    Komiteti pranoi ndërtimin e një resorti luksoz me hotel dhe vila private në ishullin që deri në fund të Luftës së Ftohtë kishte qenë një bazë ushtarake sekrete për nëndetëse. Marrëveshja pritet të krijojë rreth 1.000 vende pune dhe ta shndërrojë ishullin, i cili nuk ka ujë të pijshëm, në një parajsë turistike luksoze.

    Atlantic Incubation Partners regjistroi markën “Sazan” në tetor 2024 për një gamë të gjerë mallrash dhe shërbimesh, përfshirë parfume, peshqirë, veshje plazhi dhe klube nate.

    Resorti turistik që do të ndërtohet në Sazan
    Resorti turistik që do të ndërtohet në Sazan
    Pamjet në 3D si do të duken vilat e Sazanit
    Pamjet në 3D si do të duken vilat e Sazanit

    Vendimi me shkrim i komitetit parashikon që korporata shtetërore shqiptare e investimeve të krijojë një “entitet të përbashkët ligjor” me kompaninë Kushner–Trump për të realizuar punimet masive ndërtimore.

    Deputetë të opozitës kanë ngritur pikëpyetje për marrëveshjen dhe kanë shprehur shqetësime për mungesën e transparencës. Nuk është e qartë nëse biznese të tjera kanë pasur mundësi të konkurrojnë.

    Redi Muçi, deputet nga Lëvizja Bashkë, një parti e majtë opozitare, deklaroi: “Procesi i shndërrimit të ishullit të Sazanit në një zonë ku do të ndërtohet një resort luksoz ka qenë i njëjtë me shumë raste të tjera, ku të ashtuquajturit ‘investitorë strategjikë’ janë përzgjedhur personalisht nga kryeministri Edi Rama, përmes marrëveshjeve të mbyllura, larg çdo mbikëqyrjeje publike.”

    Edhe ambientalistët janë të tronditur. Javën e kaluar, 41 organizata i dërguan Ramës një letër proteste duke kërkuar pezullimin e marrëveshjes për Sazanin.

    Olsi Nika, drejtor ekzekutiv i EcoAlbania, tha se plani është “krejtësisht i papranueshëm”, pasi zhvillimet në Sazan dhe Zvërnec ndodhen në zona që janë pjesë e trashëgimisë natyrore të vendit dhe kanë status ligjor të mbrojtur për shkak të vlerave të tyre unike ekologjike.

    Model në 3D i vilave në Sazan
    Model në 3D i vilave në Sazan

    Marrëveshjet në Shqipëri kanë ngritur shqetësime edhe në Uashington. Një tjetër projekt i ngjashëm është planifikuar në Serbi, sërish përmes Atlantic Incubation Partners, ku qeveria serbe ka rënë dakord në vitin 2024 për një sipërmarrje të përbashkët për të rizhvilluar ish-shtabin e forcave të armatosura në Beograd, të bombarduar nga NATO në vitin 1999.

    Marrëveshja, e nënshkruar në shkurt 2024, u bë publike vetëm në nëntor nga një revistë investigative në Serbi. Kushner planifikon ta shndërrojë zonën në një kompleks hotelesh me një muze kushtuar “viktimave të agresionit të NATO-s”.

    Sipas Forbes, pasuria e Kushner dhe Ivanka Trump vlerësohet rreth 1.1 miliardë dollarë, duke i bërë ata çiftin e dytë më të pasur të familjes Trump, pas vetë presidentit.

    Çifti Kushner-Trump, llogariten se kanë një pasuri 1.1 miliard dollarë
    Çifti Kushner-Trump, llogariten se kanë një pasuri 1.1 miliard dollarë

    Kushner i ka futur duart në disa punë njëkohësisht, duke punuar si këshilltar jozyrtar i vjehrrit të tij dhe si njeriu i besuar i Trump për “rregullimin e paqes botërore”. Nëse ia del me planet për Gazën apo me diskutimet me Vladimir Putinin, ai shpreson t’i dhurojë Trumpit atë që ai e dëshiron më shumë se gjithçka këto kohë: një çmim Nobel për Paqen.

    Në Davos, ndërsa bashkëshortja e tij shijonte bukuritë e Shqipërisë, Kushner ishte duke prezantuar “masterplanin” për shndërrimin e Gazës në një resort turistik me 180 kulla buzë detit.

    Më pas, ai zhvilloi një takim ballë për ballë me Putinin në Kremlin për një marrëveshje paqeje në Ukrainë, i shoqëruar nga Steve ëitkoff, një tjetër investitor i pasurive të paluajtshme dhe i dërguar special i Trump në Lindjen e Mesme.

    Më parë janë ngritur shqetësime për një konflikt të mundshëm interesi, të amplifikuara kryesisht nga demokratët amerikanë, por edhe disa zëra kritikë brenda administratës Trump. Një burim i afërt tha: “Kjo ka krijuar një farë parehatie. Por Jared ka botën e tij të biznesit dhe ka të drejtë ta ndërtojë atë.”

    Gjatë mandatit të parë të Trump, Kushner ishte këshilltar zyrtar i lartë, i përfshirë në çështje nga vaksinat kundër Covid-19 deri te reforma në drejtësinë penale, si edhe arkitekt i Marrëveshjeve të Abrahamit që normalizuan marrëdhëniet mes Izraelit dhe disa vendeve arabe, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin.

    Jared Kushner dhe Ivanka Trump ishin këshilltarë të Donald Trump në mandatin e tij të parë

    Pak pas humbjes së Trump në 2020, Kushner krijoi Affinity Partners, me bazë pranë Miamit, duke menaxhuar 3 miliardë dollarë fonde, përfshirë 2 miliardë nga fondi publik saudit. Deri në vitin 2024, Affinity kishte përfituar 157 milionë dollarë tarifa menaxhimi.

    Miqtë e Kushner nuk shohin problem në konfliktet e mundshme. Ata thonë se ai është një njeri që i bën gjërat të ndodhin, qoftë kur rindërton Gazën sipas vizionit të vjehrrit të tij, qoftë kur ndërton resorte në Shqipëri.

    “Jared është një negociator i shkëlqyer”, tha një mik. “Ai e di çfarë do dhe shkon drejt saj. Nuk flet budallallëqe, është shumë i qetë dhe nuk është asnjëherë konfuz”.

    Në Shqipëri, Ivanka Trump dhe Edi Rama diskutuan planet për zhvillimin e bregdetit gjatë një dreke në resortin luksoz Bojo.

    Rama mund të kishte qenë në Davos, ku pritej të prezantohej si anëtar i Bordit të Paqes të Trump, por zgjodhi të qëndrojë në Shqipëri.

    “Duhej të zgjidhja: të përgjigjesha për babain apo të mirëprisja vajzën këtu në Shqipëri, dhe zgjodha vajzën”, tha Rama në Kuvend, duke shtuar: “Dhe sigurisht e zgjodha vajzën me lejen e babait.”

    Ivanka Trump, e konvertuar në judaizëm në vitin 2009, para se të martohehj me Kushner, që është nip i një të mbijetuari të Holokaustit, kërkoi një vakt kosher (i gatuar sipas rregullave judaike). Kuzhinieri Henri Fejzulla tha se kishte vetëm pak orë paralajmërim para se të vinte i gjithë grupi.

    Ivanka Trump në një restorant në Shqipëri

    “Menuja u përgatit sipas një metode speciale, metoda kosher”, tha ai. “Na njoftuan rreth mesditës. Më herët, dikush nga stafi i Ivanka Trump erdhi dhe na tha se mishi ishte i ndaluar, skuqja ishte e ndaluar dhe enët duhej të ishin absolutisht të pastra. Na kërkuan të ishim në nivelin më të lartë të disiplinës.

    Kërkuan një sallatë jeshile me perime vendase, makarona paccheri të ziera dhe të marinuara me borzilok dhe vaj ulliri. Ishin receta të thjeshta, sepse skuqja ishte e ndaluar, po ashtu edhe filetot e peshkut me perime. Ishte e vështirë për shkak të metodës së gatimit, por me produkte të thjeshta dhe natyrale.”

    Zonja Trump kishte qenë një mysafire ideale. “Nga salla e ngrënies më thanë se gjithçka ishte shumë e mirë. Ivanka ishte e thjeshtë, shumë modeste,” tha shefi i kuzhinës më pas.

    Zonja Trump duket se e kishte shijuar qartë qëndrimin e saj. “Shqipëria është magjike!” shkroi ajo në Instagram, duke e shoqëruar postimin me një foto të gjurmëve të këmbëve në rërë që të çonin drejt ujërave ende të ngrohta të Mesdheut në dimër.

    Me zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë, duket se nuk ka asgjë që mund ta ndalë zotin Kushner dhe zonjën Trump në tre vitet e ardhshme dhe më tej. Me nuhatjen e tij për biznes dhe sharmin e saj, çifti ka gjasa të pushtojë botën.

    The Telegraph

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit