16.5 C
Tirana
E enjte, 26 Mars, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Themeluesi i Top Media, Dritan Hoxha nderohet me titullin “Mjeshtër i Madh”!

    Themeluesi i Top Medias, Dritan Hoxha është dekoruar me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj.

    Ky nderim nga kreu i shtetit për vizionarin që transformoi konceptin e medias vizive në Shqipëri, vjen 15 vite pas ndarjes së tij nga jeta.

    Si një ëndërrimtar e vizionar i palëkundur, guximtar në krijimtari, inovator e pasionant e cilësoi Begaj themeluesin e Top Medias, që  arriti të krijojë një vepër të papërsëritshme për nga dimensionet.

    “Njeriu që punoi natë e ditë për të realizuar projektin e jetës, ai e meritoi mbiemrin e ri me të cilin njihej si Tani i Topit”, tha Begaj.

    Duke e vlerësuar Top Channel, si televizionin që kishte munguar, Begaj rikujton vitet e para të ngritjes së televizionit të shqiptarëve, që dallohej jo vetëm nga teknologjia e lartë, por mbi të gjitha, nga cilësia e programeve për të gjitha grupmoshat e shoqërisë tonë, mision, i cili vazhdon edhe sot njësoj.

    Të nderuar familjarë të familjes Hoxha,  Të nderuar gazetarë e punonjës të medias Top Channel, Të nderuar pjesëmarrës! Sot kam kënaqësinë të nderoj me titullin Mjeshtër i Madh, një nga personazhet më të njohura të medias vizive shqiptare, zotin Dritan Hoxha.  Guximtar në krijimtari, ëndërrimtar e vizionar i palëkundur, inovator e pasionant ai arriti të krijojë një vepër të papërsëritshme për nga dimensionet. Njeriu që punoi natë e ditë për të realizuar projektin e jetës, ai e meritoi mbiemrin e ri me të cilin njihej si Tani i Topit. Shembulli i tij është tregues se si sipërmarrja private shndërrohet në një të mirë publike. Se si shqiptari mund t’ia dalë të jetë i suksesshëm edhe në vendin e vet. Se si suksesi në biznes mund të shoqërohet me bujari dhe filantropi.

    Dritani ishte një nga ata pak njerëz që të ardhmen e shohin tani. Media që krijoi ishte televizioni shumë i munguar nga ekrani i shqiptarëve. Ajo dallohej jo vetëm nga teknologjia e lartë, por mbi të gjitha, nga cilësia e programeve për të gjitha grupmoshat e shoqërisë tonë.

    Tani i Topit vendosi standartet e larta të medias vizuale, mbështeti qindra të rinj e të reja të realizonin talentet e tyre dhe krijoi koncepte të reja të cilat e ngritën nivelin e informimit në Shqipëri.

    Ai pati largpamësinë që nëpërmjet paketës digjitale të shpërndante lajmin dhe gjuhën shqipe duke kontribuar në këtë mënyrë në ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës shqipe edhe tek diaspora jonë. Sot trashëgimia e tij është jo vetëm sipërmarrëse, por edhe pjesë e rëndësishme e trashëgimisë tonë mediatike.

    Uroj dhe besoj që këtë trashëgimi të vazhdoni ta çoni përpara Ju, familja e tij me përgjegjësi dhe krenari”-ishte fjala e presidentit Begaj.

    Në ceremoninë emocionuese nga fjalët vlerësuese të kreut të shtetit, drejtuesja e Top Channel, Lori Hoxha, në fjalën e saj falënderuese shprehu me bindje të fortë, se vlerat që Top Media përcjell prej vitesh, do të ruhen me fanatizëm, nder dhe përgjegjësi të plotë, ashtu sikurse Dritan Hoxha e ideoi.

    Në emrin tim dhe të gjithë familjes, doja të falënderoja zotin President për nderin dhe vlerësimin që iu bë sot tim ati. Për ne është lumturi e madhe që sot pas 15 vitesh nga ikja e tij, ai mbahet gjallë  nga veprat dhe nga ndikimi që pati tek jeta e çdo shqiptari. Unë jam mirënjohëse për atë, po aq sa duhet të jetë çdo shqiptar. Për njeriun e pakapshëm që ishte dhe për dëshirën që pati për të ndërtuar një media, e cila edhe sot jeton me frymën dhe vizionin që ai la. E vetmja media shqiptare që vazhdon e mbahet me dëshirën për të bërë gjëra të bukura, e për t’i shkuar sa më afër të vërtetës në çdo gjë që bën.  Media e cila ruan me dinjitet themelet duke vrapuar drejt së ardhmes pa frikë dhe pa kompromise. E vetmja media e trashëguar te brezi i ri. Ai brez që e mësoi shqipen të pacenuar sepse Dritan Hoxha besoi fort se e ardhmja është shqip, dhe ajo s’duhet prekur. Media e cila çdo ditë ka mbi tetë prodhime shqip, e çdo mbrëmje flitet shqip. Media që e ruan edhe kur humb gjuhën dhe trashëgimin”.

    Themeluesi i Top Media, Dritan Hoxha nderohet me titullin “Mjeshtër i

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit