Zyrtarja e lartë e Partisë Demokratike, Adriana Kalaja ka bërë një reagim në lidhje me lajmet e raportuara se ajo ishte tërhequr nga kjo forcë politike pas rezultatit të dobët të 11 Majit.
Ajo ndan një fotografi nga poligoni dhe thotë se nuk është larguar nga Partia Demokratike dhe se lajmet janë për të janë të pavërteta. Sipas Adriana Kalasë, burimi i këtyre informacioneve janë mediat që i shërbejnë pushtetit.
“Së pari, informoj të gjithë miqtë e mi realë dhe virtualë që janë dëshpëruar nga ky lajm se, unë nuk jam dorëhequr, pasi siç më njohin shumë mirë ata, unë nuk largohem dhe nuk i kthej “kurrizin” askujt, qoftë dhe 1 person të jetë bashkuar me parimet e mia.
Së dyti, informoj të gjithë ata që janë gëzuar nga ky lajm, se nuk i’a jap këtë kënaqësi, se siç e dinë ata, unë kauzat i çoj deri në fund. Së treti, do vijoj të kontriboj për vendin tim, pasi:
1. Unë politikën vijoj ta shoh si moral të vlerave.
2. Unë nuk bëj kompromis me të vërtetën.
3. Për mua, korrupsioni dhe krimi nuk kanë ngjyrë.
Aq më shumë tani, që denoncimet i’a bëj me dije drejtpërdrejtë Senatit dhe Kongresit amerikan si dhe Ambasadës së SHBA, të akredituar në Shqipëri.
Do shihemi së shpejti…”, shkruan Adriana Kalaja, duke theksuar se dhe degët e PD-së së Tiranës e kanë shpallur non-grata prej tre vitesh.
“PS: Duke i qëndruar 100% komentit që kam bërë te një nga Degët ku unë kam qenë e deleguar dhe u bë viral, ka “një të mirë” kjo punë se, pasi më shpallën non grata prej 3 vitesh, të gjithë mediat e regjimit, kanë që mbrëmë që më ftojnë nëpër studio”, shprehet ajo.