6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Ura e Zogut po vdes, Ministria e Kulturës është varrëmihsja e saj

    Nga Luljeta Nelallari

    Ura e Zogut që ndodhet mbi lumin Mat në Milot, një ndër veprat më të bukura dhe të rralla në kohën e Mbretërisë, po degradohet çdo ditë.  Edhe pse kjo urë rezulton te monumentet e kulturës pranë Ministrisë së Kulturës, Ura e Mbretit Zog mezi mbahet.

    Së fundmi ishte Federata Europiane për Trashëgiminë Kulturore “Europa Nostra” që e përzgjodhi Urën e Milotit si një nga sitet në rrezik të Europës, që vjen edhe si një konfirmim nga specialistët europianë që kjo urë mbart vlera historike dhe monumentale.

    Arkitektja dhe arkeologia Lida Miraj, anëtare e Këshillit të “Europa Nostras” prej 8 vitesh, teksa pohon se ura është lënë totalisht në mëshirë të fatit që prej viteve ’90, thotë për gazetën “Si” se shpallja si site në rrezik nga Europa Nostra, është lajm i mirë se në këtë mënyrë krijohet mundësia për të mbledhur fonde për mirëmbajtjen e saj.

    “Ura e Milotit ose siç quhet ndryshe dhe Ura e Zogut se u ndërtua në atë kohë në Shqipëri ka një karakteristikë kryesore është ura e parë e para-nderur në Europë. Por në 30 vitet e fundit kjo është lënë në braktisje totale. Është interesante që një shoqatë rinore, Qendra Rinore Sebastia, aplikuan pranë Europa Nostra, me një dëshirë dhe një dedikim të madh që kjo urë e lënë në braktisje totale të paktën në këto 30 vitet e fundit të rimëkëmbet sepse u braktis në të gjithë kohërat që në ‘90 e tutje.

    Fillimisht u morën hekurat dhe u shitën për skrap. Ka pasur edhe tabelën me emrin e inxhinierit që e projektoi Erwin Schnitter, edhe ajo prej hekuri u shkul. Degradoi sepse u morën dhe inertet nga pjesa e lumit, dhe në mes ka shumë degradim gati-gati në prishje”, thotë arkitektja Lida Miraj për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “unë u gëzova shumë kur ndodhi kjo gjë, që u shpall një nga 7 monumentet në rrezik dhe do bëhet projekti për restaurimin e saj të plotë”.

    Qendra Rinore Sebastia thotë se ka që prej janarit 2021 që përpiqet të ndërgjegjësojë komunitetin dhe institucionet për Mbrojtjen e Urës së Zogut-Trashëgimi kulturore e kategorisë së parë, e cila vuan si nga gërmimet e vazhdueshme poshtë këmbëve të saj nga kompani inertesh të ligjshme dhe të paligjshme, si dhe nga efektet natyrore si reshjet e shiut.

    “Është iniciuar fillimisht një peticion, i cili është nënshkruar nga mbi 3000 qytetarë dhe i është adresuar Ministrisë së Kulturës, IKTK-së, Bashkisë Kurbin dhe Bashkisë Lezhë, nga të cilët ende nuk ka pasur një reagim konkret. Nga shkresat e shumta që kemi dërguar për informacion, marrim prej 7 muajsh të njëjtën përgjigje, që po ngrihet një grup ndërsektorial ekspertesh për verifikimin e shkaqeve dhe pasojave të degradimit të Urës së Zogut.

    Duke qenë të pashpresë në një përgjigje nga institucionet shqiptare, në shtator 2021 jemi bërë anëtarë të Organizatës Pan-Europiane Europa Nostra, dhe kemi kandiduar Urën e Zogut në Programin e 7 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore në Europë dhe Ura e Zogut u përzgjodh në këtë program”, thotë për Gazetën “Si” Emarilda Leti nga Qendra Rinore Sebastia, ndërsa shton se “shumë shpejt do të kemi ekspertët e Europa Nostra në terren, dhe gjithashtu një mbështetje financiare”.

    Prej 30 vitesh ura nuk e kryen më funksionin e saj të parë, siç e projektoi inxhinieri zviceran Erwin Schnitter dhe e zbatoi ai shqiptar, Gjovalin Gjadri. E megjithatë, në vitin 1999 ajo u shpall monument kulture.  Arkitektja Miraj teksa thotë se ura i është gjunjëzuar shpërfilljes institucionale, hedh akuza mbi Ministrinë e Kulturës, pasi sipas saj nuk ka bërë asgjë për ta mbrojtur.

    “Ministria e Kulturës nuk ka bërë asgjë, absolutisht asgjë në gjithë këto vite. Nuk e di ku shkojnë fondet për rijetëzimin dhe rikonstruksionin e monumenteve, por aty nuk ka pasur asnjë ndërhyrje, vetëm braktisje që prej viteve ’90-’92. Ministria e Kulturës natyrisht që ka përgjegjësi, sepse duhet të ishte mbrojtur”, vijon Miraj.

    Gazeta “Si” u interesua edhe pranë Ministrisë së Kulturës për rrezikun që kësaj ure i kanoset dhe politikat e saj për ta mbrojtur, por nuk dha një përgjigje. Ndërsa, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore i pyetur nga Gazeta “Si” thotë se “është pjesë e grupit të punës të caktuar për bashkëpunimin ndërinstitucional në nivel ekspertësh për të përcaktuar shkaqet që kanë sjellë dëmtimin e objektit pasuri kulturore, si dhe identifikimin e masave emergjente dhe afatgjata që duhen ndërmarrë për eliminimin e shkaqeve e pasojave”, por nuk jep asnjë masë dhe plan konkret.

    Miraj shton më tej se që me ndërtimin e Rrugës së Kombit, ura nuk u përdor për kalimin e mjeteve, duke e bërë atë lehtësisht të aksesueshme nga persona të papërgjegjshëm që po i vjedhin çdo ditë elementët metalik për t’i shitur më pas për skrap.

    “Rruga e Kombit e mbylli dhe bllokoi. I dha një lloj izolimi, sepse përpara kur shkoje për në Shkodër kaloje nga Ura e Zogut”, thotë Miraj, e shpreson që kësaj ure t’i kthehet funksioni me restaurimin.

    Miraj thotë se ura 490 metra e gjatë që lidh dy skajet e lumit Mat dhe është lënë pa vëmendje është shumë e bukur nga ana arkitektonike, dhe shumë e bukur dhe nga ana konstruktive, kështu që është fat i madh që kjo të rimëkëmbet.

    Pas shpalljes nga Europa Nostra, si site në rrezik pritet që të hartohet projekti dhe më pas të vijojë me mbledhjen e fondeve.

    “Për projektin janë caktuar një arkitekt dhe një konstruktor spanjoll, që janë marrë me monumentet e kulturës dhe ato po e bëjnë projektin. Për fat gjetëm dhe projektin origjinal në Shqipëri. Ne kemi një mbledhje të Këshillit të “Europa Nostra-s” tani në fillim të majit dhe aty do diskutohet edhe për projektin. Pasi të bëhet projekti, do bëhet mbledhje fondesh, ndoshta nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës.

    Do investohet për konsolidimin dhe restaurimin e saj. Konsolidimi do të thotë që përveçse do rikonstruktohet, do të jetë e ruajtur. Projekti do vijë dhe do miratohet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore”, shpjegon Miraj, ndërsa veçon një problem se “në Ministri nuk para ka specialistë që të jenë tamam për këtë punë”.

    Ura e Zogut që është një nga më të veçantat për strukturën e saj arkitekturore, ku stili i harqeve i jep asaj edhe vlerë muzeore u përurua më 26 maj të vitit 1927, ku inxhinieri Gjovalin Gjadri zbatoi projektin e kolegut të ri zviceran, asokohe vetëm 30 vjeç, Erwin Schnitter, i punësuar nga firma triestine “Mazorana & Co. Triest”.

    Atë kohë, ndërtimi i një ure mbi Matin që të shërbente për rrugën kryesore kombëtare nga Jugu në Veri të vendit ishte një nga nevojat më urgjente.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit