Në vitin 2021, konsumi i bananeve në vend rezulton që të ketë arritur një nivel rekord, të paktën sipas shifrave zyrtare. Të dhënat nga Doganat bëjnë të ditur se u importuan gjithsej banane me vlerë 3 miliardë lekë (rreth 25 milionë euro). Në krahasim me vitin e mëparshëm, importet u zgjeruan me 9.1%, ndërsa në raport me një dekadë më parë janë dyfishuar.
Në sasi, në vitin 2021 u importuan gjithsej 34.4 milionë kg, ose 10% më shumë se një vit më parë.
Konsumi për frymë, katër herë më i lartë se në Francë
Të dhënat e përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se konsumi për frymë i bananeve në vitin 2021 arriti në 12.2 kg/frymë, më i larti historik në vend. Në krahasim me një dekadë më parë, konsumi për frymë rezulton i dyfishuar (në vitin 2010 ishte 6 kg/frymë).
Sipas Faostat, në nivelet e 2021, konsumi për frymë i bananeve në Shqipëri i është afruar mesatares vjetore, ndërsa ai është tre herë më i lartë se Franca (4 kg për frymë). Zyrtarisht rezulton se shqiptarët konsumojnë më shumë banane edhe se Spanja (7 kg/frymë), Greqia (10.8), Italia (11). Konsumin më të lartë në Europë e ka Mbretëria e Bashkuar (17 kg/frymë).
Shtetet, kryesojnë Ekuadori dhe Kolumbia
Ekuadori është shteti kryesor, nga ku importohen bananet në vend, me 77% të totalit, me një vlerë prej 2.4 miliardë lekë, në dyfishim në raport me një dekadë më parë.
Nga viti 2016, u shënua një rritje e ndjeshme e importeve nga Kolumbia, që arriti nivelin më të lartë në 2018-n me 315 milionë lekë, duke u ulur më pas në dy vitet në vijim, për t’u rritur sërish në 2021. Në 2021, nga Kolumbia erdhën 10% e totalit të importeve të bananeve.
E treta është Kosta Rika, me 7% të totalit. Nga ky shtet u shënua rritje e ndjeshme e eksporteve në 2021.
Po në vitin 2021, u rritën ndjeshëm blerjet e bananeve nga dy shtete të rajonit, ndonëse mbeten në një vlerë të ulët, përkatësisht Greqia (3%) e totalit dhe Mali i Zi (1%).