Juristi Ylli Manjani, i ftuar këtë të enjte në emisionin Now me Erla Mëhillin, foli mbi ndryshimet e fundit të Kodi Penal, kryesisht mbi pikën 7 të nenit 28, e cila thotë se pjesëtari i organizatës kriminale përfiton përjashtimin nga dënimi ose uljen e tij, kur jep ndihmesë.
Sipas Manjanit, kjo pikë praktikisht sot u thotë pjesëmarrësve të grupeve terroriste apo bandave kriminale që të mos spiunojnë shokët, sepse nuk do të përfitojnë ulje dënimi.
“Nëse i referohemi asaj që ka shkruar projektligji, kodi që është miratuar, sepse edhe këtë duhet ta verifikojmë nëse është kështu, pasi kam parë kodin, kam parë projektin që ka hyrë në Parlament dhe më duket se është pa ndryshime. Po i referohem këtij dokumenti, që po e zëmë se ka dalë kështu nga Parlamenti.
Duhet ta themi edhe këtë, sepse asnjë garanci nuk ka sot në kohën e inteligjencës, jo artificiale. Nëse e kanë bërë këtë, po, praktikisht sot u thonë këtyre pjesëmarrësve të grupeve terroriste apo bandave kriminale që mos spiunoni shokët, sepse kot e keni, nuk do të përfitoni ulje dënimi. Se si rri kjo, ka edhe një analizë tjetër që duhet bërë, që të mos jemi shterues në këtë pjesë.
Në këtë moment unë analizën nuk ua bëj dot, sepse më duhet ende kohë që ta shikoj. Se si rri ky neni 28 me nenet e tjera duhet parë me vëmendje, nuk është kaq e prerë me thikë. Në Shqipëri, çështja e bashkëpunëtorëve të drejtësisë ka qenë dështimi më i madh.
Ata që kanë kërkuar bashkëpunim me Prokurorinë, përgjithësisht me SPAK dhe jo vetëm, për të zbuluar elementë kriminalë dhe të tjerë, në shumicën dërrmuese kanë rezultuar të pavërteta, të paverifikuara dhe mashtruese me ligjin, kanë gënjyer”, u shpreh Manjani.



