13.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Shkurt, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Adoleshenca zgjat deri në të 30-at, studimi i ri zbulon periudhat kyçe të trurit: Kur arrihet “pjekuria”

    Shkencëtarët kanë zbuluar se truri i njeriut kalon nëpër pesë faza të dallueshme gjatë jetës, me pika kyçe ndryshimi në moshat 9, 32, 66 dhe 83 vjeç. Studimi u bazua në skanime të rreth 4,000 personave deri në moshën 90 vjeç dhe tregoi se lidhjet mes qelizave të trurit ndryshojnë me kalimin e viteve në mënyra jo të njëtrajtshme.

    Hulumtuesit nga Universiteti i Kembrixhit shpjegojnë se truri mbetet në fazën adoleshente deri në fillim të të tridhjetave, periudhë kur funksionon më efikas dhe arrin “kulmin” e tij. Këto gjetje mund të ndihmojnë në shpjegimin e ndryshimeve të rrezikut për çrregullime të shëndetit mendor dhe demencë përgjatë jetës.

    Pesë fazat kryesore të trurit janë:

    Fëmijëria (0–9 vjeç)

    Gjatë kësaj periudhe truri rritet me shpejtësi dhe heq lidhjet e tepërta nervore të krijuara në fillim të jetës. Efikasiteti i tij është më i ulët, me funksionim më intuitiv dhe më pak të strukturuar.

    Adoleshenca (9–32 vjeç)

    Në moshën 9 vjeç fillon një periudhë e madhe riorganizimi. Lidhjet nervore bëhen më të sakta dhe më efikase – ndryshimi më i thellë i gjithë jetës. Kjo është edhe faza kur rritet rreziku për shfaqjen e çrregullimeve të shëndetit mendor. Sipas studiuesve, ky është i vetmi moment kur truri rrit efikasitetin e tij, duke arritur kulmin në fillim të të tridhjetave.

    Të rriturit (32–66 vjeç)

    Pas moshës 32 vjeç nisin ndryshime më të ngadalta dhe truri hyn në periudhën e tij më të qëndrueshme. Efikasiteti fillon të bjerë gradualisht, në përputhje me stabilizimin e inteligjencës dhe personalitetit.

    Plakja e hershme (66–83 vjeç)

    Kjo fazë shoqërohet me ndryshime në mënyrën se si komunikojnë rajonet e trurit. Në vend të funksionimit si një tërësi e bashkërenduar, zona të ndryshme fillojnë të punojnë më të izoluara. Kjo moshë përkon edhe me shfaqjen e rreziqeve më të larta për demencë dhe probleme të tensionit të lartë.

    Plakja e vonë (83+ vjeç)

    Pas moshës 83 vjeç, modelet e ndryshimit të trurit intensifikohen. Megjithëse të dhënat janë më të pakta për këtë grupmoshë, vihet re një fragmentim edhe më i madh i komunikimit nervor.

    Studiuesit theksojnë se këto faza nuk ndodhin në mënyrë identike tek të gjithë njerëzit, por moshat e identifikuara përputhen dukshëm me momente të rëndësishme si puberteti, ndryshimet sociale në të tridhjetat ose shëndeti më i brishtë në pleqëri.

    Ekspertët e neuroskencës e konsideruan studimin si një hap të rëndësishëm në kuptimin e zhvillimit dhe plakjes së trurit, duke theksuar se mënyra se si lidhen rrjetet nervore është e lidhur ngushtë me vëmendjen, gjuhën, kujtesën dhe sjelljen.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit