15.5 C
Tirana
E mërkurë, 8 Janar, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Belind Këlliçi, si zonja Meri me parashikimet për Veliajn

    Ish-kandidati për kryetar bashkie i Tiranës, Belind Këlliçi, ka çdo ditë nga një teori për lëvizjet e Erion Veliajt.

    Disa ditë më parë, ai dhe kryetari i partisë së tij deklaruan se Veliaj nuk do të kthehej nga udhëtimi në SHBA.

    Dje, në një emision televiziv, Këlliçi tha se Erion Veliaj po bëhet gati për t’u arratisur drejt Zvicrës. Ndërsa sot, drejtuesi politik i PD për Tiranën, Belind Këlliçi, ka deklaruar se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, nuk ka arritur të hyjë në territorin e SHBA-së, pasi i është ndaluar hyrja dhe se SPAK nuk po lëshon një fletarrest për të, në mënyrë që të mos arratiset nga vendi.

    Pa paraqitur asnjë argument bindës apo dokument, Belind Këlliçi shfrytëzon çdo hapësirë që në situatën ku SPAK po heton Veliajn për katër akuza, të marrë pak protagonizëm duke u shfaqur si fallxhor që parashikon të ardhmen e Veliajt.

    Në fakt, kjo e fundit, më shumë se në filxhanin e Belos, është e shkruar në dosjet e prokurorëve që po hetojnë kryetarin e bashkisë. Vetë Belind Këlliçi, më shumë se të bredhë si tellall studio më studio për të parashikuar fatin e Veliajt, bën mirë të takohet me strukturat dhe njerëzit e PD-së për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme. Fati i Veliajt është vula që do të vendoset në PS, por jo rrjedhimisht kjo do t’i sjellë fitoren PD-së dhe Belind Këlliçit në Tiranë.

    Ndaj, më mirë se të përfundojë si konspiracionistët e studiove televizive, politikanët si Belind Këlliçi me shokë bëjnë mirë të përveshin mëngët e të mbledhin vota. Sepse për parashikimet e fatit na mjafton zonja Meri.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit