21.5 C
Tirana
E mërkurë, 19 Qershor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Dashuria nuk njeh moshë, Donaldi tregon martesën me amerikanen 15 vite më të madhe

    Nga Entela Resuli

    Dashuria nuk njeh moshë, e kemi dëgjuar shpesh si shprehje, por sot do ju njohim me një çift që këtë e kanë bërë realitet.

    Christy Loop Dervishi dhe Donald Dervishi janë një çift jo shumë i zakonshëm për realitetin tonë. Christy është amerikane, 52 vjeçe, ndërsa Donaldi është nga Skrapari, 37 vjeç.

    Shtatë vite më parë u njohën rastësisht. Pas takimit të parë nëna e tre fëmijëve Christin dhe Donaldi nuk u ndanë më kurrë. Ajo është 15 vite më e madhe se Donaldi, por ky fakt nuk e ka penguar çiftin që të zgjerojnë familjen e tyre. Në gusht të vitit të kaluar ata janë bërë prindër të një vajze, e cila i ua ka gëzuar zemrën.

    Donaldi është një djalë i cili është përpjekur gjithmonë t’ia dalë vetë në jetë. Ai ka provuar edhe eksperiencën televizive Big Brother në vitin 2014, ku shumë shpejtë e ka kuptuar që ky format nuk ishte për të.

    Ka punuar mësues në fshatin e tij të lindjes, ka punuar në ushtri, tani gjendet në Prishtinë, pasi bashkëshortja është e vendosur me punë atje.

    Në Dhomën e Rrëfimit Donaldi na tregon se si ka ndryshuar jeta e tij herë pas here, deri sot ku është gati për t’u larguar drejtë Shteteve të Bashkuara.

    -Donald, na tregoni pak më shumë për fëmijërinë tuaj. Ku jeni lindur dhe rritur?

    -Fëmijëria ime ka qenë e mbushur me sfida dhe ulje-ngritje. Kam lindur në një fshat shumë piktoresk në Skrapar, i quajtur Therepel në një familje shumë të respektuar në atë zonë nga dy prindër fermer, të cilët nuk reshtën kurrë së punuari deri sa na rritën dhe dhanë edukimin e duhur, mua, fëmijës së dytë, motrës dhe vëllait të vogël.

    Kam qenë një djalë shumë i urtë dhe tepër miqësor, si në familje edhe në shoqëri. Aq i urtë kam qenë sa shpeshherë jam vënë edhe në lojë nga shokët. Sot në gjuhën e medias quhet bullizim. Mirëpo, këtë gjë në atë kohë e kam marrë më tepër si nxitje për të përmirësuar veten, sesa një formë për t’u demoralizuar nga dëshirat dhe ëndrrat që kam pasur, kur isha ende fëmijë, madje mund të them edhe kur u rrita në moshë madhore.

    Jeta ime shpeshherë më është dukur si jeta e një personazhi librash apo filmash, ku vuajtja dhe mundimi më kanë forcuar më shumë dhe më kanë dhënë më shumë forcë për të ecur para, duke mos e vrarë fare mendjen për pengesat apo “gurët nën rrota” që mund të më vinte dikush.

    Familja ime nuk ka qenë një familje me të ardhura financiare të larta, çdo person në familje duhet të punonte çdo ditë për të pasur një jetesë normale me ato kushte që ka pasur jeta e fshatit. Dita ime niste duke u përgatitur për të shkuar në shkollë.

    -Ju keni punuar dhe si mësues apo jo?

    -Hera e parë kur unë kam filluar përvojën time si mësues ka qenë viti 2004. Në atë kohë ende një fëmijë 18 vjeçar, përfundova shkollën e mesme pedagogjike. Kjo të jepte mundësi në atë kohë që të filloje si mësues(në atë kohë ka pasur shumë nevojë për mësues, pasi emigracioni bëri që të krijohej një hendek shumë i madh në sistemin arsimor, saqë filluan të futeshin si mësues edhe persona që ishin me gjimnaz) edhe me shkollë të mesme, aq më tepër që kjo e imja ishte e specifikuar për mësuesi, ndryshe nga shkollat e tjera të mesme që ishin të përgjithshme ose të specializuara për një fushë ta caktuar. Duke qenë se familja ime nuk mund të na mbështeste dot financiarisht, mua dhe motrën time, e cila në atë kohë ishte në fundin e studimeve për mësuesi, m’u desh mua të shkëputesha për një vit, derisa motra të përfundon shkollën e lartë dhe vitin tjetër të nisja unë studimet e larta. Atë vit nga 2004 deri më 2005, gjeta një vend pune si mësues i gjuhës dhe letërsisë.

    -Emrin tuaj e kemi dëgjuar edhe përpara disa vitesh ku ndërmorët një iniciativë për të ndërtuar shkollën e fshatit. Na tregoni pak më shumë për këtë moment?

    -Pas disa vjetësh përvoje punë në fshatin tim, erdhi momenti më 2017 që të merrja një pozicion si drejtor në zonën time. Do të kisha në menaxhimin tim tre shkolla fillore dhe dy shkolla të tjera që kishin nxënës nga klasa e parë deri në klasë të nëntë. Behej fjalë për zonën e Njësisë Administrative Vendreshë. Ironia e fatit ishte që unë të isha drejtor i asaj shkolle, e cila më 2004 do të më hapte derën për herë të parë si mësues. Kjo për mua ishte dy herë përgjegjësi. Shtatori i atij viti më gjeti duke vizituar shkollat në të cilat unë nuk e dija ku ishin. Dhe për të njohur më tepër nxënësit, si dhe mësuesit, vendosa të inspektoja çdo shkollë që kishte ajo zone. Zona është e përbërë nga pesa fshatra që janë të varur në këtë njësi dhe fshati ku do të ndërtohej kjo shkollë ka qenë Vendreshë e tretë. Në atë shkollë ishte mësues ish kolegu im tashmë si dhe shok Borsion Spaho. Shkolla ishte një shtëpi e rrënuar dhe me kushte shumë të këqija. Bashkë me Borsionin ramë dakord për të marr një iniciativë për rindërtimin e shkollës.

    Më pas Borsioni aplikoi në emisionin e atëhershëm “100 milionë” në ‘Top Channel’, duke më zgjedhur mua si partnerin e tij. Që në fillim të intervistës sonë paraqitëm idenë që kjo shumë do të shkonte për ndërtimin e shkollës për ata nxënës. Fatmirësisht dolëm fitues të 250 mijë lekësh të rinj. Kjo ishte shuma e parë që ne vendosëm në bankë për t’i hapur rrugë asaj aventure. Më pas u bëmë viral në rrjetet sociale si dhe u ftuam në disa emisione televizive, ndër të vetmit që na hapën studion me shumë se një herë ka qenë Arian Cani me zonë e lirë, ku arritëm të përçonim disa mesazhe pozitive nga ku na ua bashkuan edhe miq te tjerë në kontributet e dhëna. Gjatë asaj kohe më është dashur të udhëtoja shpesh nga Therepeli për në Tiranë, Durrës apo qytete të tjera për ta takuar miq të cilët filluan të kontribuonin shuma të ndryshme parash. Njerëzit na u bashkuan nga e gjithë bota, që nga Kanadaja e largët, Amerika, apo edhe vendet e Europës. Në fund shuma u arrit. Ndërtimi i shkollës zgjati vetëm 21 ditë dhe pas 21 ditësh më datë 5 shtator ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, pesë nxënësit e asaj shkolle do të nisnin vitin e ri shkollor 2018-2019 në një godinë të re. Ky ka qenë një nga momentet më të bukura të jetës sime. Të shikoje fytyrat e atyre fëmijëve që qeshnin, nuk kishte lumturi më ta madhe.

    -Donald një tjetër fakt interesant në jetën tuaj është edhe se ju jeni i martuar me një shtetase amerikane. Mund të na tregoni më tepër rreth kësaj historie. Ku jeni njohur, kur dhe si kanë lindur ato shkëndijat e para?

    -Po njohja midis nesh ka ndodhur krejt rastësisht. Bashkëshortja ime Christine në atë kohë punonte si mësuese në një shkollë private në Durrës. Një shoku im shqiptar më fton për të qenë pjesë e një grupi të cilët do të vizitonin kalanë e Petrelës në Tiranë. Takimi me të gjithë do të bëhej te Komuna e Parisit për të vazhduar me makina drejt Petrelës nga ku do të fillonim ecjen tonë rreth përqark fshatit. Ka qenë data 11 shkurt i vitit 2017. Kemi qenë mbi pesëmbëdhjetë veta të huaj edhe shqiptarë, ku midis të tërëve ishte edhe Christine. Në fillim nuk e kam parë si një person me të cilin do doja të nisja një histori, por me kalimin e kohës duke dalë bashkë kuptova që ajo më shumë se unë kishte një pëlqim që më pas u kthye në një ndjenjë dashurie midis ne të dy.

    Dashuria nuk njeh moshë, Donaldi tregon martesën me amerikanen 15 vite

    Donald dhe Christine

    -Çfarë të pëlqeu më shumë të bashkëshortja juaj?

    -Te Christine më ka pëlqyer që ishte një njeri me energji pozitive, me një të folur shumë të pastër dhe fakti që mundohej të gjente fjalët e duhura në anglisht, në mënyrë që unë ta kuptoja më bëri edhe më shumë ta pëlqeja. Sepse duhet thënë se në fillim nuk kam qenë mirë me anglishten, duke u njohur dhe vazhduar lidhjen tonë, arrita të mësoja më shumë anglisht. Bidedat tona ishin të gjata, arrinim ta kuptonim njëri-tjetrin shumë çështje të ndryshme, kjo bëri pastaj që pëlqimi im ndaj saj të rritej dhe të kthehej në një dashuri.

    -Ajo ka disa vite diferencë me ju, a përbën problem ky fakt për familjen dhe shoqërinë tuaj?

    -Po, 15 vite, por dua të them që për mua kjo nuk ka përbërë asnjëherë problem. Nuk e kam parë asnjëherë moshën te Christine, por shpirtin e saj. Në familje, si në çdo familje tjetër shqiptare gjithmonë janë këto pikëpyetjet e fillimit dhe dyshimet se a do të ishte e duhura për mua. Me kalimin e kohës duke qenë se familja ime e pa që lidhja jonë ishte serioze dhe duke njohur dhe Christine arriten të kuptojnë se midis nesh kishte diçka, pra nuk ishte një lidhje pa ndjenja dashurie. Shoqëria ime mund të them që e ka përkrahur, ndoshta mund të ketë patur edhe njerëz që nuk e kanë pëlqyer, por mua nuk më janë shprehur ndonjëherë për këtë fakt, ndaj nuk mund të them me siguri që nuk kanë dashur të na shikojnë bashkë.

    -Ju kanë thënë ndonjëherë që ju jeni martuar me të vetëm për dokumente, si i jeni përgjigjur këtyre njerëzve?

    -Ka pasur që më kanë thënë, por nuk i kam lejuar ta vazhdonin si bisedë nëse respektonin vendimin tim për të vazhduar lidhjen që unë kisha krijuar. Me shumë mirësjellje i kam këshilluar që të më respektonin mua dhe Christine, por pa i fyer.

    -Po për familjen e saj? A patën ndonjë paragjykim apo kundërshtim që ajo ishte lidhur me një shqiptar?

    -Këtë gjë nuk mund ta them, sepse nuk kam dëgjuar ndonjëherë nga Christine të më flas për këtë diçka të tillë. Mund të them që përderisa Christine me ka dashur mua dhe ka dashur lidhjen tonë që të vazhdojë, nga familja e saj ka pasur vetëm respektim të këtij vendimi.

    -Tashmë jeni bërë prindër apo jo. Mund të na tregoni pak më tepër për ndjesinë dhe ndryshimin e jetës që u ka sjell fëmija?

    -Për mua ka qenë një dëshirë që në fillimet e lidhjes sonë. Edhe pse Christine ka pasur tre fëmijë në kohën kur jemi njohur, ajo gjithmonë kishte dëshirë që të kishte edhe një fëmijë me mua. Fëmija ynë ka ardhur ne jetë më 11 gusht 2022, për mua ka qenë një ndjenë tepër e veçantë, për faktin që e kisha si dëshirë ta provoja statusin e të qenit prind dhe baba. Ardhja e Ajkanës më ka ndryshuar si njeri, më ka bërë të kuptoj më shumë rreth ndjenjës se çfarë ndjen një prind për fëmijën e tij. Me ka bërë më të përkushtuar për familjen si dhe më ka bërë të shoh atë që nuk mund ta shihja dot në sytë e prindërve të mi. Dashurinë për fëmijën, përkushtimin dhe kujdesin që duhet të tregosh për një qënie kaq të vogël dhe të pafajshme, e cila nuk mund të shpreh dot tani, se kur i flihet, kur i hahet ushqim apo kur do të dal dhe të shikojë natyrën jashtë mureve të shtëpisë.

    -Aktualisht ndodheni në Prishtinë. Pse?

    -Në Prishtinë mbushim tre vjet me shkëputje në korrik që kemi ardhur. Pas një viti që kemi jetuar dhe punuar në Egjipt. Unë në fillim erdha vetëm për të punuar si mësues në mars të 2019 dhe më pas Christine në korrik të po atij viti. Pas një viti më 2020 u larguam për të punuar dhe jetuar një vit në Kajro të Egjiptit, por për arsye se prindërit e mi dhe gjyshen i zuri covid-i, u rikthyem në Prishtinë për të qenë më afër tyre. Nga 2021 dhe deri tani, po jetojmë dhe punojmë këtu në një shkollë ndërkombëtare. Unë u shkëputa në dhjetor të 2022 për arsye se duhet të kujdesesha për vajzën, ndërsa nusja u rikthye përsëri në punë me kohë të plotë, pasi ka një pozitë drejtuese e ciklit fillor, pozitë të cilën nuk mund ta linte dot një vit, edhe pse ishte me leje lindje.

    -Pse keni vendosur të largoheni në Amerikë?

    -Është një vendim familjar. Christine ka jetuar larg prindërve të saj që nga viti 2015 dhe duke qenë se ata janë në një moshë që kanë nevojë për ndihmën e dikujt, për arsye edhe të shëndetit të tyre, kemi vendosur që të kthehemi në Amerikë për të qenë me afër tyre.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit