3.5 C
Tirana
E premte, 17 Janar, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    ‘Dhuratë për oligarkët’: PS drejt zgjerimit të amnistisë tatimore për investitorët specialë në turizëm

    Një propozim i ri ligjor i deputetit socialist, Blendi Klosi synon të përjashtojë nga tatimi mbi fitimin edhe ato biznese që do ta përfitojnë statusin e investitorit special në turizëm gjatë dy viteve të ardhshme në një nismë që kritikohet si “dhuratë për oligarkët” nga opozita.

    Nga Blerina Gjoka

    Me një nismë ligjore të deputetit Blendi Klosi, mazhoranca socialiste synon që ta shtrijë amnistinë nga tatimi mbi fitimin edhe për ato biznese që do të përfitojnë statusin special për hotele ose resorte me katër dhe pesë yje deri në dhjetor të vitit 2026.

    Sipas legjislacionit aktual të tatimeve, afati i përjashtimit nga tatimi mbi të ardhurat korporative ka skaduar më 31 dhjetor 2024.

    Në projektligjin e dorëzuar në Kuvend në dhjetor, Klosi propozon: “Entitetet që operojnë në struktura akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special” sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një markë tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht ‘brand name’, përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat korporative për një periudhe 10- vjeçare, për ato struktura, të cilat përfitojnë statusin special deri në dhjetor 2026”.

    Drafti propozon që efektet e përjashtimit fillojnë në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special”. Në relacionin shoqërues, Klosi argumenton se kjo nismë ligjore synon “incentivimin e sektorit të turizmit duke ulur normën tatimore në 0% për 10 vitet e para fiskale për hotelet dhe resortet”.

    Prej vitit 2019, qeveria e kryeministrit Edi Rama i ka dhënë statusin special të investitorit në struktura akomoduese me pesë yje një grupi biznesmenësh të afërt me të. Këto kompani përfitojnë një sërë lehtësirash të tjera fiskale si përjashtimi nga taksa e infrastrukturës si dhe tatimi mbi vlerën e shtuar, TVSH në masën 6%.

    Paralelisht me propozimin e Klosit, në Kuvend po shqyrtohet edhe nisma e një deputeteje tjetër socialiste për shtyrjen e afatit për ligjin e investimeve strategjike.

    Jorida Tabaku, deputete e Partisë Demokratike, e quajti këtë propozim një ‘ligj special” që u shërben disa njerëzve dhe “shkatërrim të shtetit të së drejtës” përmes një statusi në Facebook.

    “Socialistët nuk ndalen me propozimet e tyre të ligjeve speciale, që shkatërrojnë themelet e një shteti të ndershëm dhe ndërtojnë një qeveri të pakicës, në kurriz të shumicës,” shkroi Tabaku, duke e quajtur këtë një tjetër ‘dhuratë’ për oligarkët.

    “Ligjet speciale që qepen me porosi për interesat e një pakice të privilegjuar, nuk ndërtojnë një ekonomi për shqiptarët. Përkundrazi, ato thellojnë pabarazinë dhe korrupsionin,” thekson Tabaku duke apeluar që të bëhet ligji i ri i investimeve.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit