6.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Dibranët dhe kuksianët “shumicë” në kryeqytet. Pas tiranasve kanë peshën më të lartë të popullsisë

    Instituti i Statistikave, pas publikimit të Rezultateve kryesore të Censit për vitin 2023, ofron për publikun dhe gjithë përdoruesit, publikimin e rezultateve të dedikuara, për çdo qark dhe bashkitë përkatëse.

    Numri i popullsisë së kryeqytetit të vendit më 18 Shtator të vitit 2023 vlerësohet në 758,513, nga ku 48.4% janë meshkuj dhe 51.6% janë femra. Sipas të dhënave, nga totali i popullsisë rezulton se rreth 51.2% kanë status martesor, i/e martuar.

    Por, përveç karakteristikave kryesore, si është e përbërë popullsia e kryeqytetit?

    “Scan Intel” më herët është ndalur në migrimin e brendshëm si fenomen shoqëror përmes të cilit njerëzit zhvendosen nga vendi i tyre i origjinës në një vend tjetër brenda të njëjtit shtet. Nga analiza ka rezultuar se shqiptarët janë vendosur më së shumti mes Tiranës dhe qyteteve bregdetare.

    Nga të dhënat e Censit të vitit 2023 tani mund të bëjmë një analizë të detajuar mbi karakteristikat e popullsisë banuese, kryesisht sipas qarkut të lindjes. Shifrat tregojnë se nga rreth 758 mijë banorë në Tiranë, rreth 97.9% kanë si vendlindje Shqipërinë dhe 2.1% kanë si vendlindje një shtet tjetër.

    E shprehur në shifra absolute, në Tiranë banojnë 742,497 banorë me vendlindje Shqipërinë. Por si ndahet kjo shifër e personave që banojnë në kryeqytet sipas qarkut të lindjes?

    Nisur nga të dhënat, rreth 52.9% e kësaj shifre janë tiranas ose e thënë ndryshe persona të lindur në Tiranë. Rezulton se një pjesë e mirë e popullsisë banuese në kryeqytetin e vendit ka si origjinë Dibrën dhe Kukësin.

    Rreth 8.6% është pesha e banuesve me origjinë nga Dibra, ose në vlerë absolute regjistrohet në rreth 63 mijë. Ndërkohë, banuesit në Tiranë me origjinë nga Kukësi zënë një peshë prej 6.5% ose rreth 48 mijë. Korça është e treta me peshën më të lartë prej 5.2%, pasuar nga Fieri, Berati dhe Elbasani.

    Nga ana tjetët, banuesit në Tiranë që kanë si vendlindje Lezhën kanë peshën më të ulët me 1.9% ose rreth 14 mijë banues.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit