Elmas Bogdani
Dalin të tjera prova që shtojnë dyshimet se ish-deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi nuk ka përfunduar as arsimin e mesëm. Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur hetimet për shkollën e Belind Këlliçit, pas kallëzimit penal që ka bërë avokati i njohur, Idajet Beqiri. Prokurori i çështjes është magjistrati Elvin Gogaj. Z.Beqiri ka paralajmëruar ekskluzivisht për gazetën “SOT” se dosjen që ka çuar në SPAK do ta plotësojë me të tjera dokumente dhe prova që rrezikojnë të tronditin pozitat e Belind Këlliçit. Po ashtu, kanë shkuar të dhëna të tjera për pasurinë e dyshimtë të ish-deputetit.
Skandali me shkollën e mesme
Në kallëzimin e dorëzuar para prokurorëve specialë para pak ditësh thuhet se zoti Belind Këlliçi ka frekuentuar institucionin arsimor “Harry Fultz”, në Tiranë, e cila është një shkollë e arsimimit të mesëm. Drejtoresha e Shkollës “Harry Fultz”, Brikena Baxhaku ka konfirmuar zyrtarisht dhe në disa masmedia se deputeti Belind Këlliçi kishte përfunduar vetëm 4 vite nga 5 që duheshin kryer në këtë institucion.
Këtë fakt ajo ia ka bërë të ditur deputetit Plarent Ndreca, i cili i ishte drejtuar asaj me një kërkesë për të marrë një informacion zyrtar rreth faktit nëse ish-deputeti Belind Këlliçi, e kishte përfunduar ose jo arsimin e mesëm. Sipas dosjes, drejtoresha e Shkollës “Harri Fultz”, Znj. Brikena Baxhaku, fillimisht ka tentuar të mbuloj të vërtetën rreth arsimimit të ish-deputetit Belind Këlliçit, sepse në përgjigjen që i ka dërguar deputetit Plarent Ndreca, ka theksuar se nxënës të Shkollës “Harry Fultz”, të cilët kanë plotësuar kreditet, dhe ende nuk kishin mbaruar plotësisht shkollën e mesme, janë regjistruar në universitete në Europë dhe SHBA.
Në fakt sipas kallëzimit në SPAK të Idajet Beqirit, këto raste sporadike mund të jenë të vërteta, por vetëm pas vitit 2006, kur ka hyrë në fuqi matura shtetërore, dhe lëndët janë pikëzuar me kredite. Ndërsa ish deputeti Belind Këlliçi e ka frekuentuar Shkollën “Harri Fultz” para vitit 2005. Matura Shtetërore ka nisur në vitin 2006 dhe në databazën e Maturës Shtetërore nuk ka asnjë të dhënë për Belind Këlliçin. Nisur sa më sipër, sipas Idajet Beqirit rezulton se ish-deputeti Belind Këlliçi ka përdorur dokumente të falsifikuara për të aplikuar në universitetin amerikan Coppin State University në Maryland, duke kapërcyer procesin e rregullt të diplomimit nga shkolla e mesme. Ish deputeti Belind Këlliçi ka njëhësuar diplomën e universitetit të Coppin University SHBA, në Shqipëri. “Me këtë rast njësimi të diplomës Zoti Belind Këlliçi ka deklaruar se ka përfunduar shkollën e Mesme, në një kohë që ky fakt nuk është i vërtetë sepse është bërë me një akt zyrtar të falsifikuar, si në institucionet shqiptare, ashtu dhe në ato amerikane”, thuhet në kallëzimin penal.
Provat e reja në SPAK
Idajet Beqiri paralajmëron se ka prova që mund të vërtetojnë se pas publikimit të këtyre të dhënave, ish-deputeti Belind Këlliçi ka ndërmarrë një fushatë shantazhi ndaj drejtoreshës së Shkollës “Harri Fultz” Blerina Baxhaku për ta detyruar atë për të falsifikuar të dhënat në dokumentet zyrtare sikur ai e kishte mbaruar plotësisht gjimnazin “Harry Fultz”. Këto biseda që do të publikojmë më poshtë, avokati tregon për gazetën “SOT” se do t’i çojë në SPAK. Sipas Idajet Beqirit, mesazhe kërcënuese dhe presione të tjera janë përdorur për të ndalur ekspozimin e mëtejshëm të këtij skandali, duke thelluar edhe më shumë krizën e besueshmërisë për ish-deputetin.
Bisedat shantazhuese
Drejtoresha e Shkollës “Harry Fultz”, Brikena Baxhaku në bisedat që pritet t’i vendosen në dispozicion edhe SPAK shprehej në prill të vitit 2023 se kërcënimet ndaj saj nuk kishin të ndalur. Dyshohet se ajo i thotë personalisht Belindit se është e gatshme të publikojë me urdhër të shkollës se ai nuk ka kryer shkollën e mesme dhe nuk është përfituese e aferave të tij. Madje Baxhaku thekson se ka dokumente për të mbështetur pretendimet e saj dhe është e vendosur të firmosë dhe të paraqesë shkresat në institucionet shtetërore, duke e akuzuar Këlliçin për falsifikime dhe arrogancë.
Në një moment tjetër, Brikena Baxhaku deklaron se individi në fjalë, Belind Këlliçi, nuk ka dëftesë pjekurie. Ndërkohë ajo shtron pyetje për mënyrën se si ai ka arritur të regjistrohet në universitetin “Coppin University” në SHBA, duke mos pasur një diplomë të shkollës së mesme. Këlliçi pranon se nuk ka deklaruar një diplomë të tillë dhe se universiteti nuk i ka kërkuar një kopje të saj. Për sa i përket verifikimit të këtyre të dhënave në Shqipëri, zonja Baxhaku e pyet se si ia ka dalë të kalojë proceset e Ministrisë së Arsimit, e cila ka procedura për këtë çështje.
Por Këlliçi pranon se gjithçka është arritur duke përdorur para. Në përgjigje të ofertës së Këlliçit për të paguar para dhe shuma të mëdha për një zgjidhje, Baxhaku refuzon kategorikisht duke theksuar se nuk pranon të ndotet me paratë e tij. Ajo mbetet e vendosur dhe nënvizon se nuk do të firmosë asgjë për të. Kjo bisedë, e cila përfshin pretendime për shantazh, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion, ngre pikëpyetje të mëdha mbi Belind Këlliçin, ku sipas Idajet Beqirit ai do të japë të tjera sqarime për SPAK.
Falsifikimi
Këtu sipas Idajet Beqirit kemi të bëjmë me një vepër penale vazhduese, sepse këtë dokument të falsifikuar, pra mungesën e diplomës së shkollës së mesme, mos përfundimin e arsimit të mesëm, kapërcimin e kësaj hallke të detyrueshme arsimore, pa të cilën nuk mund të katapultosh në Universitet, ish-deputeti Belind Këlliçi nuk e ka deklaruar edhe në Formularin e Vetdeklarimit që ka paraqitur si kandidatë për kryetar bashkie në Tiranë para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në datën 24.03.2023 ku rezulton të mos ketë deklaruar përfundimin ose jo të Shkollës së Mesme dhe sesi ka kaluar në Universitet, pa përfunduar këtë hallkë të detyrueshme ligjore në sistemin arsimor në Republikën e Shqipërisë.
Misteri për orën
Gjithashtu, në dokumentet e reja të avokatit Idajet Beqiri për të plotësuar dosjen e Këlliçit në SPAK janë dhe detaje të reja nga jeta luksoze e Belind Këlliçit. “Natën e ndërrimit të vitit dhe ditën e parë të vitit të ri, Belind Këlliçi publikoi dy foto, të parën me partneren e tij Anna Shkreli, të cilën e mohoi kur doli nga dera e SPAK-ut, si dhe të dytën me familjen dhe partneren. Në foton e dytë, Belind Këlliçi, shfaqet me një orë, e cila kushton mbi 40 mijë euro. Bëhet fjalë për një orë të markës Royal Oak Chrono, të cilën Belind Këlliçi e mban në dorë. Nga një verifikim rezulton se një orë e tillë kushton 41 500 euro.
Me një orë të tillë, e cila kushton sa paga e dy viteve të një deputeti, Belind Këlliçi është shfaqur edhe në aktivitete politike. Belind Këlliçi dha llogari për dy orë në SPAK për falsifikimin e dyshuar të diplomës së gjimnazit, për burimin e shpenzimeve në fushatë dhe për mosdeklarimin e pasurisë së partneres së tij, Anna Shkreli. Këlliçi duket se është kujdesur, duke hequr orën luksoze, me sa duket për të mos tërhequr vëmendjen e hetuesve të BKH-së dhe të prokurorit Elvin Gokaj, të cilët janë trajnuar nga amerikanët që të kushtojnë vëmendje veshjeve të politikanëve të dyshuar si të korruptuar.
Këlliçi është i papunë që nga fillimi i vitit 2023, kur hoqi dorë nga mandati i deputetit, për të garuar për Bashkinë e Tiranës, ku humbi me 60 mijë vota diferencë. Por, pavarësisht kësaj, Këlliçi nuk i ka ndalur shpenzimet mijëra euro, si mbjellja e flokëve, pushimet luksoze me jaht, vizita në SHBA, foto 25 mijë USD me Trump, etj, që nuk dihet se nga e kanë burimin këto para dhe kush e financon Belon”, zbulon Idajet Beqiri në informacionet e reja që pritet t’i shkojnë SPAK.
Këlliçi llogari në SPAK
SPAK e thirri pak ditë më parë Këlliçin. Ai gjatë kësaj kohe ka sulmuar avokatin, duke e quajtur një të dënuar në katër shtete. “Të vërtetën e kam thënë publikisht, e kam sqaruar para mediave, e kanë sqaruar edhe gazetarë që kanë ndjekur çështjen, e kam sqaruar edhe para SPAK. Kjo është çështje që është ezauruar nga mediat, në 2021, në 2023, nuk kam ndërmend të jap sqarime. Ato sqarime që i kam dhënë më shkrim pranë SPAK. Arsimi dhe edukimi im është një nga krenaritë më të mëdha, jam diplomuar në Coppin University, kam ndjekur germë për germë ligjin amerikan. Jam një nga krenaritë e Harry Fultz.
Kam shok klase, kam mësues, nuk jam anonim që s’më njeh askush, mund të shkoni në 8-vjeçare të pyesni. Edukimi im është arma ime më e fortë dhe krenaria ime më e madhe”, tha Këlliçi pas daljes nga SPAK. Një tjetër çështje për të cilën dha llogari Këlliçi, burime bëjnë me dije se është ajo e deklarimit të rremë të pasurisë, pasi nuk ka raportuar për pasurinë e bashkëjetueses së tij, Ana Shkreli, vajza e Artan Shkrelit. Për t’i shpëtuar hetimeve të SPAK, Këlliçi u distancua nga gruaja e tij duke thënë se nuk jetojnë së bashku dhe nuk është i vetmi politikan që e bën këtë distancim në dyert e SPAK. “Jam pyetur për çdo gjë, për partneren time që unë dal në media publikisht dhe them që nuk bashkëjetoj me të dhe nuk jemi bashkë dhe ajo po kujdeset për familjen e saj, për vëllanë e saj”, tha Belind Këlliçi.
Çështjen e tretë për të cilën u pyet për 130 minuta nga hetuesit e posaçëm, Këlliçi e zbuloi vetë dhe që lidhet me kush ia pagoi foton me Donald Trump në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Jam pyetur se paskam paguar dhjetëra mijëra euro për të bërë foto me presidentin e SHBA Donald Trump. Ta pyesin vetë Trump, ça të them unë. Unë i kam dhënë deklaratat, kam dalë që në fillim e kam deklaruar që kam pasur zero kosto financiare”, deklaroi Këlliçi.