17.5 C
Tirana
E shtunë, 27 Korrik, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Dritëro Agolli frymëzohej nga gjinjtë e nuseve të kolme te kroi i fshatit dhe rakia, sipas Pëllumb Xhufit

    Historiani Pëllumb Xhufi ka studjuar për ca kohë në Romë, dhe sado e çuditshme të duket, kjo ka ndodhur në vitet ‘970, kur ka qenë kulmi i izolimit prej botës, e sidomos prej perëndimit. Në një shkrim të publikuar në disa gazeta, që i kushtohet Dritëro Agollit (me rastin e 5 vjetorit të vdekjes së tij), Xhufi kujton se, kur kthehej në Shqipëri gjatë verës, atë e dërgonin, bashkë me studentë të tjerë që studionin jashtë, në punë vullnetare  në aksione të rinisë.

    Përveç kësaj, për studentët e kësaj kategorie organizonin edhe takime me personalitete të jetës publike shqiptare. Qëllimi: “të mbaheshin ‘nën regjim’ të rinjtë që studionin jashtë shtetit, të cilët shiheshin me dyshim e konsideroheshin “viktimë” potenciale e propagandës dhe e ndikimeve të huaja”.

    Në një nga sezonet verore, studentëve u ra të takoheshin me Dritëro Agollin. Dhe Xhufit i ka mbetur në mendje që, kur dikush e pyeti mbi burimin e artit të tij poetik, poeti shqiptar u përgjigj në nëj mënyrë që studentët i kapi në befasi. Nuk ishte gjuha e drunjtë e nomenklaturës, që shtihej në punë edhe nga shkrimtarë socrealistë. Përgjigja e Agollit ishte:

    “Shikoni, janë tre gjëra që qysh fëmijë më krijonin një ndjenjë të ëmbël e më trazonin fantazinë. Mrekullohesha kur shihja ugaret e sapo hapura nga plugu i bujkut: më bëhej sikur nga toka e çarë dilte një avull e një aromë që më trulloste.

    Së dyti, kur shoqëroja nënën në kroin e fshatit, më tërhiqnin nuset e reja, ato të kolmet. Ndonjëra prej tyre, në pritje të vinte radha e saj, ulej diku për t’i dhënë gji foshnjës. Më pushtonte zilia për ato krijesa të vogla të ngjitur pas sisëve të bëshme, që në fantazinë time ishin burim shëndeti, bollëku e ngopjeje.

    Dhe në fund, më ka tërhequr rituali i përvitshëm i nxjerrjes së rakisë, atmosfera e sunduar nga një heshtje thuaj mistike që thyej nga kërcëllima e hunjve që digjeshin, ndërsa të gjithë, burra, gra e fëmijë, shoqëronim pa kuptuar ankthin e padurimin e babait në pritje që nga tubi i bakërt të rridhte currili i parë i ‘së shkretës’. Mund t’iu duket çudi, por ishin këto tre dobësi, të cilave më shumë se shkollës e librave i detyroj faktin që u bëra poet.”

    Një përgjigje ku nuk përfshiheshin fjalë parti, marksizëm-leninizëm, librat e shokut Enver, etj, ndonëse Agolli ishte komunist.

    Në shkrim, Xhufi, për të theksuar natyrën jo fort ortodokse të artit të Agollit, i referohet edhe fabulës së famshme të tij mbi gomarin e kalin: “Kali dhe gomari/Kalonin në një shteg të ngushtë mali/Gomari para, pas gomarit kali./Të dy me thasë të ngarkuar mirë,/Nga vapa të munduar e djersirë./Fshatari donte shpejt në fshat të arrinte/Dhe kalit vitheve me shkop i binte./Po kali më në fund durimin humbi,/E ngriti bishtin dhe samarin tundi:/“Mbaj dorën se ta hedh përdhé samarin,/Ti para meje, pse ma nxjerr gomarin?

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit