Të martën ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta, la për pak orë qelitë e paraburgimit 313, ku qëndron i izoluar prej 21 tetorit, për të shkuar në SPAK.
Për zhvendosjen e tij u përdor tuneli i nëndheshëm që lidh godinën e SPAK e Gjykatën e Posaçme me paraburgimin, ç’ka e la këtë veprim jashtë syrit të kamerave televizive.
Për 2 orët e 30 minutat në vijim, në shoqërinë edhe të avokatit Genci Gjokutaj, ish-presidenti dha shpjegime para prokurorit, Sotir Kllapi dhe një agjenti të BKH. Sipas avokatit, Meta u pyet vetëm për një nga çështjet për të cilat akuzohet.
“U pyet sa i përket lobimit në SHBA. Meta ka qenë bashkëpunues dhe tepër sqarues, për aq sa kishte dijeni dhe mbante mend, pa ju referuar akteve të cilat do të na vihen në dispozicion dhe për detaje të tjera që do të ketë interes organi i hetimit do të japë shpjegime, sigurisht, më të detajuara. Meta në këtë proces nuk ka zgjedhur heshtjen, nuk ka zgjedhur shmangien, por ka zgjedhur.”
Përveçse dha shpjegime, siç u zotua publikisht një ditë më parë, ish-presidenti edhe kërkoi shpjegime nga prokurorët e SPAK, pyetje për të cilat, në një postim në Facebook, Meta tha se prokurorët ju shmangën “për moskompetencë”.
“Pyetja jonë e parë ishte se çfarë bëhet me kallëzimin tonë të dorëzuar më 6 dhjetor në SPAK lidhur me rrëmbimin kriminal dhe banditesk. Meqenëse ata ishin të interesuar për çështjen e lobimeve, pasi ju përgjigja të gjitha pyetjeve të tyre, si President i Partisë së Lirisë, forcës së dytë opozitare në vend, u bëra unë dy pyetje që kanë të bëjnë me interesin e lartë publik, konkretisht me çështjen e lobimeve të paligjshme.
Së pari, çfarë bëhet me hetimin e çështjes McGonigal, krye agjentit të FBI të dënuar me burg për shkak të korruptimit nga kryekorruptuesi i ndërkombëtarëve, aktualisht Kryeministër? Së dyti, çfarë bëhet me hetimin për fotografinë e paligjshme me Presidentin Obama të “Gruas së Bilalit” për të cilën një shtetas shqiptaro-amerikan ka bërë burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës?”.
E ndërsa mbajti zotimin për pyetjen e prokurorëve, Meta nuk mbajti dot atë të përgjigjes së pyetjeve të gazetarëve. Prokurorët i thanë “jo” kërkesës së tij për të dalë, qoftë edhe i shoqëruar e me pranga, para medias, fakt për të cilin Meta kërkoi ndjesë.
Të hënën në SPAK u paraqit edhe ish-bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi, e cila tha se deklarimet e saj do t’i japë vetëm në gjykatë dhe jo në SPAK. Ish-bashkëshortët Meta-Kryemadhi po hetohen nga SPAK për “korrupsion”, “pastrim parash” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.