I ftuar në emisionin “Big Brother Radio”, Keijsi ka folur hapur për eksperiencën e tij në edicionin e pestë të “Big Brother VIP”, nga ku u përjashtua mbrëmjen e së martës pas leximit të Zarfit të Zi.
Gjatë intervistës, ish-banori ndau më shumë detaje mbi qëndrimin në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, si edhe mbi dinamikat me banorët e tjerë. Moderatorja Elona Duro e pyeti Keijsi-n për mendimin e tij ndaj Kristit, i cili pas përjashtimit ishte shprehur se nuk e kishte pritur largimin e tij në atë mënyrë.
Sipas Keijsi-t, Kristi mund ta ketë kuptuar vetë se reagimet e tij kanë qenë të tepruara.
“Ndoshta e ka kuptuar edhe vetë që e ka tepruar me mënyrën e reagimit të tepërt që bën gjithmonë. Edhe çështjen e viktimizimit, mendoj se e ka kaluar masën”, u shpreh ai.
I pyetur nëse mendon se ishte Kristi ai që e nxori nga loja, Keijsi ishte i prerë në përgjigjen e tij.
“Jo, mua nuk më nxori Kristi. Mua më nxori vetja ime”, tha ai.
Ai sqaroi se veprimi që çoi në përjashtimin e tij erdhi si pasojë e mbrojtjes së një femre dhe se nuk ndjen pendesë për atë që ndodhi.
“Shkaku ishte mbrojtja e një femre. Nuk kam bërë diçka për t’u penduar. Nëse do të isha unë agresori, atëherë patjetër që do të kërkoja ndjesë, edhe pse nuk është diçka që e bëj shpesh”, përfundoi Keijsi.



