11.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Kriza e çmimeve dhe shtrenjtimi i jetesës zhyt në varfëri shtresën e mesme

    Çmimet e larta kanë rritur koston e jetesës dhe ndikojnë në sjelljen konsumatore. Blerjet po orientohen drejt alternativave më të lira, po reduktohen sasitë dhe po shkohet drejt mallrave në oferta. Konsumi në bare, restorante dhe hotele zëvendësohet me vakte në shtëpi. Kjo tendencë rrezikon ta çojë prodhimin në një spirale më të ulët të zinxhirit të vlerës dhe të ndikojë negativisht te produktiviteti. Tendenca për të konsumuar produkte më të lira cenon sigurinë ushqimore dhe po zhyt në varfëri shtresën e mesme.

    Që prej pranverës së kaluar, çmimet po rriten me ritmet më të larta të 25 viteve të fundit, teksa konsumatorët po përshtaten, duke zgjedhur alternativat më të lira, po shfrytëzojnë ofertat, po blejnë sasi më të pakta dhe po orientohen drejt disa produkteve vendase që kushtojnë më lirë se importet.

    Orientimi i konsumit drejt produkteve më të lira ka gjasa të cenojë sigurinë ushqimore, sidomos në qarqet e vendit, ku fuqia blerëse është më e
    ulët dhe agjencitë e kontrollit kanë ndikim më të ulët.

    Që nga prilli i vitit të kaluar, çmimet e ushqimeve u rritën me ritme dyshifrore mbi 10% pas një stabiliteti prej gati dy dekadash. Vitin e kaluar, inflacioni mesatar vjetor shënoi rritje me 6.7%, por çmimet e ushqimeve u rritën me ritme dy herë më të larta, 12.5%.

    Rritja e çmimeve në produktet kryesore të shportës ndikon së tepërmi në sjelljen e konsumatorëve në vend, pasi shqiptarët shpenzojnë për blerjen e ushqimeve 41.3% të shpenzimeve mujore. Pesha e madhe që ushqimet kanë në shpenzimet e konsumatorëve po reflektohet në tregtinë me pakicë.

    Robert Hoxha, përfaqësues i rrjetit të supermarketeve “Big Market”, tha se për shkak të çmimeve të larta, shihet prirja drejt konsumit të produkteve që kushtojnë më lirë. Tendenca u konfirmua nga shumica linjave të tregtisë me pakicë në kryeqytet.

    Shtresa e mesme orientohet drejt alternativave më të lira

    Me zgjatjen e luftës në Ukrainë dhe ndikimin negativ të ndryshimeve klimatike, zinxhirët e furnizimit janë dëmtuar më tej gjatë 2022, teksa inflacioni ka hyrë në një normalitet të ri dhe do të qëndrojë gjatë.

    Në vendin tonë, shtresa e mesme, e cila zotëron fuqinë blerëse në njësitë e specializuara (supermarkete) po braktis blerjen e produkteve cilësore, duke realizuar blerje në alternativat më të lira.

    Për shembull, në produktet e vajit, makaronave, orizit dhe bulmetit, shiten seritë më të lira.

    Zëvendësimi po ndodh më shumë te produktet e bulmetit dhe vajit. Çmimet e vajit dhe bulmetit, pas luftës në Ukrainë, janë rritur më shumë se dyfishi. Samiu, i cili ka një njësi shitje në zonën e Medresesë në kryeqytet, pohon se klientët që më parë blinin produkte të bulmetit të përpunuara nga fabrikat, tani kanë rritur kërkesën për qumësht nga fshatarët.

    Ndërsa rritja e çmimit të vajit industrial zhvendosi konsumin te vaji i ullirit, çmimi i të cilit, për shkak të superprodhimit, gati u barazua me atë të vajit të lulediellit.

    Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, thotë se mungesa e fuqisë blerëse, e cila është dëmtuar edhe më tej nga inflacioni, po orienton konsumin drejt prodhimeve më të lira. Sipas z. Jaka, kjo tendencë mbart rrezik, pasi edhe prodhimi nxitet të orientohet nga kërkesa.

    Duke prodhuar mallra më të lira ka gjasa që ekonomia të shkojë në një spirale më të ulët të zinxhirit të vlerës, tha z. Jaka. Ai propozon që pagat duhet të rriten si në sektorin e biznesit, ashtu edhe në atë të administratës, në mënyrë që konsumi të mbahet në ekuilibër.

    Kur çmimet ishin stabël, konsumatorët kishin prirje të blinin disa produkte importi, p.sh., mollë, portokaj ose zarzavate, duke besuar në cilësinë e tyre. Por rritja e çmimeve i ka zhvendosur preferencat në prodhimet e vendit.

    “Tani konsumatorët e shtresës së mesme po orientohen nga çmimi dhe jo cilësia”, – pohoi një nga pikat më të mëdha të shitjes me pakicë të zarzavateve në Komunën e Parisit, një nga zonat me nivel ekonomik mbi mesataren në kryeqytet. Tregtarët e pakicës pohojnë se orientimi drejt produkteve më të lira është i dukshëm në të gjithë artikujt e shportës.

    Epoka e çmimeve të larta është një fenomen global. Konsumatorët po shfaqin sjellje të ngjashme kudo në botë. Një anketë e “Euromonitor” vërejti se kriza e kostos së jetesës ka shkaktuar zhvendosje në prioritetet e konsumatorëve.

    Gjithnjë e më shumë njerëz po i japin përparësi vlerës dhe nuk po i qëndrojnë besnik markës. Anketa tregoi se 24% e konsumatorëve globalë kërkuan në mënyrë sistematike mallra me kosto të ulët në vitin 2022, nga 18% në 2021 dhe kjo tendencë është në rritje më 2023.

    Ulen sasitë e blerjeve

    Konsumatorët kanë ulur sasinë e blerjeve prej rritjes së çmimeve. P.sh., nëse më parë, furnizimet për artikujt e shportës bëheshin me disa kilogramë, tani furnizimet në sasi kanë pësuar rënie, pohojnë tregtarët e pakicës. Janë shmangur furnizimet që bliheshin për një kohë të gjatë.

    Më së shumti, ndryshimi i zakoneve të blerjeve po ndodh te shtresa e mesme, pasi mbi këtë nivel, konsumatorët kanë mbajtur qasjen të pandryshuar.

    Sasitë më të pakta të blerjeve janë konfirmuar edhe nga të dhënat e tregtisë me jashtë. Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, në janar të këtij viti, importi i ushqimeve në sasi pësoi rënie me 13%. U importuan 45 tonë ushqime, nga 52 tonë që ishin importuar në janar 2022. Shqipëria është ende një importues neto i ushqimeve.

    Importet në vlerë janë tre herë më të larta se eksportet. Pjesa më e madhe e nevojave plotësohet me ushqime importi. Rënia e ushqimeve të importuara në sasi nisi vitin e kaluar, duke reflektuar mungesën e fuqisë blerëse.

    Vitin e kaluar, importet e ushqimeve në sasi pësuan rënie vjetore me 7%, ndërkohë që në vlerë, shënuan rritje me 14%. Kjo do të thotë se konsumatorët shqiptarë vitin e kaluar harxhuan për ushqimet e importuara 14% më shumë, por konsumuan 7% më pak.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit