15.5 C
Tirana
E diel, 20 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Kuvendi i Berishës që nuk i bashkoi demokratët, por i ndau edhe më keq (këtë radhë përfundimisht)

    Kuvendi disa orësh i thirrur nga Komisioni i Rithemelimit që ka marrë në dorë frenat e partisë pas një vendimi të gjykatës së shkallës së parë kishte një protagonist; Sali Berishën.

    Duke nisur nga diskutantët që i drejtoheshin atij si lider historik e deri tek telendisja që ata i bënë Lulzim Bashes.

    Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha ishte një kuvend anti-Basha, nga fjalimet e mbajtura, dokumentari i gjate që kishte ne qendër talljen e figurës së tij, rezoluta që dënonte gjithçka kishte bere Basha në këto vite e deri tek fjala e fundit e Sali Berishës që e cilësoi “pjellën” e vete në politikë si të papërgjegjshëm.

    Sali Berisha dhe Kuvendi i thirrur prej tij i ndau rrugët politike me Lulzim Bashën një herë e mire.

    Kuvendi i të shtunës, pavarësisht thirrjes për bashkim, nuk ishte i tillë.

    Aty nuk pati ftesë reale për bashkëpunim qoftë edhe me atë pjesë që ata e shikojnë si pakicë e mbetur në PD.

    Përkundrazi. U shkarkua në formë fletërrufeje edhe Enkelejd Alibeaj si kryetar i grupit parlamentar pavarësisht procedurave që ndiqen kësi rastesh dhe u votua Këshilli i ri Kombëtar.

    Berisha thirri më të njëjtin nxitim datën për zgjedhjen e tij në krye të PD-së, 22 maji, dhe mbajti një fjalim të gjatë pa thelb dhe të përsëritur para delegatëve demokratë.

    Në Kuvendin ku mungonin figura që kishin shfaqur shenja afrimi si Tomor Alizoti apo Besnik Mustafaj u pa të shfaqej e përlotur vetëm Jozefina Topalli ndërsa mungoi Patozi, Ruli apo Bregu.

    U rishfaq edhe Arben Imami pa rëndësinë e dikurshme ndërsa asnjë nuk doli nga vija e paracaktuar e partisë.

    I vetmi zë ndryshe ishte Fatbardh Kadilli. Ai kërkoi që PD-ja të mos përsëriste gabimet e së shkuarës duke filluar nga Sali Berisha i pari.

    Kuvendi Kombëtar i të shtunës votoi për Këshillin e ri Kombetar dhe disa ndryshime në statut.

    Berisha do të dalë me organet e reja drejtuese edhe pse ka një beteje të hapur në gjykatë.

    Të shtunën ai “fitoi” partinë thuajse në të njëjtën mënyrë si cdo herë tjetër, por humbi një pjesë të konsiderueshme dhe të dukshme të mbështetjes së tij në Kuvend.

    Vetëm 17 deputetë iu përgjigjën ftesës së tij për të marrë pjesë në Kuvendin e PD-së.

    Plot 35 të tjerë nuk iu bashkuan, ndër ta 30, që më herët kishin firmosur një platformë për bashkimin e PD-se që asesi nuk shkonte në rrugën që vetë Berisha ndoqi këtë muaj.

    Berisha e bëri zgjedhjen e tij, por pa u bashkuar me pjesën tjetër.

    Kuvendi i të shtunës sanksionoi përfundimisht ndarjen e një pjese të PD-së me pjesën tjetër.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit