Një tjetër foto e ish-numrit dy të qeverisë Rama, Arben Ahmetajt është publikuar së fundmi.
Ish-zv.kryeministri, i cili prej më shumë se një viti tanimë ndodhet në arrati, shihet në shoqërinë e dy personave në një lokal, që mendohet të jetë në Zvicër, aty ku dhe politikani shqiptar është “strehuar” prej korrikut të vitit 2023.
Në foton e publikuar Ahmetaj shfaqet duke konsumuar kafe dhe puro, teksa është duke biseduar me disa persona identiteti i të cilëve nuk kuptohet qartë në foto.
Arben Ahmetaj ndodhet në arrati, ndërsa është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK, ku dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke shkaktuar një dëm ekonomik buxhetit shtetëror.
Jo më larg se disa ditë më parë, Çim Peka lajmëroi intervistën e radhës me Ahmetajn, pasi iu dështoi intervista e paralajmëruar më parë.
Nga Zvicra ku ka aplikuar për azil, ish-zv.kryeministri ka refuzuar përballjen me drejtësinë shqiptare, duke thënë se procesi dhe provat janë manipuluar, për ta goditur atë politikisht.
Ai ka thënë se do të përballet me drejtësinë vetëm kur ajo të jetë e drejtë dhe e vërtetë.